Hetim miliardave të koncesioneve të HEC-eve

223

Gazeta “Telegraf” ka publikuar faktet e një investigimi konkret, duke
respektuar të drejtën e denoncimit dhe përgënjeshtrimit

 

Flet Petrit Kutrolli: “Ja si po inskenohet grabitja e aksioneve të mia në “HEC-Niçe”
të Velçanit në Korçë…”

 

Në redaksi kanë telefonuar institucionet qendrore të
drejtësisë, të qeverisë, të hetimit të krimit ekonomik-financiar dhe të
përfaqësive diplomatike iniciatore të procesit të “Vetingut” dhe reformës në
drejtësi, të cilët kanë deklaruar, se kanë kërkuar dhe kanë nisur zbardhjen e
këtij denoncimi e po kështu, ka telefonuar dhe është paraqitur personalisht
edhe zonja Anna Xheka, pala e denoncuar nga Petrit Kutrolli, të cilës i ofruam
hapësirë të plotë për të publikuar sqarimet e saj pa asnjë censurë

 

Dje, gazeta “Telegraf” publikoi një denoncim të bërë me emër e mbiemër prej
zotit Petrit Kutrolli, në lidhje me një konflikt pronësor, me pasojë grabitje aksionesh
në “HEC-Niçe” të Velçanit në Korçë, që faktikisht është pjesë e një investigimi
të kryer prej sektorit përkatës të gazetës, të cilin do ta publikojmë të plotë!
Këtë e bëmë pa asnjë preference dhe pa asnjë lidhje me interesat e palëve Kutrolli-Xheka,
që janë në konfliktin konkret e që vazhdojnë të gjenden në procese gjyqësore dhe
hetimore edhe në datën 9 nëntor 2016, në Gjykatën e Korçës. Publikimi u bë thjesht
dhe vetëm, duke respektuar të drejtën informuese të cilitdo që “troket” në
gazetë dhe që kërkon të trajtojë një shqetësim. Sa për kujtesë, bëhet fjalë për
një konflikt pronësor aksionesh në “HEC-Niçe” të Velçanit, në Korçë, krijuar mes
dy aksionarëve Petrit Kutrolli dhe Anna Xheka, me vlerë aksionesh 50% me 50% në
këtë investim, ku zonja Anna Xheka, akuzohet se ka manipuluar dokumentet zyrtare,
tatimore, bankare e individuale të aksionarëve të këtij HEC-i, duke u bërë 100%
aksionare dhe duke ua shitur plotësisht e me urgjencë këtë koncesion po në masën
100%, disa shtetasve italianë (për të cilët si dhe për procedurën e tjetërsimit
të kësaj pronësie, do të flasim në vijim). Dje, në redaksi kanë telefonuar nga
institucionet qendrore të drejtësisë, të qeverisë, të hetimit të krimit
ekonomik-financiar e të përfaqësive diplomatike nismëtare të procesit të
“Vetingut” dhe reformës në drejtësi, të cilët kanë deklaruar se kanë kërkuara
dhe kanë nisur zbardhjen e këtij denoncimi! Po kështu, në redaksinë e gazetës
“Telegraf” ka telefonuar dhe është paraqitur personalisht edhe zonja Anna
Xheka, pala e denoncuar nga Petrit Kutrolli, të cilës edhe përballë presionit të
bërë me gjyqe ndaj gazetës, me qetësi i ofruam hapësirë të plotë për të
publikuar sqarimet e saj pa asnjë censurë. Në respektim të kësaj norme, gazeta
“Telegraf” është e hapur të publikojë çdo reagim dhe fakt që ka lidhje me
rastin e “HEC-Niçe” të Velçanit në Korçë dhe në pritje të këtyre reagimeve, në
vijim të investigimit të “HEC-Niçe”, sot po publikojmë të plotë e pa asnjë
ndryshim, deklarimin e denoncuesit, aksionarit Petrit Kutrolli: , 

 

“Ja si është inskenuar piratisht
dhe ligjërisht mohimi dhe grabitja e aksioneve të mia në “HEC-Niçe” të Velçanit
në Korçë…”

 

“Në Qershor të vitit 2006, unë me 3 shokë të tjerë, krijuam shoqërinë
“DEVY” ShPK, me NIPT K84021601O dhe filluam studimin e fizibilitetit për
ndërtimin e “HEC-Niçe” në Velçan të Korçës. Tre ortakët u larguan dhe aksionet
e tyre i bleva unë, Petrit Kutrolli. Pasi mora bonusin nga ministria e linjës
(METE), bëra projekte të reja për tender. Në datën 14 Maj 2008, hyra në tender
dhe fitova këtë koncesion për ndërtim HEC-i. Mbasi fitova tenderin, në datën
02. 02. 2009 firmosa kontratën e koncesionare të formës “BOT” të “HEC-Niçe” në
Velçan, me palë METE (Autoriteti Kontraktor) dhe bashkimi i shoqërive “DEVY”
shpk e “ZYFI” shpk (koncesionari). Sipas nenit 8 të kontratës, në datën 26. 02.
2009 u krijua shoqëria e re koncesionare “MP-HEC” shpk, e cila me koncesionarin
“DEVY” shpk, ishin përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet e
parashikuara në këtë kontratë. Menjëherë mbas kësaj, bëra projekt-zbatimin dhe
përgatitjen e dokumentacionit për lejen e ndërtimit. Meqenëse shoqëria “ZYFI”
shpk u tërhoq, shoqëria “DEVY” shpk bleu 10% të aksioneve të kësaj shoqërie, me
vlerë 2.300.000 lekë të reja. Deri në këtë moment, shoqëria “DEVY” shpk, që nga
qershori 2006 me fillimin e studimit të fizibilitetit, dokumentacionit të
tenderit, topografia e piketimit të HEC-it, fitimi i tenderit, krijimi i
shoqërisë së re koncesionare “MP-HEC” shpk, projekt zbatimi e deri në datën 26.
07. 2010, ka investuar afërsisht 17.300.000 lekë të reja (kapaciteti i HEC-it
është 1 mega). Pas kësaj, u afrua për bashkëpunim e investim, shoqëria “ENERGY
ALBANIA GROUP” shpk, me administrator Anna Xheka… Këtu nis grabitja e
aksioneve të mia me vlerë 50% në “HEC-Niçe” të Vleçanit në Korçë, për të cilin
kërkoj të zbardhet urgjent nga drejtësia, një pjesë e korruptuar e së cilës ma
ka mohuar! Po e nis me vendosjen e përqindjes së aksioneve, të cilat i tolerova
në mirëbesim të plotë, me mendimin dhe përkushtimin për të vijuar punën
normale. Kapitali i shoqërisë “MP-HEC” shpk ishte 100 000 lekë të reja, sepse
deri në datën 26. 07. 2010, të gjithë detyrimet financiare që kishte harxhuar
shoqëria “DEVY” shpk, nuk ia kishte kaluar shoqërisë “MP-HEC” shpk. Pra, shitja
e 50% e aksioneve u bë me vlerën 50.000 lekë të reja, sipas kontratë-shitjes së
kuotave Nr. 1128, Rep, Nr. 1023/2 Kol. datë 26. 07. 2010.

 

Leja e ndërtimit, nisja e punimeve dhe nisja e grabitjes
së aksioneve

 

Në këtë kohë, mbasi ligjëruam dokumentacionin për lejen e ndërtimit, sipas
ligjit aplikuar në Qarkun e Korçës, morëm lejen e ndërtimit Nr. 108 Prot. datë
09. 12. 2010, me subjekte ndërtuese “DEVY” shpk, “OSMANI” shpk dhe
“KUTROLLI-NIMA” shpk. Në datën  1 Gusht
2010, filluan punimet në HEC nga subjektet ndërtuese, sipas projekt zbatimit
duke ngritur kantierin e ndërtimit dhe furnizimin me lëndët e para çimento,
hekur, granil, depozituar në veprat e marrjes së tij. Nga data 13. 08. 2010 e deri
në datën 31. 10. 2010, nga subjektet ndërtuese u kryen 30 093 418,38 lekë të reja
punime+bazë materiale dhe bazë materiale që ngeli gjendje (kjo e vërtetuar nga shërbimi
tatimor Korçë, verifikim i kryer nga kontrolli). Mbas kësaj, në vitin 2011
ortaku ‘ENERGY ALBANIA GRUP” shpk, me ortak të vetëm Hysen Xheka,  administratorja Anna Xheka (e bija), filloi të
paraqesë me gojë e me shkrim dëshirën për të rrëmbyer investimet e mia dhe 100%
koncesionin. Në vazhdim të këtyre synimeve, në fillim të vitit 2012, ajo nisi
një padi gjyqësore për përjashtimin e ortakut “DEVY” (mua Petrit Kutrolli) nga
shoqeria “MP-HEC” shpk dhe më bëri kallëzim penal, për shpërdorim kompetencash.
Në këtë mënyrë, Anna Xheka e mbështetur totalisht nga Kosta Barka, ish deputet
dhe ish-Ministër i Punës, bllokoi çdo të drejtë timen në tatime, gjykata e
prokurori, faktuar ky denoncim imi, me dokumente e dëshmitarë, prej të cilave u
konfirmuan dhe u quajtën të paligjshme! Ndërsa të gjitha  padrejtësitë, mashtrimet, manipulimet me
dokumente false dhe joreale e të tjera të bëra nga bashkaksionerja ime Anna
Xheka, u quajtën të drejta e ligjore nga segmente të caktuara të molepsura në tatime,
prokurori, hetuesi, gjykata! Këto janë çudira të pa imagjinuara, që ndodhin vetëm
në Shqipëri dhe që po vazhdojnë edhe sot më pasurinë time në aksionet e
grabitura në “HEC-Niçe” Velçan të Korçës, duke më zhvatur me skenar të
organizuar mafioz investimin tim 40 000 000 lekë të reja, me shkresa, akte
ekspertimi e vendime drejtësie në kundërshtim të plotë e piratesk me ligjin dhe
Kushtetutën! U kujtoj drejtësisë që do të thotë fjalën e saj në datën 9 nëntor
2016, se bashkë-aksionarja ime Anna Xheka, prej mbledhjes së ortakëve të shoqërisë
“MP-HEC” shpk, u shkarkua me 100% të votave në bazë të Nenit 86 të Ligjit 9901,
datë 14. 04. 2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, me motivacionin “Shkelje
të rënda të besnikërisë”, duke përkrahur njërin ortak të shoqërisë dhe pas këtij
shkarkimi u bënë ndryshimet përkatëse ligjore në QKR. Pas këtij vendimi, ajo hapi
gjyq në Tiranë, duke paditur QKR-në me dokumente false, për t’u rikthyer administratore
e shoqërisë, në kundërshtim të plotë me ligjin për shoqëritë tregtare, nr. 95/6,
ku theksohet  “Asambleja e përgjithshme,
mund të shkarkojë administratorin në çdo kohë me shumicë të zakonshme. Statuti
apo marrëveshje të tjera, nuk mund të përjashtojnë apo kufizojnë këtë të drejtë”.
Këtë vendim të Asamblesë e pranoi dhe ortaku tjetër “EAG” shpk i shoqërisë “MP-HEC”
shpk dhe nuk pati  asnjë ankesë për
vendimin e Asamblesë.

 

 Çfarë
ndodhi më tej…?

 

Deklarimin e zotit Kutrolli do ta publikojmë në vijim, duke i kërkuar
prokurorisë të hetojë e zbardhë denoncimin e tij për këtë padrejtësi me pasojë
të rëndë, grabitjen pasurore në vlerën 400 milionë lekë, duke i vendosur në
dispozicion gjithë aktet shkresore që zoti Kutrolli ka depozituar me vullnetin
e tij të lirë në gazetën “Telegraf”, dosje e cila vazhdon të jetë në trajtim
ligjor….