Heroinat e Skraparit

1098
Enver CAKAJ
Nuk kishin armë, por të vrisnin edhe pa plumba. Ato vetëkrijuan një front të tyren. Edhe pse zakonet frenuese ua kishin vënë kufirin deri te dera e shtëpisë, ato shkelën mbi to dhe u bënë zonja të vetes. Nëna pa djem e burra, burra e djem pa nëna. Burrat kishin frontin e tyre, po në shtëpitë e grave nuk vinte asnjë sinjal se ku ishin e a ishin gjallë. Edhe kur vinin nëpër errësirën e natës nuk e shikonin njëri-tjetrin. Merrnin ç’t’u jepnin dhe e ndalnin vrapin nëpër beteja. Dhe me gjithë këto përpjekje që bënë gratë e Skraparit në mbështetje të Luftës, asnjë prej tyre nuk u cilësua heroinë. Mbase e kanë patur vështirë se cilën të dallonin prej tyre. Por atyre as që nuk u shkoi ndërmend për dekorata e medalje. Qëllimi i tyre ishte që djemtë e Luftës të mos ishin kurrë të uritur e pa municione. Dhe këtë detyrë e bënë në mënyrë shembullore. Ne kemi veçuar disa prej tyre.

Kade dhe Ruze Cerova 
Ishin nënë e bijë, që ecën në gjurmët e njëra-tjetrës. Kadeja e lindur në vitin 1875 në Veleshnje ,kishte lindur atë djalë, që kishte shëtitur botën për të mirën e Shqipërisë. 
Ruzja e lindur më 17 mars 1902 në Spatharë, kishte mbajtur atë burrë me emrin Riza Cerova. Të dyja i mbajtën mbi supe vështirësitë e jetës dhe persekutimet e regjimeve të egra. Kadesë i ra barra të mbante tre fëmijë e vetme dhe të mos i thoshte një fjalë të shoqit, Musait, që dhe ai mbeti nëpër luftëra e pas tij edhe çupa, Meto Cerova. E përballoi vetë jetën. Familja e kishte një dëshmor, Ali Cerovën dhe s’mund të bënte ndryshe. Kadeja u persekutua deri në një nga regjimi i Zogut, u burgos dhe internua, por nuk luajti nga vija e kuqe, të cilës i ishte përkushtuar. Ajo mbajti kontakte të shpeshta me Ali Kelmëndin,Asim Vokshin, Mustafa Kaçaçin, Abaz Shehun që ishin shokë të Riza Cerovës. Pas vrasjes së Rizait ajo nuk heshti, po i dërgoi këtë letër qeverisë së Zogut: 

“Djali im Riza Cerova ka pas marrë pjesë në të gjitha fushatat e independencës shqiptare dhe asnjë herë nuk ka tradhtuar Atdheun dhe popullin e tij. Është e pa drejtë që autoritetet qeveritare të mbajnë armët e tij, që sipas zakonit iu takojnë fëmijëve, që t’i frymëzojnë kur të rriten për punët e Shqipërisë dhe t’i shërbejnë më mirë Atdheut.” 
Në vitin 1940 ajo refuzoi ofertën e Mustafa Krujës, që në këmbim të miratimit për pushtimin e Shqipërisë të merrte një pension të madh. Ajo vazhdoi rrugën e saj dhe të djalit duke u bashkuar m Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe mbeti e tillë në të njëqind vitet e jetës së saj. Edhe Ruzja, e shoqja e Rizait, s’mund të ngatërronte rrugën, kur i biri ia kishte bërë aq të drejtë. E duroi edhe internimin në qytetin e Beratit dhe Portopalermo, ku qëndroi katër muaj në shkurt të vitit 1925. Në vitin 1929, e ndihmuar nga patriotët Zylyftar Veleshnja, Xhafer Hakani, Musa Ohri dhe emigrantë ekonomikë nga Radëshi, Osoja, Nishica dhe Slatinja, mundi të sigurojë një pasaportë false me emrin Tabeko Tefik Zogasi, me pretekstin, se ka nevojë për kurime, shkoi në Greqi, ku takoi Rizanë dhe patriot të tjerë. Kur qeveria greke, vendosi largimin e Riza Cerovës me kërkesë të qeverisë shqiptare, ajo u kthye në vendin e saj. Por me nisjen e veprimtarisë revolucionare në Korçë dhe Cerovë, internohet sërish në Berat, ku dënohet edhe me gjobë për kalim të kufirit me dokumente të rreme. Në vitin 1931 ajo u lirua dhe iku në fshatin e saj, Spatharë duke lëvizur nga fshati në fshat sa herë bëheshin kontrolle. Pas vrasjes së Riza Cerovës ajo u mor në pyetje nga xhandarmëria e rrethit për të treguar bashkëpunëtorët e Riza Cerovës, por ajo qëndroi si pus përpara tyre. Duke parë qëndrimin që mbajti Zogu ndaj familjes së saj, një grup patriotësh në emigracion i propozuan të largohej në Turqi familjarisht, por ajo nuk pranoi të ikte nga ai vend për të cilin djali i saj dha jetën. Ajo u shkroi atyre, se nuk largohej nga vendi pa sjellë eshtrat e Rizait në Skrapar dhe daljen e shokëve të tij nga burgu. Pas vrasjes së Rizait ajo kaloi një periudhë të vështirë ekonomike, por të burgosurit politikë të Durrësit, fshatit dhe Riza Kuçi, Asllan Osoja, Neshat Hysi e patriotë të tjerë i afruan ndihmat e nevojshme. Për meritat e saj pas çlirimit, Presidiumi i Kuvendit Popullor i asaj kohe e vlerësoi atë me Urdhrin e Lirisë, Medaljen e Kujtimit, Medaljen e trimërisë dhe Medaljen e Çlirimit. Si kujtim të atyre viteve ajo mbajti letrën e fundit që i dërgoi familjes Riza Cerova: 

“E dashur grua, nënë dhe fëmijë! Më falni që u lashë rrugëve, për mua keq mos t’iu vijë dhe mos rrini kokvarur e të turpëruar, se unë për Shqipërinë luftova, për popullin fukara. Do të vijë një kohë që Shqipëria do të bëhet e lirë dhe populli nuk do të vuajë më, po do të bëhet pa bejlerë, pa agallarë ashtu siç është bërë në Unionin Sovjetik.” 

Plus saj ajo mbajti dhe këtë letër, ku tregohet se ai e donte shumë nënën e tij: 

“I dashur Myrto! Letrën që më dergove e mora. Me shëndet jam mirë. Po të kini mundësi më dërgoni këtu vetëm nënën. Po të dërgoj dhjetë copë gazeta çpërndaji në shokët. Njërën gazetë, që shkruan mbi famën e Guvernës së Unionit Sovjetik përpiquni me ndonjë shkronjtore, Shqipëria ka nevojë për një Guvernë të tillë ku në kabinet të mos ketë bejlerë e agallarë, se ashtu shikohen më mirë hallet e vegjëlisë. Letra mos më dërgo më me postë dhe në adresën e parë, por në emër të Xhevdet Greshica për Musanë. R. Fizes shumë të fala. Shokëve qafime. Durim! Juaji Riza Cerova.”
A keni dëgjuar për Hyrie Myftarin?

E kishte ngurosur zemrën Hyrije Myftari që kur e nisi Sadushin në Luftë. Ajo e dinte q,ë ose do të vriste, ose do ta vrisnin, sepse lufta nuk kishte lule e përkëdheli. 
Dhe një ditë në shtëpinë e saj hyri një grup partizanësh, që i sollën trupin e pajetë të djalit dhe automatikun me të cilin kishte luftuar. Tok me të dhe një letër ngushëllimi. Domosdo, që i dhëmbi shpirti, por dhe u krenua që djali i saj i dha jetën Atdheut për të qenë vendi i lirë. Pastaj u ul dhe i shkroi këtë letër Komandës së Brigadës, ku kishte qenë Sadushi: 

“E morëm letrën për sa shkruani. Falënderojmë për ngushëllimet e birit tonë Sadush, por dhe ne ju ngushëllojmë juve dhe gjithë shokët e asaj Brigade për humbjen e shokut tuaj Sadush. Ne nuk kujtojmë humbje, as nga ne, as nga ju. Vërtet humbi Sadushi, por vullneti i tij dhe rënia në atë mënyrë, kushedi se sa Sadushë kanë krijuar në djemtë e radhëve tona partizane. Falënderoj gjithë pjesëmarrësit në varrim!”

Edhe pse në kushtet e terrorit dhe dhimbjes, Fatime Qafoku i hoqi fill jetës së saj. Ajo vendosi t’i shërbente Luftës deri në fund, ashtu si luftonte i biri, Abedini, në Brigadës e Shtatë Sulmuese. Në shtëpinë e saj hynin shpesh ballistët për ta trembur, por ajo nuk u tremb, se e dinte që pas tyre vinin partizanët. Një ditë ballistët ishin ulur shesh në shtëpinë e saj dhe e kërcënonin t’u jepte bukë, por ajo i nxirrte bukët e pjekura dhe ua jepte partizanëve nga dritarja. Një ditë në fshat asaj i erdhi djali, por nuk mundi të vinte në shtëpi. Atje,nën një dëllinjë i dha një copë bukë e dy suxhukë, se partizanët nuk kishin sofra kudo që luftonin. Nxitimthi mori puthjen e fundit të nënës dhe iku për të mos u kthyer kurrë tek gjiri i nënës. Kur i dhanë lajmin e rënies së djalit, ajo u tha shokëve: “Tani u kam juve djem!” 
Qytetarja e nderit
Mund të jetë e vetmja grua në Skrapar,që merr këtë titull të lartë. Po në Skrapar të gjitha gratë e hershme meritojnë një vlerësim të tillë. Secila ka historinë dhe vlerat e saj. 
Hasije Hysi, kjo grua e ardhur në Vërzhezhë nga Dobrusha, e mpleksur me të gjithë fisin nga familje patriote, e tregoi zotësinë e saj, kur përballoi atë lumë njerëzish që bujtën në atë shtëpi të madhe gjatë gjithë Luftës. Të mos harrojmë, e gjithë familja ishte në Luftë. Nga kjo derë ishte Pasho e Neshat Hysi, figura të njohura në gjithë vendin dhe si të tillë bënë shumë miq gjatë Luftës, që nuk munguan të bujtnin në këtë familje. Aty kishte jetuar Mehmet Shehu, aty kishte bujtur Enver Hoxha me udhëheqës të lartë. Kush do t’i priste buzagaz ata njerëz veç Hasijes. Nuk është dekoruar vetëm Hasia, por edhe shtëpia e saj. Në ballinën e shtëpisë është vendosur një pllakë, që e shpall atë “Bazë e rëndësishme e Luftës Nacionalçlirimtare” Brenda asaj pllake është gjithë kontributi i asaj familje, që nuk kurseu asgjë për të mbështetur Luftën. Nëse partizanët i prisnin bombat në dorë, Hasia me Ganimetin i morën bombat nga strehët e shtëpisë dhe i futën në gji, që të mos ua gjenin gjermanët. Ajo përballoi kërcënimet e gjermanëve, që i kërkonin jetën, por ajo nuk u step. Por u ndje keq kur gjermanët i morën kafshët e samarit, që transportonin materialet e tyre. I ndoqi Safeti deri në Koritë e mezi i mori. Në Familjen e Hasijes ishin 12-partizanë që mbushën çetat e brigadat. U kthyen nga Lufta kur u çlirua plotësisht vendi. Po edhe Hasia ishte partizane, paçka se pa pushkë. Edhe ajo kishte një pushkë në shpirtin e saj ,që e kishte emrin ideal, për të cilin ajo luftoi e punoi tërë jetën. Për kontributin e saj ajo është vlerësuar me stimuj të ndryshëm. Si patriote ajo merrte një shpërblim nga shteti. Komuna e Qendrës e ka shpallur Hasien “Nderi i Komunës.” 
– Vijon –
Sigal