Haxhinasto marrëveshje me PWC Planin e Qëndrueshëm të Transportit

451
Sigal

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto firmosi marrëveshjen për hartimin e projektit Plani i Qëndrueshëm i Transportit (PQT) me kompaninë konsulente PriceWaterhouseCoopers Advisory (PWC). 

Objektivi kryesor i këtij projekti është përgatitja e PQT për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, i cili do të jetë dokument kyç  për institucionin në përmbushjen e qëllimit të kursimit të energjisë për sektorin e transportit në Shqipëri dhe për një zhvillim të qëndrueshëm të rrjetit të transportit. 

Për transportin kombëtar objektivi kryesor është përgatitja e një plani pragmatik, duke vendosur objektiva për zhvillimin e qëndrueshëm të rrjetit multimodal të transportit, ndërsa për transportin urban t’i sigurojë Ministrisë hartimin e politikave dhe praktikave më të mira, të cilat mund të zbatohen në nivel vendor. 

Transporti është një nga përdoruesit më të mëdhenj të energjisë në Shqipëri, që përfaqëson rreth 40% të konsumit të përgjithshëm të energjisë dhe ky plan vjen në kuadër të angazhimit të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e politikave të efiçiencës së energjisë dhe praktikat në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Energjisë (2008-2020). 

Ky projekt do të hartohet brenda një afati 8 mujor. Grandi për këtë projekt është mbështetur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).