Heqja e shkronjave të Teatrit Kombëtar, gati kallëzimi në Prokurori

565
Sigal

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon të gjenden përgjegjësit që hoqën shkronjat që identifikonin Teatrin Kombëtar si institucion.

Aktivisti Ervin Goci, shprehet se komuniteti i aktorëve ka gati kallëzimin që do të dorëzohet në Prokurorinë e Përgjithshme.

Goci: Fajtori është ai që e ka bërë, por edhe institucioni që duhet ta ruante, prandaj duhet vajtur në Prokurori. Dhe ne prandaj vendosëm që të shkonim në Prokurori dhe jo thjeshtë tek policia.

Ndërkohë, oborri mes Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental prej më shumë se një viti mbledh në protestë çdo mbremje artistë dhe dashamirës të artit, të cilët kundërshtojnë shembjen e godinës me vlera historike.

Goci: Kjo kauzë është e fituar. Tani bëhet fjalë që kjo kauzë është fituar moralisht, është fituar me drejtësi, është fituar edhe për shkak të sinqeritetit me të cilën është mbajtur gjallë si kauzë.

Por pavarsisht rezistencës së aktorëve, qeveria duket e vendosur për ta shembur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar në të njejtin truall një teatër të ri.