Hetime në 3 shtete për ‘skifterët’ shqiptarë, gjurma që la njëri prej tyre

534
Sigal

Operacioni i përbashkët mes policisë franceze dhe asaj shqiptare, ku u godit një grup grabitësish, ka tërhequr vëmendjen e mediave franceze.

Ato raportojnë se hetimet kanë nisur që në verën e 2018- s, pas valës së grabitjeve që kishte goditur zonën e njohur si Lorraine, midis viteve 2017 dhe 2018.

“Gjatë kësaj periudhe, disa grupe grabitësish shqiptarë dhe kosovarë janë arrestuar në flagrancë nga Xhandarmëria dhe Policia Kombëtare”, shkruajnë mediat franceze.

Hetimet e nisura një vit më parë u mbyllën në 23 prill, me arrestimin e një grupi kriminal të organizuar prej shtatë shtetasve shqiptarë të përfshirë në rreth 70 vjedhje me dhunë, të kryera midis shtatorit dhe dhjetorit 2018.

Dyshimet se grabitjet kryheshin nga një grup kriminal i mirorganizuar janë ngritur, pas madhësisë së fenomenit dhe ngjashmërive në mënyrën se si kryhej vepra penale. Duke iu referuar burimeve të Xhandarmërisë, mediat franceze bëjnë të ditur se hetimet për këtë grup janë shtrirë në disa vende të Europës Qendrore.

Pas arrestimit të disa personave për grabitje, hetuesit i drejtuan hetimet e tyre në një familje kosovare që ndodhej në jug të zonës së njohur si Thionville. Sipas hetimeve, ka rezultuar se kjo familje ishte baza e grabitësve dhe i siguronte atyre strehim dhe automjete, disa prej të cilave të vjedhura në Belgjikë.

Vëzhgimi i kryer identifikoi dy grupe grabitësish që për disa vite, lëviznin mes Francës dhe Shqipërisë. Kështu, pasi ata kryenin grabitjet me dhunë, udhëtonin drejt vendit tonë.

“Hetimet për ta u hapën në disa vende të tjera europiane, si Belgjika, Spanja, Italia dhe Gjermania, ku një nga anëtarët e grupit la ADN-në e tij në njëqind vende, ku kreu grabitje në vitin 2017.