Hasmëria e familjeve Llani-Shkreta Prokuroria kërkon 50 vite burgim

705
Sigal

KURBIN – Prokuroria e Kurbinit ka kërkuar dënimin me nga 25 vjet burg për secilin nga vëllezërit Jetmir dhe Muharrem Llani, të akuzuar për veprën penale të “Vrasje me paramendim” dy herë (një herë e mbetur në tentativë) dhe  “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Përmes një komunikate për shtyp, Prokuroria e Kurbinit, thekson se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, i cili është zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkohet shpallja fajtor e dy vëllezërve Llani për vrasjen e  Arjan Shkreta, dhe vrasjen e mbetur në tentativë të vëllait të tij Leli Shkreta, ngjarje e cila ka ndodhur më 04.11.2012 në fshatin Fushë-Mamurras, të Rrethit Kurbin

Sipas Prokurorisë, nga hetimi, gjatë të cilit Jetmir Llani është gjykuar në masë sigurie “arrest me burg” ndërsa vëllai i tij Muharremi me masën e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë për shkak se vijon të jetë në kërkim, ka rezultuar se këta dy persona janë autorë të vrasjes së Arjan Shkretës dhe vrasjes së mbetur në tentativë të vëllait të tij Leli Shkreta. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë nga goditjet me armë zjarri automatik nga ana e vëllezërve Llani, por ka arritur të shpëtojë, ndonëse i plagosur rëndë, pasi është shtirur si i vdekur deri në momentin e largimit të agresorëve nga vendi i ngjarjes.

Sipas hetimit, rezulton se motivi i krimit është gjakmarrja, pasi ndërmjet familjeve Llani dhe Shkreta kishte hasmëri, të nisura rreth 6 muaj para se të ndodhte kjo ngjarje. Konkretisht, në ngjarjen e mëparshme, më 05.06.2012, dyshohet se dy djemtë e tjerë të familjes Shkreta, Altin dhe Alban Shkreta, vëllezër të viktimës Arjan Shkreta dhe të të dëmtuarit Leli Shkreta, kanë qëlluar ndaj disa anëtarëve të familjes Llani. Për pasojë ka humbur jetën djali i mitur i të pandehurit Jetmir Llani.

Për këtë vrasje, po në Gjykatën e Tiranës, është në process gjykimi ndaj dy vëllezërve të tjerë Altin dhe Alban Shkreta, të cilët akuzohen për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Në përfundim organi i akuzës konkludon se nisur nga hetimi ka rezultuar se të pandehurit Jetmir dhe Muharrem Llani, kanë kryer me paramendim vrasjen, pasi janë përgatitur më parë, për kryerjen e vrasjen për motive gjakmarrje të vëllezërve Arian dhe Leli Shkreta.