Hemion Braho:U bëra pjesë e ftesës së kryeministrit Rama “Thuaji po Shqipërisë”, por shtetarët shqiptarë më mbyllën çdo portë pu

725
Sigal

Studenti shkëlqeu në Itali me doktoraturën e një fushe të re të shkencës mjekësore, MAS  nuk e përfill edhe pse u dërgua me bursë të shtetit

Një nga premtimet e mëdha të kryeministrit Rama, sa mori pushtetin, ishte se ai personalisht do të bënte gjithçka që studentët shqiptarë që studiojnë dhe marrin doktoraturë në universitetet më cilësore të Europës, do të ftohen të kthehen në Atdhe, që të kontribuojnë në Shqipëri. Mirëpo, deri tani, shqiptarët që diplomohen dhe specializohen në universitetet e botës, si edhe në ato raste kur shteti shqiptar u ka paguar bursën, nuk u jepet asnjë mundësi të punojnë në Shqipëri. Hemion Braho, është specializuar në doktoraturën e tij shkencore në Itali, në një fushë të re të shkencës mjekësore, që madje edhe në Bashkimin Europian është risi, por siç pohon vetë Hemion Braho, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, MAS nuk i dha asnjë mundësi punësimi. Siç pohon Hemion Braho, (i cili edhe pse u zhgënjye, nuk u largua nga Shqipëria, por sot është pedagog në UET), shumë studentë që ai njeh, të diplomuar në Itali, erdhën me shpresë të punonin në Shqipëri, por u zhgënjyen sepse këtu duhet të kesh mik, të paguash, që të gjesh një punë shteti, ndaj ikën sërish nëpër shtetet e Europës, për të mos menduar më kurrë rikthimin të kontribuojnë në Shqipëri.

Zoti Hemion Braho, si ju dha mundësia që të studionit në Itali?

– Jam larguar nga Shqipëria në vitin 1998, kur isha 14 vjeç, në prag të fillimit të shkollës së mesme. Ka qenë një periudhë e dhimbshme dhe e vështirë, sepse, përveç faktit që largohesha jashtë shtetit, pa familjen, në periudhën shtator-tetor të atij viti, vendi ynë përfshihej nga trazira politike, të cilat ishin retazh e vitit ’97. Për shkak të këtyre fakteve, arrita të largohesha drejt Romës me dy javë vonesë dhe mbërrita atje kur shkolla kishte filluar. Pata mundësinë të shkoj falë ndihmës së familjes sime, e cila ka bërë mundime e sakrifica të mëdha ekonomike dhe gjithashtu falë ndihmës të disa personave të “mirë” italianë si priftërinj, që kishin në dorë shkollën, duke më dhënë mundësinë të përballoja kostot e studimeve. Babai kishte qenë në Itali për disa specializime dhe kishte krijuar disa kontakte në Itali, të cilat u treguan të disponueshëm për të më ndihmuar. Shkollën e mesme e kam zhvilluar në “lice shkencor”, tek një shkollë mjaft e njohur romane dhe me traditë që quhet “San Leone Magno”. Kuptohet, fillimi nuk ka qenë i lehtë, sepse gjendesha nga Tirana e vogël e asaj kohe, në një realitet komplet ndryshe, si nga pikëpamja e hapësirave, si nga pikëpamja kulturore. Viti i parë më kujtohet mirë, sepse, pavarësisht se jetoja tek një familjar italian, papritur duhet të përballesha drejtpërdrejt me jetën ne një vend të huaj, duke pasur edhe vështirësi të mëdha me gjuhën, ku në një shkollë aq të kualifikuar si ajo ku studioja dhe në sajë të sakrificave të prindërve te mi, nuk mund t’i lejoja vetes të dështoja me studimet. Megjithatë, mosha e re në një farë mënyre ishte edhe avantazh për përshtatjen time atje dhe brenda një viti arrita një nivel të mirë gjuhësor dhe gjithashtu me autobus apo metro mund të arrija në çdo cep të Romës. Mund të them që kam qenë me fat, sepse shumë nga shokët e mi që donin të largoheshin nga ajo Shqipëri e asaj kohe, nuk patën mundësinë për mungesë mbështetje.

Ku u diplomuat dhe cila është tema e doktoraturës tuaj

– Pasi përfundova liceun, vendosa të ndjek studimet për shkollën e lartë në fushën e juridikut, tek Universiteti “Tor Vergata”, ku Roma ka një traditë mijëravjeçare. U apasionova shumë shpejt me studimet që kryeja, duke arritur rezultate të mira, sidomos gjatë përpunimit të tezës finale, të cilën e zhvillova me Prof. Francesco D’Agostino, kryetar i Komitetit Italian të Bioetikës, ekspert i Italisë në Bruksel për çështjet e bioetikës dhe një nga hartuesit kryesor të ligjit aktual italian, që rregullon “Riprodhimin Artificial”, mbi të cilën u fokusua edhe punimi im i diplomës. Teza ime e diplomës  ishte për mua vetë, një mundësi që të zbuloja tek vetvetja ime pasionin për punën kërkimore, kështu që vendosa të tentoj konkursin për të zhvilluar doktoraturën. Konkursin e fitova dhe pata mundësinë të vazhdoj bashkëpunimin me të njëjtin profesor, po në universitetin “Tor Vergata”, duke u përqendruar përsëri në studime, që lidheshin me fushën e bioetikës dhe legjislacionit përkatës. Gjatë kësaj periudhe, shteti ynë financonte doktorantë shqiptarë, që studionin në Institucione universitare prestigjioze jashtë vendit dhe vendosa të aplikoj për bursë. Meqë tematikat e fushës së bioetikës, që lidhen me argumente si riprodhimi artificial, aborti, eutanazia, eugjenetika, familjet homoseksuale, etj., janë relativisht të reja dhe të pastudiuara në Shqipëri, pata fatin, por edhe meritën, të përfitoj nga ai që quhet “fondi i ekselencës” që akordohej nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së atëhershme. Në fillim të 2013 përfundova dhe tre vjeçarin e doktoraturës, me një temë që lidhet me të ashtuquajturat “nëna me qira” dhe diskutimi final hapi shumë debat në komision, por në të njëjtin moment u vlerësua shumë nga komisioni për doktoraturën.

Pasi mbarove doktoraturën në Itali, cila ishte dilema juaj?

– Kur përfitova nga “fondi ekselencës”, nënshkrova një kontratë me MAS, për t’u rikthyer në Shqipëri, për një periudhë së paku tre vjeçare, pas përfundimit të studimeve doktorale. Dilema, natyrisht, lidhej me faktin që kur u largova isha në fillimet e adoleshencës e në fund të ciklit të mia të studimeve, tashmë isha 29 vjeç dhe kishin kaluar plot 15 vjet në Itali. Tashmë isha edhe pak italian dhe pavarësisht se kontaktet me Shqipërinë nuk i kisha humbur asnjë herë, do të ishte një ndryshim i madh rikthimi im mbrapa në Shqipëri, ku kontaktet i kisha vetëm me familjarët e mi, sepse ato me shoqërinë, por edhe me realitetin vendas, i kisha humbur.

Kishit mundësi të punonit në Itali?

– Po kisha disa mundësi, sepse gjatë doktoraturës kisha përfituar titullin “avokat” dhe kisha filluar të ndiqja disa çështje juridike dhe gjithashtu, pas përfundimit të doktoraturës, për disa muaj vazhdova bashkëpunimin me departamentin tim në universitetin italian, si ndihmës pedagog. Nëpërmjet departamentit, arrita të realizoj në kohën e verës së 2013 edhe një kurs bashkëpunimi në Strasburg, me tematika që lidheshin me fushën e ligjit dhe bioetikës.

Cili ishte kontakti juaj i parë, për t’u punësuar në Shqipëri?

– Kur u ktheva, u interesova kryesisht me Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, së pari sepse shumë pedagogë të universitetit tim “Tor Vergata” jepnin mësim aty, por edhe sepse leksionet ishin italisht. U interesova aty, por në të njëjtën kohë zbulova që Universiteti Europian i Tiranës, për të cilin kisha referenca shumë të mira, kishte shpallur konkurs për pedagog në fushën e juridikut. Vendosa të merrja pjesë dhe në këtë konkurs dhe e fitova. Kështu që fillova punë tek UET, si pedagog i brendshëm, ku ndodhem edhe aktualisht.

Do të kishit dëshirë të punonit në institucione publike?

– Të them të drejtën, pasi përfitova bursën për fondin e ekselencës, me detyrimin për t’u kthyer në vendlindje dhe për t’i ofruar vendit njohuritë e përfituara jashtë, mendova se do të kisha edhe ofertë për punë, sipas studimeve të mia. Kjo nuk u realizua, sepse nga institucioni financues i doktoratës time në Itali, që ishte MAS, m’ u dha si përgjigje që nuk do të kisha mbështetje për të gjetur punë në fushën e studimeve të kryera. U habita, sepse mendoja që shteti shqiptar e kishte detyrim që unë të punësohesha në Shqipëri, për të kontribuar për fushën e doktoraturës, që u specializova,  për faktin që kisha në cv-në time “përfitimin e fondit të ekselencës”, do më ndihmonte për të gjetur punë në Shqipëri. Aq sa i jam mirënjohës shtetit shqiptar për ndihmën ekonomike, e ofruar gjatë doktoraturës dhe aq sa e lëvdoj këtë iniciativë, aq tregohem kritik ndaj shtetit shqiptar, sepse më duket e pakuptueshme lëshimi i fondeve ndaj një personi për t’ a kualifikuar, i cili mbetet pa asnjë lloj stimulimi të mëvonshëm dhe nuk dihet si i përdor këto njohuri në praktikë në Atdheu e tij, kur fusha e specializimit tim është risi edhe për vetë Europën. Megjithatë, përsa i përket rastit tim, po arrij të realizoj atë që dëshiroja me punën që po kryej aktualisht, duke punuar si pedagog, tek një institucion prestigjioz, si Universiteti Europian.

Ku konkretisht, ju kërkuat të punësoheshit dhe kush ju dha këtë përgjigje negative?

– Këto përgjigje negative i mora pikërisht në ministrinë e atëhershme të Arsimit dhe kërkesat e mia për punësim titullarëve të kësaj ministrie të Shqipërisë, u dukën dhe si të tepërta; pra detyrimi ishte kthimi në atdhe, por kjo bashkohej me dezinteresimin e shtetit, se si unë do t’i përdorja këto njohuri konkretisht në shërbim të Atdheut tim.

Në fushatë elektorale, por edhe sa erdhi në pushtet,  kryeministri Edi Rama u bëri ftesë akademikëve shqiptarë, që janë në Europë, të ktheheshin dhe te kontribuonin për vendin. Ju u njohët me këtë ftesë?

– Në fakt, edhe kthimi im në Shqipëri koincidoi me fitoren e zgjedhjeve nga qeveria aktuale dhe u bëra pjesë e njërës prej këtyre iniciativave e quajtur “Thuaj po Shqipërisë”, që bashkonte mjekë shqiptarë të cilët punojnë jashtë vendit dhe ekspertë të fushave të përafërta, për diskutime në rreth reformave mjekësore. Unë u bëra pjesë e kësaj iniciative si studiues i fushës së bioetikës, që bashkon pikërisht kompetenca mjekësore, ligjore dhe etike.

Me kë biseduat dhe çfarë thatë?

– Bisedova me shumë mjekë shqiptarë nga çdo vend i botës,  të cilët ishin vërtetë të përgatitur. U çudita, sa shumë shqiptar kanë arritur suksese jashtë vendit dhe aq shumë ishin akoma të dashuruar me vendin e tyre dhe me dëshirë të kontribuonin përsëri, duke qenë të pranishëm në këto takime. Nga ana tjetër, pata mundësi të flisja edhe me eksponentë të ministrisë së Shëndetësisë, nga të cilët mësova gjendjen e vështirë të shëndetësisë shqiptare, si edhe më çuditi fakti që Shqipëria nuk ka një legjislacion të plotë dhe as ekspert për çështjet e bioetikës në diskutimet që zhvillohen në komitetet e bioetikës në Bruksel, kaq të rëndësishme për shoqërinë aktualisht, por edhe për të ardhmen e saj.

Tematika e doktoraturës tuaj në Shqipëri çfarë hapësire zë?

– Edhe pse ka një disinteres të përgjithshëm nga publiku, por edhe nga vetë akademikët, tematikat e përfshira në fushën e bioetikës zënë një hapësirë të madhe, si për vendet e tjera, edhe për vendin tonë. Përsa i përket fushës time studimore specifike mbi riprodhimin mjekësor të asistuar, ku teknika më e njohur është ajo e formimit të embrioneve në epruvetë, duhet të mendojmë që është një praktikë mjaft e përhapur dhe që realizohet në shumë klinika mjekësore private. Sot shoqëria po ndryshon dhe fertiliteti është bërë një problem, si në sajë të dinamikave shoqërore që po sjellin ndryshimin e konceptit të familjes, si në sajë të stilit të jetesës, që po sjell problematika gjithmonë e më të mëdha nga pikëpamja shëndetësore. Mundet të marrim shembuj të tjerë, si rritja e shpejtë e praktikës së abortit dhe të planifikimit familjar, apo përdorimit të pilulave abortive, edhe pse të jashtëligjshme, apo mungesës së të dhënave për praktikat eutanazike, etj.

Duke ardhur në Shqipëri, mendoni ka interes shteti apo shoqëria që të ftojë shqiptarët që studiojnë jashtë të vijnë e të kontribuojnë këtu?

– Kur vijmë në Shqipëri, nuk gjejmë shpeshherë mbështetjen e nevojshme dhe ndeshemi menjëherë me logjikën e grupimit politik, që dominon çdo gjë, apo me atë mentalitet për të cilin, “po nuk njoh dikë, nuk ecën përpara”. Kështu që, vuajmë dilemën e adaptimit me logjikën dominuese vendase, apo të ruajtjes së asaj kulture shoqërore-akademike të përfituar jashtë. Mos të tregohemi idealist: në çdo vend të botës shërbejnë njohjet e duhura, por kjo mënyrë të vepruari i bashkohet meritokracisë. Fatkeqësisht, shumë persona të ardhur nga jashtë, kanë dalë përsëri jashtë vendit në sajë të zhgënjimit dhe të përballjes me persona të paaftë, të cilët, me siguri, dija i frikëson.

Njihni studentë të kthyer, që zhgënjehen me realitetin shqiptar dhe kthehen prapë pas?

– Po kam dy raste, pikërisht në Romë e një kolege në universitet, e cila pas një viti në Shqipëri nuk arriti të përshtatej me këtë frymë të përgjithshme dhe sidomos me drejtuesit e saj në punë dhe logjikën e punës, të cilët propozonin, e lidhur me ndere, favore e pakujdesi. E njëjta gjë ndodhi me një kolegun tim avokat, i cili nuk arriti të adaptohej në botën juridike vendase. Problemi është që ata që zhgënjehen, nuk kthehen më!

Si e kuptoni ju integrimin e Shqipërisë në Europë?

– Integrimi për mendimin tim duhet të jetë, së pari, në nivel kulturor, por edhe ideal. Kjo nënkupton, siç thashë, afirmimin e kulturës së meritokracisë dhe pakësimin e logjikës partiake. Më duket e papranueshme për shembull, gjuha e përdorur në parlament pa mbajtur asnjë lloj përgjegjësie as ligjore, as morale për afirmimet apo akuzat e hedhura aty; nga ana tjetër nuk më duket e papërshtatshme përplasja publike midis institucioneve demokratike të vendit tonë. Vetëlargimi nga froni i Papës, apo edhe i Presidentit të Italinë, në kohën e duhur, duhet të jenë pikat e referimit të një demokracie të shëndoshë

Po shqiptarët si e kuptojnë integrimin e tyre në Europë?

– Kam vënë re se përjetohen sukseset e fundit tonë në rrugën e integrimit ne BE akoma me frymën e viteve ’90, ku mendohej se në perëndim do gjendej gjithçka gati, punë mirëqenie etj. Perceptoj këtu te shqiptarët, një entuziazëm të gabuar për disa aspekte, sepse nga BE-ja nuk mund të presim asnjë lloj dhurate, por në të kundërt, në qoftë se nuk arrijmë standardet e pretenduara demokratike, do na kërkohen edhe sakrifica të mëdha.

Cila është përshtypja që ju kanë thënë juve,  personalitetet e huaja, që ju keni shoqëruar në Shqipëri?

– Kujtoj veçanërisht një takim me një nga gazetarët më të njohur italianë dhe europian, Bruno Vespa. Pata fatin ta takoj tek universiteti Europian i Tiranës, ku ishte i ftuar për prezantimin e një libri të tij, por edhe të ndaj me të disa momente të tjera jashtë Universitetit. Mbaj mend që më foli për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve jashtë vendit, por nga ana tjetër ishte kritik, gjatë një vizite ne amfiteatrin e Durrësit, për vlerësimin e dobët që tregojmë ne përtrashëgiminë kulturore.

Mangësitë e legjislacionit shqiptar në fushën e biotikës

Në qoftë se do t’ju kërkohej kontribut, çfarë mund të bënit?

– Natyrisht, kontributi im fokusohet në çështjetligjore dhe etike, që lidhen me problematikat që përmenda më lart. Për shembull, për riprodhimin artificial i vetmi rregullim ligjor janë 12 nene, që ndodhen në trupin e ligjit “për shëndetin riprodhues” të vitit 2002. Për shembull, më ka çuditur fakti që këto shërbime mjekësore reklamohen në televizionet tona, gjë që nuk lejohet në asnjë vend perëndimor. Në këto 12 nene nuk parashikohet asgjë për praktikën publicitare. Gjithashtu, këto nene nuk hyjnë në detaje të rregullimit të kësaj praktike, duke u kufizuar në një rregullim të përgjithshëm dhe pak kontradiktor. P.sh., në nenin 30 parashikohet fakti që “Riprodhimi mjekësor i asistuar ka për qëllim t’i përgjigjet kërkesës së një individi, ose të një çifti për të pasur fëmijë”: pra jo vetëm një çift, për të cilin nuk parashikohet i martuar edhe një individ i vetëm mund t’i drejtohet një klinike private për të pasur fëmijë. Gjithashtu, nuk parashikohet asgjë për numrin e embrioneve, që mund të krijohen me këto teknika dhe si ruhen, apo përdoren embrionet që “ngelen”, pasi gruaja mbetet shtatzënë; pikë tjetër, janë format e kontrollit të ushtruara mbi këtë praktikë mjekësore dhe materialet gjenetike të përdorura, pasi mund të kemi në të ardhmen problematika të ndryshme, nga të cilat më paradoksalet mund të jenë ato të një motre e një vëllai, që takohen e krijojnë një lidhje, pa ditur që janë të tillë nga pikëpamja biologjike. Si këto shembuj, apo të tjera të përafërta që parashtrova më lartë, ka mangësi dhe të meta të tjera në legjislacionin aktual në këtë fushë

Vendet europiane e kanë legjislacionin për këto fushë?

– Çdo anëtar i BE-së ka një legjislacion të plotë, por, aktualisht, secili vend ka autonomi rregulluese, domethënë, zgjedh vetë si të rregulloj praktikat që lidhen me fushën e bioetikës. Në kuadër të forcimit të legjislacionit të përbashkët, di që po përpunohet në Bruksel për një legjislacion të përbashkët, ku profesori im, Francesco D’Agostino përfaqëson Italinë dhe me të cilin kam pasur mundësinë të bashkëpunoj në studimet e legjislacioneve të ndryshëm europian.

Pagëzimi im nga Papa në 2006, momenti më i lumtur i jetës time

Momenti më i paharruar në Itali?

Kam pasur disa momente të bukura në Itali, por veçanërisht kujtoj natën e pagëzimit në Vatikan, në 2006. Në periudhën e qëndrimit tim në Itali pata mundësi të njoh madhështinë e kulturës italiane dhe traditës katolike të saj dhe duke u njohur persona të krishterë, që e përfaqësonin shumë mirë këtë kulturë apo besim, vendosa të bëhem katolik. Ishte nata e pashkëve dhe Joseph Ratzinger, sapo ishte zgjedhur Papë. Ka qenë një natë magjepsëse në kishën e Shën Pjetrit, e mbushur plot me njerëz, ku ndodheshin gjithë kardinalët, ambasadorët, e natyrisht, edhe familja ime. Pata fatin të përzgjidhem ndër ata shtatë persona, një për kontinent, që Papa i pagëzon çdo vit dhe unë isha përfaqësuesi Europës. Mendoj ky moment do të mbetet i paharruar përgjithmonë në memorien time.

Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA