Hasan Ceni:“Do të fitojmë 30 % më shumë vota se në 2009-n”

901
Sigal

 INTERVISTË/ Flet për “Telegraf”, Kryetari i Partisë Socialiste të rrethit të Matit, Hasan Ceni

Kryetari i Partisë Socialiste të rrethit të Matit z.Hasan Ceni shprehet optimist për një fitore të sigurt të Partisë Socialiste në zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit. Madje, ai shkon më tej kur thotë se, fitorja do të jetë më shumë se 30 % se në zgjedhjet e vitit 2009. Në këtë intervistë për gazetën “Telegraf”, z.Ceni flet për situatën politike, si po punohet me strukturat e PS-së në këtë rreth dhe se cilat janë kandidaturat e kandidatëve për deputet.

Zoti Ceni, si e vlerësoni situatën politike në rrethin e Matit?

Situata parazgjedhore në rrethin e Matit në planin e përgjithshëm është e ndezur nga të gjithë faktorët politikë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë trevë, por, në mënyrë të veçantë flakën ia ka vënë partia në pushtet, Partia Demokratike. Megjithëse treguesit ekonomiko-financiarë janë mjaft dëshpërues, qeverisja aktuale rreket të vijojë mashtrimet e saj, për të mbijetuar e për të qenë faktorë në opozitën e ardhshme. Fakti që rrethi i Matit renditet i katërti nga fundi për nivelin e varfërisë fakton në ç’gjendje e ka katandisur qeverisja aktuale rrethin e Matit. Rrethi ynë është keq qeverisur politikisht nga Partia Demokratike, duke blerë kështu varfërinë për 20 vjet me radhë.

Kur kanë mbetur pak ditë nga zgjedhjet e 23 Qershorit si po e shfrytëzoni kohën e mbetur deri në këto zgjedhje politike?

Gjatë këtyre ditëve paraelektorale strukturat e Partisë Socialiste në rrethin e Matit po i shfrytëzojnë mjaft mirë, duke marrë kontakte jo vetëm me anëtarësinë e PS-së në të gjitha lagjet, fshatrat e qytetet e Matit, por edhe me zgjedhësit, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Në takimet e organizuara në të gjitha zonat e rrethit zgjedhësit janë shprehur se përballen me probleme të shumta social-ekonomike. Po ashtu me shqetësim kemi konstatuar se ende kemi probleme me listat e zgjedhësve, me trysninë permanente të strukturave të Partisë Demokratike mbi votuesit që kanë lidhje me pushtetin. Kjo ndodh kur dihet se kushdo aktualisht ka lidhje me pushtetin.

Cila është platforma e Partisë Socialiste për rrethin e Matit?

Kryesore për ne është përmirësimi thelbësor i rezultatit të zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit, nga Xibri në Ulëz, nga Uraka në Vig. Është rënë dakord që në këto zgjedhje të kemi 30 % më shumë vota sesa në zgjedhjet e vitit 2009, duke garantuar kështu jo vetëm fitoren në shkallë rrethi, por edhe në rang qarku. Synimi kryesor i Partisë Socialiste është që fitorja në Qarkun e Dibrës të jetë 4-2 në favor të PS-së. Neve nuk na shqetësojnë emrat e kandidatëve për deputetë, por kërkojmë fitoren bindëse të Partisë Socialiste.

Cilat janë kriteret për zgjedhjen e kandidatëve?

Kandidatët e Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës do të jenë njerëz me integritet moral e profesional, figura të spikatura të familjes socialiste, pa njolla abuzimi, figura të mirë koordinuara me strukturat e PS-së në të gjitha nivelet.

Në cilën bashki a komunë synoni të siguroni fitore?

E rëndësishme është se Partia Socialiste aktualisht gëzon mbështetje të fuqishme në çdo skaj të rrethit Matit. Mbështetja mbarë popullore ka shqetësuar Partinë Demokratike dhe strukturat shtetërore. Fitorja jonë në këto zgjedhje do të jetë bindëse në të gjitha njësitë vendore të rrethi, në Bashkitë Burrel e Klos dhe Komunat Rukaj, Derjan, Macukull, Lis, Gurra, Suç, Xibër, Komsi, Baz e Ulëz.

Si është pritur nga Partia Socialiste e Matit bashkimi i PS-së me LSI-në në një koalicion?

Bashkimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim fillimisht nuk është ndjerë mirë. Por shpejt situata ndryshoi pozitivisht. Pas sqarimeve të bëra në çdo takim është unifikuar mendimi se ky koalicion i shërben fitores së të majtës dhe siguron fitoren e zgjedhjeve të 23 Qershorit 2-13. Ne kemi siguri e bindje se kjo fitore do të jetë e matshme dhe e sigurt.

A do jetë kandidate Kryetarja e Bashkisë, Burrel znj. Adelina Farici, n.q.s. jo Përse ? Është dëshira e saj apo nuk e kandidon Partia Socialiste e Matit?

Kryetarja e Bashkisë znj. Adelina Farici ka fituar bindshëm votën e qytetarëve të Burrelit, ndaj ajo ka detyrime dhe një kontratë me qytetarët e vet, për të realizuar premtimet e dhëna në fushatën elektorale të  8 Majit, ndaj kjo është arsyeja dhe dëshira e saj për të mos kandiduar për Kuvendin e Shqipërisë. Partia Socialiste e Matit i ka dyert e hapura për Adelina Faricin.

Nëse PS fiton, askush nuk do të diskriminohet për shkak të bindjeve politike

Pyetjes nëse PS fiton zgjedhjet politike si do ta trajtojë pushtetin lokal, pra bashkitë dhe komunat, z.Ceni i është përgjigjur: “Pushteti lokal në gjykimin tonë është i një rëndësie të veçantë. Ai do të trajtohet sipas legjislacionit shqiptar. Ne nuk do të bëjmë dallime mes komunave, pavarësisht, i cilit subjekt politik është kryetari apo këshilli bashkiak a komunal. Askush nuk do të diskriminohet për shkak të bindjeve politike. Për ne matjanët votuesit janë njerëz dhe duhet të trajtohen si të tillë, ndërkohë PD i konsideron vetëm votues. PD thjeshtë kërkon votat një herë në katër vjet, ndërsa ne këmbëngulin se duhet të afrohemi me Botën Demokratike”.