Hekuran Hysa/ Ja si i pritën në Skrapar kosovarët

567
Sigal

Meto Bici, një punonjëse e bashkisë Çorovodë, më tha se dëshironte të shkruhen disa rreshta për ato ditë të prillit 1999 kur erdhën tek ne, në Shqipëri, por edhe në Skrapar, kosovarët.

Metua ruan në celuloidin e kujtesës së saj dashurinë, respektin dhe mirënjohjen për Kosovën dhe kosovarët. Skrapari dhe skraparllinjtë, për vetë terrenin malor të vendit nuk janë shumë të pasur ekonomikisht, por janë shquar në çdo kohë e situatë, përveç patriotizmit e atdhetarisë edhe për bujarinë, besën e mikpritjen. Këtë virtyt të lartë e treguan kur erdhën tek ne vëllezërit kosovarë të cilët braktisën shtëpitë dhe vendin e tyre të detyruar nga politika e mbrapshtë e Sllobodan Millosheviçit. Atë ditë prilli 1999 erdhën në Skrapar, në qytetin e Çorovodës, 18 autobusë, të cilët kishin nga 50 veta secili. Kishin dalë për t’i pritur plot qytetarë; kishte dalë edhe Metua me burrin e saj Feratin, të cilët morën katër kosovarë në shtëpi. Jo se kishin vend të gjerë në shtëpi, pasi vetëm dhomë e kuzhinë kishin dhe vetëm me një rrogë ishin, por ata kishin zemrën e madhe si deti. Të gjithë ishin nga familja e Gjylbehar Ejupit, i cili ishte inxhinier elektrik në Prizren, Kosovë. Tek familja Bici ishin strehuar Gjylbehari me nënën Gjyliza dhe dy fëmijët Petriti dhe Mirushja.

Ja si tregon Meto Bici për atë kohë: “U detyruam të viheshim në vështirësi e sakrifica. Vajza dhe nëna flinte me vajzat e mia. Nëna bënte për të gatuar, se ajo dinte mirë të gatuante bukë e gjellë. Ata na kënaqnin me sjelljen e tyre të bukur e të mrekullueshme. Kurrë nuk mund t’i harroj bisedat e ngrohta me ta, të cilat na çlironin nga emocionet që kishim në fillim. Nuk mund të thuhet dot me gojë se sa i zbut shpirtrat e njerëzve mirësjellja dhe ëmbëlsia e fjalës. Kanë kaluar vite prej asaj kohe, plot 15 vjet, e megjithatë kemi të njëjtin respekt e dashuri për ta, që nuk ka forcë në botë ta shuajë. Nënës i thërritnim të gjithë nënë se e tillë ishte ajo. U bë zonja e shtëpisë dhe në familje përpiqej që të gjithë të ishin të kënaqur dhe në tryezë të mos mungonte asgjë. Por a mund të kishte mungesë në një sofër me zemër të hapur?! Familja Ejupi na ftoi edhe në dasmën e djalit të tyre, Petritit. Por për fatin tonë të keq nuk mundëm të shkonim dot. Ata e kuptuam që ne donim me gjithë shpirt të shkonim, por na pengoi një arsye shumë e fortë. Megjithatë nuk i shkëputëm lidhjet tona me ta. Siç na ka thënë komshiu unë që i ka takuar, ata kishin mbetur shumë të kënaqur nga mikpritja në Skrapar: Nuk na mungoi asnjëherë karakteri i fortë i atyre njerëzve, dora e ngrohtë e miqësisë, rruga e bukur e traditave, atdhetarizmi dhe besa. Do të doja të trokisja sërish në ato shtëpi dhe të gjeja më shumë lumturi, sepse çdo pëllëmbë tokë e Skraparit e meriton këtë. Për Shqipërinë e për Skraparin sidomos kishim dëgjuar mjaft, por më tepër për luftërat, për lirinë, besnikërinë e maturin, por atje paska njerëz të dashur e të mrekullueshëm që u bënë miqtë tanë më të mirë të jetës sonë. Qysh natën e parë të vajtjes e ndjemë veten si në shtëpinë tonë. Nuk kemi bërë miq më të mirë se ata njerëz të mrekullueshëm. Atyre u qeshnin sytë edhe zemra më shumë se buza”.