Hetimet, ja pse u ekzekutua në Romë shqiptari Kasa

509
Sigal

Një shqiptar 45-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri pranë banesës së tij në Romë.
Gentian Kasa, person me precedentë penalë, është pritur nga vrasësi, i cili i ka shtirë disa herë me pistoletë, duke bërë të kota përpjekjet e viktimës për t’u larguar.

Bëhet fjalë për larje hesapesh midis klaneve shqiptare të drogës, por nuk është punë dozash apo kilesh, përkundrazi, është larje hesapesh në kuadrin e trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Sipas hetuesve, Kasa është goditur me katër plumba në gjoks dhe një në kokë, të kalibrit 7.65, kalibër jo i madh por që të gjithë kanë goditur në shenjë.

Ata shtojnë se bëhet fjalë ndoshta për akte të mafies së frikshme shqiptare që ka zënë rrënjë në disa lagje romane:

Ponte Milvio, Primavalle, Ostia, San Basilio. Gentian Kasa ishte në përfundim të një dënimi për drogë dhe gjykata i kishte dhënë pjesërisht lirinë.

Shqiptari jetonte me gruan në rrugën Gabrio Casati, por çdo mbrëmje, në orën 23:00, kthehej për të fjetur në burgun e Rebibias. Ai bëri të njëjtën gjë edhe të shtunën, përshëndeti gruan dhe zbriti në rrugë për t’u kthyer në burg. Por, dikush tjetër i dinte të gjitha lëvizjet, vrasësi i tij.

Gentiani ishte arrestuar në Romë e më pas në Ankona më 2014, për trafik droge. Ai ishte në radhët e trafikut ndërkombëtar dhe fuste në Itali drogë me kilogramë nga Greqia.
Pra jo ndonjë shpërndarës i rëndomtë, por korrier i nivelit të lartë. Hetimet e kryera në Kalabri për ‘Ndraghetan kanë gjetur konfirmim edhe në Romë, pra për lidhjen midis mafias kalabreze me atë shqiptare, duke krijuar një forcë të frikshme kriminale.
Klaneve shqiptare iu atribuohet edhe vrasja e Fabrizio Piscitellit, lideri i ultrasve të Lazios, në gushtin e kaluar, me një plumb në kokë.

Ekziston edhe një pistë tjetër e ndjekur nga hetuesit për vrasjen, e cila ka ndodhur pak ditë pas arrestimeve në San Basilio për trafikun e drogës. Në pranga kanë përfunduar vëllezërit Marando, krerë të klanit kalabrez me të njëjtin emër, edhe bashkëpunëtorë të tyre.

Ekzekutimi i Gentian Kasës mund të lexohet edhe si në lidhje me arrestimet, por mbetet vetëm një supozim.