Haxhi Baba Edmond Brahimaj: Gjatë 800 vjetëve të lindjes dhe zhvillimit të tij, besimi bektashian ka kaluar përmes disa traditas

616
Sigal

 Intervistë me Haxhi Baba Rdmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve

 “Nëse ka diçka me të cilën ne trokasim kryelartë në dyert e Bashkimit Europian është pikërisht harmonia fetare, e ardhur në shekuj, e përcjellë plot respekt në ditët e sotme.”

 A është fituar liria e besimit në Zot dhe liria universale njerëzore?

 Megjithëse rrinë në krahë të njëra-tjetrës, liria e besimit në Zot dhe liria universale njerëzore janë dy nocione tejet të gjerë. Vështirë të arrish në thellësitë dimensionale të tyre në mënyrë virtuale, sepse janë koncepte që i kapërcejnë kufijtë e kësaj bote dhe priren drejt ideve transedenciale. Ndërkaq në realitetin shqiptar në të cilin jetojmë, unë besoj se jemi në betejë për të fituar plotësisht këto dy liri aq të çmuara për racën njerëzore. E theksoj “plotësisht”, jo pa qëllim. Kur flitet në Shqipëri për fenë, përmendet vazhdimisht viti 1967, ai vit aq i mbrapshtë kur me nen të veçantë të Kushtetutës u sanksionua ndalimi i ushtrimit të besimit fetar. Për më tepër ata që kundërshtonin dhe vepronin kundër këtij neni, në mënyrë të hapur apo të fshehtë merrnin dënime monstruoze. Sidoqoftë ky obskurantizëm zyrtar nuk mundi të fshihte gjurmët e besimit në Zot në krejt shpirtrat e shqiptarëve. Unë vetë i përkas atij brezi i cili falë frymës së marrë prej prindërve, mundi të ruajë përmes sakrificash, besimin e palëkundur në Zot. Nuk kam parasysh këtu vetëm të rinjtë bektashianë, por edhe ata syni apo të krishterë, ortodoksë dhe katolikë. Në Shqipërinë e atyre viteve kanë qenë me mijëra besimtarë që ndonëse e dinin se çfarë i priste në kuptimin fizik, sërish ushtronin ritet fetare, duke dashur të ishin sa më pranë Zotit. Në këtë kuptim vuajtjet e asaj kohe u shpërblyen me një lloj dëlirësie hyjnore, e cila shërben sigurisht si katalizator në lëvizjet fetare pas viteve 1990. Liria fetare i dha padyshim një kuptim më të gjerë lirisë universale njerëzore, sepse veç të tjerave, në të gjithë librat e shenjtë që njihen deri më sot,  këto dy liri janë parë në unitet njerëzor dhe hyjnor me njëra-tjetrën. Nga ana tjetër, mendoj se vlen të bëhen ende shumë përpjekje në hapjen e civilizimeve të shoqërive tona për të fituar plotësisht këto liri. Në këtë botë të mbushur me qëndrime e prirje shekullariste, ku miliona njerëz vrapojnë drejt të mirave materiale si drejt parajsës, ku interesat e pak njerëzve tentojnë të shuajnë ëndrrat e miliona të varfërve, me këta qerthuj marramendës të dëfrimeve të kësaj bote, liria fetare nuk mund të ndihet e qetë..

  Si Kryegjysh Botëror, si mendoni, a është arritur standardi europian për një mirëkuptim dhe tolerancë që i duhet më shumë se kurrë rajonit? A ka një sfidë në këtë drejtim apo duhet dhe më shumë punë?

 Në fillim më lejoni t’ju kujtoj se shprehja “standardi evropian”, në pikëpamje të koncepteve religjioze, është shumë i ndryshëm. Janë një sërë faktorësh, historikë, morale dhe shoqërorë, të cilët kanë bërë që në kombe të ndryshëm të formohen arketipe të ndryshme lidhur me modelin e mirëkuptimit dhe tolerancës fetare. Në Zvicër bie fjala apo në disa lande të Gjermanisë, brenda një komuniteti të vogël besimtarësh ka dy-tri kisha të doktrinave të ndryshme. Është interesante të mendosh se besimtarët e njërës kishë, nuk shkojnë prej shekujsh tek besimtarët e kishës tjetër, ndonëse mund të jenë, një komb, një racë, një entitet i përbashkët. Dhe gjithmonë sipas koncepteve fetare dhe morale të këtyre besimtarëve, kishat respektojnë njëra-tjetrën. Një mentalitet krejt tjetër ofron gjeografia fetare e Ballkanit. Edhe në Shqipëri për shkak të fatit historik, kisha, xhamia apo teqeja, kanë bashkëjetuar në një harmoni të dukshme në shekuj. Madje jo vetëm në këtë aspekt, por edhe më thellë. Janë të njohur faktet që baballarët e teqesë së Kuzum Babait në Vlorë, dhanë qindra napolona flori, për ngritjen e xhamisë në qendër të qytetit, sikundër në nëntorin e vitit 1912, kur në Vlorë u ngrit flamuri i pavarësisë së kombit tonë, priftërinjtë katolikë lidhën me një varg dritash kupolën e kishës françeskane me çatinë e xhamisë. Ky unitet i mrekullueshëm i besimtarëve është shfaqur dukshëm sidomos në vitet 1967-1990, atëherë kur ilegalisht festoheshin datat e shenjta apo festat e besimeve të ndërsjella. Pra, nëse ka diçka me të cilën ne trokasim kryelartë në dyert e Bashkimit Europian, është pikërisht harmonia fetare e ardhur prej shekujsh, e përcjellë plot respekt në ditët e sotme. Por ne gjykojmë se kjo harmoni, thelbi i së cilës është besimi në Zotin e Lartë nuk mund të jetë përjetësisht e pacenueshme. Ajo vlen të ruhet, vlen të shihet kurdoherë në optikën e zhvillimeve të reja shoqërore, duke iu paraprirë situatave gjithfarësh. E theksoj këtë fakt sepse kohët e fundit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni, ka tendenca për t’i larguar besimtarët myslimanë nga islami ynë tradicional rreshtuar ata në një lloj islami të importuar, aspak tolerant dhe paqësor. Kjo bie në kundërshtim sigurisht, në radhë të parë me vetë theksin e besimit tonë, i cili ka zbritur në këtë botë si mëshirë dhe paqe universale. Prandaj dhe kujdesi ynë duhet të jetë shumë i madh. Ne si Seli e Shenjtë Bektashiane, jo vetëm jemi larguar nga këto praktika të islamit radikal, por kemi bërë gjithashtu të mundur denoncimin e tij, në mjaft mediume kombëtare dhe ndërkombëtare.

  Sa është punuar nga Selia e Shenjtë Bektashiane për njohjen e vlerave kulturore, fetare në vazhdimësi?

 Gjatë 800-vjetëve të lindjes dhe zhvillimit të tij, besimi bektashian ka kaluar përmes disa traditash, shkollash dhe rrymash fetare, të cilat i kanë dhënë atij mundësi të gjenerojë forca dhe ide të reja. Natyrisht këto shkolla përfaqësimi kanë patur edhe kundërshtitë e tyre formale, të cilat nuk kanë mundur të zbehnin sadopak, prirjen e vazhdueshme të klerit dhe besimtarëve bektashinj për pasurimin e shpirtit me tiparet më të vyera njerëzore. Ky mbeti ndërkaq një lajtmotiv në krejt veprimtarinë e Sali Niazi Dedeit, i cili përveç të tjerave u përpoq të mishëronte brenda modelit shqiptar të teqeve, krejt ato tradita prej nga vinte ky besim. Një punë gjithashtu të lavdëruar në këtë kontekst ka bërë vite më pas edhe Dede Ahmet Myftari. Me nismën e tij në kundërshtim me udhëzimet që i dërgonte shteti komunist, ai mblodhi rreth vetes jo thjesht përkthyes, por dijetarë të lartë fetarë, të cilët përkthyen vepra të mbledhura të bektashizmit, nga gjuhët arabe, perse dhe osmane. Natyrisht këto xhevahire të besimit tonë, u shpërndanë tek lexuesi i gjerë.

Ndërkaq do të përjetohej si një krim i rëndë mbyllja e objekteve të kulteve fetarë, në Shqipërinë e vitit 1967. Sidomos në pikëpamje të vlerave të shkruara, ky krim do të shkonte deri në historinë paranojake të djegieve të librave me zjarr. Tekste jo vetëm fetare, por edhe mijëra faqe me mendime të vyera të dymbëdhjetë imamëve, përkthime të kryeveprave bektashiane prej baballarëve shqiptarë, u dogjën duke dashur të mbjellin harrimin shekullor. Ajo pjesë e librave dhe dorëshkrimeve që mundën të shpëtojnë, u ruajtën si diçka e shtrenjtë në shtëpitë e besimtarëve pavarësisht rreziqeve që mund të sillnin. Këto panë dritën e botimit pas viteve ‘90’ me porosi të ish- Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhit. Të bindur se kultura do të afrojë dhe bashkojë besimtarët dhe në mënyrë të veçantë të rinjtë, ne sot kemi përcaktuar objektiva kurajozë në këtë rrafsh, nuk ka munguar as përkushtimi i Selisë në Tiranë, por edhe Gjyshatave në krejt trevat shqiptare. Për disa vite me radhë, ne kemi organizuar simpoziume ndërkombëtarë rreth figurave qendrore të bektashizmit, si edhe transmetimit të mësimeve të tyre. E shoh me vend të kujtoj se në këto simpoziume kanë marrë pjesë dhe kanë dhënë kontributin e tyre intelektualë, studiues të shquar nga: Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Austria, Zvicra, Turqia, Rumania, Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Rusia. Në këto veprimtari kualitative ne kemi mundur jo vetëm të evakuojmë traditat e mrekullueshme të besimit tonë, por edhe të përcjellim mesazhe të qartë për të sotmen dhe për të nesërmen. Natyrisht, veprimtari të tilla kemi zhvilluar edhe me Gjyshatat që nga Gjirokastra deri në Gjakovë apo Tetovë. Duke ndërthurur elementë të traditës me problemet dhe sfidat e sotme të besimit në Zot, në ditët tona të shënuara, në ditët e pelegrinazheve të teqeve, ne jemi përpjekur të mbajmë gjallë frymën e kolektivitetit fetar, sikundër të bëjmë përpjekje edhe për evakuimin e ngjarjeve me rëndësi apo risjelljen në kujtesë të jetës dhe veprës së dervishëvedhe baballarëve bektashinj, të cilët nuk kursyen as jetët e tyre në shërbim të Zotit dhe kombit tonë.

  Edhe një herë faleminderit për interesimin tuaj dhe Zoti ju bekoftë!

Amin!

  NGA KASTRIOT CAKA