Hetimi: Ja si abuzoi me milionat, ish-Drejtori Irfan Dashi largohet i plevitosur nga magazinat e Rezervave të Shtetit dhe gjen strehë të ngrohtë me dyfishin e pagës në kabinat e OST

1183
Sigal

Irfan Dashi largohet i plevitosur nga magazinat e Rezervave të Shtetit dhe gjen strehë të ngrohtë në kabinat e OST

Ish-Drejtori i Rezervave të Shtetit Irfan Dashi, i kapur me miliona abuzime nga KLSH, largohet nga shërbimi civil, por punësohet me rrogë dy herë më të madhe në OST

KLSH zbulon abuzime marramendëse në Drejtorinë e Rezervave të Shtetit me drejtues Irfan Dashin. Ishte kjo përmbledhja, e cila u shndërrua në akt-padi nga autoriteti më i lartë i auditimit të administratës që financohet nga paratë e shtetit dhe taksapaguesve shqiptar. Raporti prej 120 faqesh i Rezervave të Shtetit në krye të të cilit është z. Irfan Dashi ka shkelje të mëdha dhe me dëme të konsiderueshme materiale, monetare, me vlera të veçanta sikurse është ajo e materialeve të çmuara si Flori, Platin etj., një pjesë e të cilave janë shitur pa u cilësuar lloji i metaleve dhe çmime qesharake sikurse janë varëse në vlerën 96 lekë, këpucë 64 lekë, frigorifer të mëdhenj 6648 lekë, ora dore franceze 128 lekë, pantallona grash dhe fëmijësh 49 lekë, xhaketa burrash 66 lekë, pije të ndryshme me çmime qesharake, verë e cilësisë super të lartë etj. Gjithsesi këto ishin shumë pak përpara vlerave miliona euro si në shitjen e makinave të luksit, të kapura gjatë operacioneve të policisë dhe të sekuestruara prej saj, të  skrapit, paketave të kapura kontrabandë, kafesë dhe dhjetëra artikuj të tjerë, të bëra publike në raportin 120 faqesh të Kontrollit të Shtetit. Motorët e sekuestruar dhe tentativat për shitjen e mallit pa faturë tatimore, por që nuk është pranuar nga kompanitë e skrapit janë të tjera xhevahire të personit që dikur ishte “financier” në sportelet e fondacionit “Populli”, ku mblidheshin lekët e shqiptarëve, pasojat e të cilave na sollën ditët e zeza të 1997-s. Por ish-Drejtori i Rezervave duhet të jetë pjesë e hetimeve për borderotë e asistencës gjatë kohës kur ishte Kryetar i Minibashkisë në Kombinat, edhe pse personat jetonin jashtë shtetit. Mjafton të publikohen hyrje daljet dhe kuptohet se për kë bëhet fjalë.

Kalimi i Rezervave të Shtetit nga ministria e Brendshme tek ministria e Mbrojtjes

Edhe pse raporti prej 120 faqesh ka publikuar të zezën mbi të bardhë, përse Dashi i Rezervave vazhdonte të qëndronte në detyrë, pavarësisht denoncimeve në prokurori dhe gjykatë. Allishverishet e disa prokurorëve të korruptuar tentuan ta nxjerrin të “pastër” por nuk hodhën poshtë raportin e KLSH-së dhe ende miliarda lekë që duhet të vinin në arkën e shtetit, përfunduan në xhepat e drejtuesve të komisionerëve të Rezervave të Shtetit, kontratat e të cilave janë nënshkruar nga Irfan Dashi. Rinisja e hetimeve nga ministria e Mbrojtjes e detyroi ish-Drejtorin e Rezervave të jepte dorëheqjen dhe të largohej nga Shërbimi Civil. Por paratë dhe milionat e abuzimeve ende nuk po i kthehen financave të shtetit. Ja pjesë autentike  nga raporti i KLSH-së për  disa  raste, ku më të detajuara dhe më plota do të publikohen përsëri në ditët në vijim:

1 – “Të verifikohet urgjentisht gjendja faktike e Platinit si metali i çmuar dhe të përgatitjen  dokumentacioni për transferimin e 253.28 gr Platin në vlerën prej 524,290 lekë në Bankën e Shtetit Shqiptar. (Ky rekomandim konsiderohet i parealizuar)

2- Raporti i plotë i KLSH-së  abuzimet në Rezervat e Shtetit me shitjen e 500 mijë paketa cigaresh, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej 500 milionë lekë. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit kur përcaktuar çmimin e shitjes, nuk ka marrë referencë në dogana, apo kompanitë e shitjes së cigareve por tek  firmat fantazmë që nuk figurojnë në regjistrin elektronik të QKB. Pra firma që nuk ekzistojnë dhe që verifikohet shumë lehtë në QKB, apo Tatime, janë marrë si referencë për caktimin e vlerës fillestare.

3- Nga analiza e zërave të të ardhurave rezulton se, të ardhurat nga shitja e skrapit të përfituar nga demolimi i mjeteve të konfiskuara, krahasuar me totalin zënë 28 %, të cilat sipas Drejtorive Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, paraqitet në tabelën e mëposhtme:

Nga tabela e mësipërme rezulton se, për periudhën objekt auditimi janë shitur gjithsej 4,732 ton skrap dhe janë arkëtuar të ardhura në shumën totale prej 133,913,000 lekë me një çmim mesatar të realizuar  28.29 lekë/kg. Për periudhën objekt auditimi DPRMSH ka shitur për skrap rreth 5,200 mjete të ndryshme (auto-vetura dhe kamionë) me peshë totale prej 4,732 ton. Në përcaktimin e vlerës fillestare të ankandit për shitje në formë skrapi të këtyre makinave DPRMSH ka vendosur peshën bruto të makinave sipas manualit të çdo tipi makine por pa analizuar dhe ndarë më pas veçmas peshën e metaleve me ngjyrë dhe metaleve pa ngjyrë. Në manualet përkatëse të makinave përcaktohet pesha e metaleve me ngjyrë si bakri, alumini, duralumini, plumbi, etj si dhe pesha e metaleve pa ngjyrë si çelik apo hekur, të cilat zënë rreth 10 % të peshës totale të skrapit të shitur. Po kështu edhe nga ballafaqimi i kryer datë 09.04.2018 rezultoi që e gjithë pesha e makinës është shitur si metal pa ngjyrë (hekur) i cili ka çmimin më të ulët të të gjithë metaleve dhe që varion sipas bursës përkatëse nga 23 lekë deri në 30 lekë për kg, ndërsa metalet me ngjyrë kanë çmime disa herë me të larta, si p.sh skrapi i bakrit ka çmimin  nga 600-700 lekë/kg dhe skrapet e aluminit, duraluminit, plumbit, shkojnë nga 130-170 lekë kg, ose me një mesatare prej 220 lekë/kg. Mosrespektimi i standardeve të mësipërme nga Autoriteti shitës lë shteg për abuzime si, nxjerrja në tregun informal të pjesëve të këmbimit dhe të ardhura të munguara në vlera të konsiderueshme për buxhetin e shtetit pasi çmimet e metaleve me ngjyrë janë disa herë më të larta se vlera e skrapi i hekurit. Nga sa më sipër arrijmë në konkluzion, që nëpërmjet mënyrës se si DPRMSH ka përllogaritur vlerën fillestare të ankandit të makinave të shitura për skrap, buxhetit të shtetit i është shkarkuar një humbje potenciale minimalisht rreth 100,000,000 lekë. (4,732 ton x 10 % x 220 lekë/kg.

Emërimi i Irfan Dashit në OST, me pagë dy herë më të lartë se tek Rezervat e Shtetit

I përmendëm jo pa qëllim këto mini skandale, pjesë e dosjes voluminoze që KLSH, ka depozituar në organet e hetimit, për të treguar se pas këtyre akrobacive ish-Drejtori i Rezervave të Shtetit Irfan Dashi, i larguar nga shërbimi civil, është punësuar në OST me pagë shumë herë më të lartë se sa e kishte në vendin ku u bë kërdia dhe babëzia nuk njohu kufi. A ka dijeni OST, për raportin e KLSH-së? A e di se personi në fjalë është në procese ligjore, por edhe së fundmi është depozituar padia penale, mbi bazën e raportit të KLSH-së? OST, nuk duhet të jetë strehë e ngrohtë për cilindo abuzues që ka shpërdoruar detyrën e dhënë si shërbëtor i qytetarëve dhe jo grabitës i tyre, pavarësisht njohjeve të reja apo atyre të vjetra me prindërit e funksionarëve të rinj në kupolën e qeverisë. Ne do të vazhdojmë t’i publikojmë deri sa drejtësia dhe e vërteta të triumfojë, por kjo nuk do të lërë pa ndëshkuar edhe mbrojtësit e abuzuesve.

PS: Për t’u bërë më të lehtë strukturave të personelit në OST po ju vëmë në dispozicion urdhër kontrollin e KLSH-së: Mbështetur në Ligjin 154/2014 Datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e KLSH”, në zbatim të Projektit dhe Programit të Auditimit nr. 1263/1, datë 06.12.2017 dhe nr.1263/2 datë 12.02.2018, miratuar nga Kryetari i KLSH, nga data 06.12.2017 deri në datë 28.2.2018, në subjektin Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materialeve të Shtetit.