Hetim intensiv i prokurorisë për skandalin e ilaçeve

560
Ulja e çmimit të barnave siç duket ka ndikuar në mungesën e tyre në tregun farmaceutik. Këtë fakt nuk e pohojnë vetëm pensionistët, por edhe farmacistët në kryeqytet. Mirëpo shtresa më e prekur nga kjo mungesë janë ata që përfitojnë barna me rimbursim, kryesisht të sëmurët diabetikë dhe ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, të cilët në rastin më të mirë duhet të ngushëllohen me barin alternativ.
Ankesat
Kanë qënë vetë pensionistët, ata që kanë ngritur shqetësimin, pasi shkojnë në farmaci për të tërhequr ilaçet dhe përfundojnë duke marrë barin alternativ. Sipas kreut të sindikatës së pensionistëve, Hysen Daja, një gjë e tillë nuk ka sesi të mos dëmtojë shëndetin e të moshurarve. Z.Daja shprehet se “kemi pasur ankesa për mungesë të barnave të rimbursueshme, kryesisht insulinës. Kjo dëmton shëndetin e pensionistëve, ndaj është e nevojshme marrja e masave nga Ministria e Shendetësisë që mungesa të tilla të mos tejzgjaten”. Kreu i sindikatës dënon ashpër edhe skandalin e vjedhjes së barnave, me anë të recetave fiktive, duke e konsideruar si një abuzim të madh nga i cili vihet në rrezik shëndeti i pensionistëve.
Farmacistët
Të njëjtin shqetësim përcjellin edhe farmacistët. Disa prej tyre pohojnë se ka mungesa të barnave të rimbursueshme. Ata e lidhin këtë fakt me uljen e çmimeve të ilaçeve, pasi kompanitë që importojnë nuk kanë interes për futjen e këtyre ilaçeve në vendin tonë. Por përveç kësaj, kjo mungesë ka ardhur edhe si pasojë e ndryshimit të listës së barnave që jepen me rimbursim. Zëvëndësimi i tyre, apo prishja e kontratave që mund të ketë ndodhur me disa prej kompanive prodhuese, është reflektuar në tregun farmaceutik shqiptar. Në të tilla kushte, shprehen farmacistët, ne jemi të detyruar të japim barin alternativ, i cili padiskutim do të ketë një kosto ekstra. Mungesa e të ardhurave apo edhe sasia e madhe e medikamenteve që u duhet të marrin bën që disa pacientë të mos kenë mundësi financiare për të përballuar blerjen e tyre. Një situatë kjo aspak e mirë jo vetëm për pacientët, por edhe për farmacistët, të cilët shpesh herë bezdisen nga kjo gjendje. Sipas vëzhgimeve rezulton se ka mungesa të barnave të rimbursueshme në disa prej farmacive në këto zona: “Farmacitë që ndodhen pranë qendrës shëndetësore nr.9 në kryeqytet. Te farmacitë që janë pranë Stacionit të Trenit. Gjithashtu, në farmaci që ndodhen në zonën pranë maternitetit ‘Koço Gliozheni’. Në zonën e ‘Don Boskos’ dhe në Laprakë”. Ndërkohë Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor ka mohuar të ketë mungesë të barnave në treg, duke u shprehur bindshëm se pretendime të tilla nuk qëndrojnë. Që prej datës 1 prill hyri në fuqi lista e re me barnat e rimbursueshme, si dhe nisi të aplikohej edhe receta dymujore. Në listën e re të barnave të rimbursueshme u shtuan medikamente për trajtimin e sëmundjeve tumorale, të zemrës apo edhe për sëmundjet infektive. Shtatë prej barnave janë për shërbimin e onkologjisë, përkatësisht për kancerin e gjirit, prostatës, melanomën, ndërsa 4 të tjera për trajtimin e sëmundjeve malinje.
Mjeku shqiptar i shkruan Bill Gates: Më financo për miliona faqe dorëshkrim!
Doktori i Shkencave Mjekësore, Sami Galanxhi ka studiuar për 50 vjet me radhë bimësinë për të gjetur efektet kuruese të tyre. Ai ka shfletuar enciklopeditë botërore ndër vite. Rezultat i këtyre studimeve janë mijëra faqe dorëshkrime, të cilat nuk kanë gjetur mundësinë e botimit. Kërkesa e tij për t’i botuar, si dhe për t’i bërë këto libra edhe pjesë të literaturës akademike ka qenë këmbëngulëse. Ai tregon që ka shkruar letra pa fund për Kryeministrin, ministrat, shtëpitë botuese etj. Por askush nuk i ka kthyer përgjigje. I zhgënjyer nga kjo sjellje, ai vendos të bëjë një hap tjetër jo të vogël. Ka vendosur t’i dërgojë një letër biznesmenit të njohur Bill Gates. Bill Gates është pronari edhe kryearkitekti i firmës së njohur “Microsoft”, e cila bën xhiro rreth 36.84 miliardë dollarë amerikanë në vit edhe ka 55,000 punonjës të shpërndarë në 85 vende të ndryshme në botë. “Nuk dihet nëse supermiliarderi do ta marrë mundim të kthejë një përgjigje. Nëse e bën, do të shpëtonte një pasuri shumë të madhe për mjekësinë tonë, por jo vetëm”, thotë doktori i shkencave Sami Galanxhi.
***
Zgjohet prokuroria, hetim intensiv të shpërdoruesve të ilaçeve
Pas skandalit të rimbursimit të barnave në kryeqytet, të tjera qytete janë ppërfshirë në këtë aferë korruptive. Sipas hetimit dy mujor të kryer nga organi i akuzës së Tiranës, rezulton se në këtë skemë janë të përfshira dhe një numër i konsiderueshëm farmacish në rrethe. Si pasojë e veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria e Tiranës ka rezultuar se disa farmaci në Durrës, Elbasan, Fier dhe disa qytete të tjera kanë qenë pjesë e kësaj skeme. Hetuesit dyshojne se shuma e vjedhur nga buxheti i shtetit kalon shifrën e 500 mijë eurove, për të cilat u arrestua Drejtori i Fondit të Sigurime Shëndetësorë për Tiranën, Pjerin Xhuvani dhe pronari i katër farmacive fiktive Hysni Roçi. Për këtë arsye në hetimin e skandalit do të përfshihen të gjitha prokuroritë e rretheve ku dyshohet se janë lëshuar receta false, të cilat më pas janë rimbusruar nga buxheti i shtetit. Veprimet në këto qytete sapo kanë filluar nga prokurorët dhe në ditët në vijim priten rezultate konkrete, për të parë se kush ka qenë i përfshirë në këtë skemë manipulative dhe me kosto të lartë financiare në dëm të buxhetit të shtetit. Deri tani i vetmi person që ndodhet pas hekurave është pronari i farmacive fiktive Hysni Roçi. Gjykata e Apelit disa ditë më parë ndryshoi masën e sigurisë për Pjerin Xhuvanin, duke e lënë në arrest shtëpie.
Sigal