Heshtja e Braçes, si deputeti i zonës ku u vetëvar 52 vjeçari, është peshë faji

482
Sigal

Ditë më parë qeveria shpërbleu edhe punonjësit e  parkut kombëtar të Divjakës, për punën shembullore. Natyrisht, mirë bëri qeveria që i shpërbleu punëtorët e dalluar, por pyetja është te dallimi dhe diferencimi që qeveria bëri vetëm për parkun  kombëtar të Divjakës nga gjithë të tjerët në Shqipëri, thua se punëtorët në struktura të tjera shtetërore, nuk kanë punuar – sipas qeverisë! Kjo nuk mund të pranohet nga shqiptarët, sepse  qeveria nuk bëri aspak publike kriteret e vlerësimit të saj. Qeveria i shpërbleu punëtorët në Divjakë vetëm sepse aty është zona elektorale e Erion Braçes, dhe ky shpërblim ishte bono shpërblimi elektoral që Braçia, njëfarësoj,u dha ryshfet qeveritar elektoratit të tij. Edhe kjo mund të pranohet. Por, ngjarja e hidhur e djeshme, e vetëvarjes së një 52 vjeçari nga zona elektorale e Braçes, na bind sa hipokrit është deputeti Braçe me elektoratin e tij. Për ngjarjen tragjike ku 52 vjeçari u vetëvar në burg ngaqë e rrasën se nuk kishte paguar energjinë elektrike vetëm për 3 muaj,  përse hesht deri tani deputeti i asaj zone Erion Braçe? Kjo heshtja e deputetit të Lushnjës Erion  Braçe është heshtja e fajit të deputetit Braçe, sepse qeveria e tij fut në burg fukaranë edhe për qindarka, edhe pse   populli i dha votat për….mirëqenie. Braçia, si për t’u tallur me elektoratin e tij lushnjar, dje e gjeti kohën që të replikonte me Berishën, por nuk guxoi të hapte gojë e t’u kërkonte llogari atyre gjyqtarëve, prokurorëve e policëve dhe qeverisë së tij, përse çuan në litar një qytetar, për një borxh 30.000 lekë të vjetra. I vetëvaruri nuk u arrestua dite më parë, sepse kishte bërë lidhje të paligjshme, por nuk kishte kontratë nga e kaluara me OSHEE për energjinë që përdorte në biznesin e tij të vogël, dhe përse konsumonte energjinë nga shtëpia e tij. Zoti Braçe, kini kurajë dhe i thoni elektoratit tënd, a mund të arrestohet nga qeveria (jote) qytetari për këtë gabim, që nuk është aspak vepër penale? Përse, zoti Braçe, tani nuk e hap gojën, kur qeveria jote shkel të drejtat e votuesve të tu, duke i bërë që nga kjo padrejtësi e madhe e qeverisë,  të zgjedhin litarin si shpëtim nga padrejtësia e qeverisë tënde?