Hetimi për drejtorin Xhika të nis nga “krimi” me sinjalistikën rrugore

616
Tashmë, zyrtarisht i çuar për ndjekje penale me kërkesë të “formës së prerë”, të bërë nga KLSH, 45 vjeçari Dashamir Xhika ish-Drejtor i Burgut të Peqinit në vitet 2011-2013 dhe që prej datës 7 tetor 2013 e deri sot në postin Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, rezulton i skeduar si “subjekt nën hetim” prej drejtësisë shqiptare, përpara të cilës duhet të çohet urgjent, për shkak të “rrezikshmërisë së tij të lartë e prezent” në zhdukjen dhe shkatërrimin e provave shkresore, ndërhyrje që mund ta bëj me psikozën “për të shpëtuar lëkurën”, siç ndodh shpesh me persona të këtij niveli krimi “Që një krim e mbulojnë me një krim tjetër”! Drejtori i rrugëve Xhika e ka të plotë këtë mundësi, mbasi edhe pse është çuar për ndjekje penale, ai vazhdon të jetë ende në krye të institucionit, i pajisur me fuqinë e vulës e firmës zyrtare, ndërkohë që duhej pezulluar e shkarkuar urgjent, siç e ka propozuar e kërkuar edhe KLSH, për të mos pasur asnjë kontakt me zyrën dhe institucionin! Kjo nuk po bëhet edhe pse është veprimi i parë që duhej bërë, mbasi personazhi Dashamir Xhika, i dërguar si “lëndë e parë” në tavolinën e drejtësisë, prej 2 vitesh ka bërë kërdinë me tenderët dhe koncesionet e rrugëve, sidomos në sektorin e sinjalistikës. 
Katër muaj më parë, Autoriteti i Konkurrencës denoncnoi abuzimet e Xhikës me konkurrencën në tendera 
Kujtojmë faktin që gjatë viteve 2014-2016, gazeta “Telegraf” ka publikuar krimet financiare e teknike me (ç)ndërtimin e rrugëve, sidomos abuzimet e rënda me sinjalistikën bërë në klientelizmin e firmave që shpallte fituese, në rishikimin e fondeve limit, në ndryshimin e projekteve me eliminim elementësh sigurie, në cilësi e vlera financiare të investimeve. Këto denoncime, i konfirmoi plotësisht edhe auditi i bërë prej KLSH, i cili dy ditë më parë shpalli publikisht abuzimet dhe deklaroi kërkesën për shkarkim nga detyra e marrje nën përgjegjësi penale të drejtorit Dashamir Xhika dhe 5 vartësve të tij Th. Xh, A.A, D.SH e D.G, që në fakt është “çeta” e tij e besuar, me të cilën Xhika që pritet dhe duhet të shkoj në burg, ka kryer gjithë abuzimet! Katër muaj më parë, Autoriteti i Konkurrencës, iu drejtua publikisht sektorit të anti-krimit ekonomik dhe prokurorisë, me një dosje të plotë abuzimesh të bëra prej drejtorit Dashamir Xhika, në bashkëveprim me “5 heronjtë” e tij të tenderëve! Sipas denoncimit të bërë prej Autoritetit të Konkurrencës, prokurimet publike kanë qenë sërish nën monitorimin dhe hetimin e Autoritetit të Konkurrencës. Ndryshimi për vitin 2014, lidhet me një bashkëpunim më të ngushtë me Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili pas auditimit të ushtruar në Autoritetin Rrugor Shqiptar, kishte konstatuar se në procedurat e prokurimit publik për vitin 2013 me objekt “Ndërtim i rrugës së Unazës së Jashtme Tiranë, pjesa verilindore (segmenti Kthesa e Saukut – 8 Bregu i Lumit) loti 1, loti 2 dhe loti 3, të njëjtët operatorë ekonomikë të cilët kanë konkurruar për lotin e 1 dhe që janë skualifikuar, rezultojnë të dalin fitues mbi bazë rotacioni në “lotet” 2 dhe 3, duke konkurruar për të njëjtat kritere të vendosura për secilin lot, ku dhe diferenca në vlerë nga oferta në oferte është e papërfillshme. Bazuar në evidencat e paraqitura nga hetimi paraprak për elementët e marrëveshjes në oferta si rotacioni dhe afërsia me fondin limit në 12 shkurt 2015 vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun përkatës ndaj 6 shoqërive dhe bashkimit të përkohshëm të tyre (një grup me dy shoqëri dhe një me tre) për kufizime të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës”. Shkeljet me fondet e rrugëve janë kthyer në një praktikë mëse të zakonshme gjatë ndërtimit të tyre, shkelje të cilat tashmë janë çuar për hetim në prokurori. 
—————————————————–
Ja 7 provat nga duhet të nis hetimi për për “krimiin” me sinjalistikën rrugore, që në 2 vite ka shkaktuar 1235 aksidente me 43 me vdekje
1. Përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore, në superstradën Tiranë-Durrës dhe segmenti rrugor Kashar-Rinas: 548,783,997 lekë
2. Plotësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale e horizontale, në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore, vazhdim i “Lotit 1”: 246,178,177 lekë
3. Plotësimi dhe rifreskimi i sinjalistikës vertikale e horizontale në gjtihë akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore, vazhdim i “Lotit 2”: 337,547,268 
4. Vendosja e Mbikalimeve për këmbësorë, në aksin Plepa-Kavajë-Rrogozhinë: 51,000,199 lekë
5. Implementimi i Sistemit të Menaxhimit të Trafikut rrugor: 19,991,400 lekë 
6. Nga auditimi i zbatimit të punimeve të objektit “Plotësim – Rifreskim i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim i sigurisë rrugore”, rezultoi një përfitim i padrejtë nga ana e sipërmarrësit të punimeve në vlerën 8,381,626 lekë. 
7. Ndërsa nga auditimi i zbatimit të punimeve të objektit “Përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore në superstradën Tiranë-Durrës dhe segmentin rrugor Kashar-Rinas” Loti 1, rezultoi një përfitim i padrejtë nga ana e sipërmarrësit të punimeve në vlerën 11,221,290 lekë.
——————— 
Ja Neni 248 i Kodi Penal, sipas të cilit do të hetohet e gjykohet drejtori Dashamir Xhika
Shpërdorimi i detyrës 
(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 21; ndryshuar me ligjin Nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 21) 
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo-materiale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
————————————————
Ja 10 nga 49 abuzimet me rrugët, firmosur prej drejtorit Xhika
1. Dëmi ndaj buxhetit të shtetit, arrin në rreth 634 milionë lekë, shkaktuar nga mungesa e supervizimit gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore.
2. Ndryshimet e shpeshta të projekteve e strukturës së punimeve edhe me mbivendosje, bërë përgjatë vitit në programin e investimeve, kanë krijuar kosto buxhetore të panevojshme.
3. Prokurime me objekt “konsulencë, studime dhe projektime për projekte investimi”, ndërkohë që mungojnë fondet e programuara për realizimin e këtyre projekteve, me pasojë kosto shtesë në kontratat e lidhura. 
4. Mosveprim i pajustifikuar i ARRSH-së (për më shumë se një vit e gjysmë) në nxjerrjen e përgjegjësive financiare të subjekteve që kanë kryer punime me cilësi të dobët, apo nuk i kanë kryer ato sipas kushteve të kontratës. 
5. Rritje artificiale e fondit limit, në vlerën prej 100,001,686 lekë, përfituar padrejtësisht nga operatori ekonomik fitues i prokurimit me objekt: “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës”.
6. Përfitim i padrejtë, nga sipërmarrësit e punimeve të ndërtimit, të vlerave monetare për punime të pakryera, u konstatua nga auditimi i zbatimit të punimeve të objektit “Sistemim, Asfaltim Unaza Ersekë”, ku rezultoi një përfitim i padrejtë nga ana e sipërmarrësit të punimeve në vlerën 2,332,658 lekë. 
7. Ekzistenca e mangësive dhe shkeljeve të rëndësishme procedurale në hartimin e termave të referencës, hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, vendosjen e kritereve të veçanta kualifikuese, vlerësimit të ofertave, si dhe lidhjen dhe zbatimin e kontratave, konstatohet se ARRSH nuk ka një preventiv tip për orientimin e operatorëve ekonomikë konkurrues, mbi te cilin të vlerësojë ofertat e operatorëve ekonomik.
8. Çmimet e ofertave të paraqitura nga operatorët e ndryshëm ekonomik në procedurat e prokurimit rezultojnë të fryra artificialisht me zëra shpenzimesh të pajustifikueshme dhe jo në përputhje me termat e referencës (si punime ambientale, qira zyre, energji elektrike, licenca, punime shpronësimi, etj) duke rezultuar në një rritje të kostos së shërbimit, ku në raste të caktuara zërat indirekte të kostos së shërbimit arrinin në rreth 70% të kostos direkte të shërbimit të prokuruar.
9. Abuzim me vendosjen e kritereve të veçanta të kualifikimit, me qëllimin e shpalljes fitues të operatorëve të caktuar ekonomik.
10. Cilësimi i mirëmbajtjeve të tuneleve si “investime” dhe jo si “shpenzime korente” duke sjellë një deformim të kostos së investimeve në zërin “rrugë” dhe të kostos së mirëmbajtjeve të këtyre tuneleve.
Përparim Halili
Sigal