Harry BAJRAKTARI/ Ta kemi besimin për të jetuar në vendin tonë

544
Sigal

Skenat e përditshme të ikjes së qytetarëve nga Kosova janë shqetësuese dhe si të tilla po e dëmtojnë imazhin e vendit tonë në Evropë dhe botë. Migrimi ilegal i këtyre ditëve ka marrë formën e një fushate të pakontrolluar. Duke mos mohuar arsyet dhe kushtet ekonomike të tyre, papunësinë dhe problemet tjera jetësore që kanë, një formë e tillë e ikjes masive, e pa kontrolluar dhe paditur se çfarë do të jetë fati i tyre në ato vende ku pretendojnë të gjejnë strehim, është e keqja tjetër dhe vendim i ngutshëm, i pasigurt dhe e jo racional. Ikja me

tërë familjen, duke lënë shtëpitë e zbrazëta, është përsëritur shumë herë në Kosovë, por në rrethana krejt tjera historike e politike. Rasti i tashëm i zbrazjes është një fenomen që ndoshta do një shpjegim  më të thellë, sesa ajo që është thënë e shkruar deri tash. Liria e lëvizjes është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut, e kodifikuar me normat ndërkombëtare, por ajo duhet të orientohet brenda zyazave legale, jo në mënyrë të pa rregullt e të pakontrolluar, duke rrezikuar jetën e familjes dhe të vetvetes në kapërcimin e kufirit ilegal  nëpër malet e Hungarisë. Është vështirë të mendosh se nga kjo rrugë e migrimit mund të përfitohet diçka ngaqë vendet e BE-së nuk strehojnë më azilantë. Të gjithë këta qytetarë të Kosovës që pretendojnë vendqëndrim nuk plotësojnë asnjërin nga kriteret e azilantit politik. Këtu fitues dalin vetëm kontrabandistët që janë serbë e shqiptarë. Kosova ka bërë shumë sakrifica dhe nuk do të duhej të braktiset në këtë formë nga qytetarët e saj. Kjo sakrificë dhe ky investim ka qenë i të gjithëve dhe s’ duhet harruar. Të kemi besim të jetojmë në vendin tonë dhe këtë besim ta materializojmë në forma të ndryshme duke krijuar të mira materiale dhe shpirtërore. Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë pasur një qasje të mjaftueshme dhe zerioze për të hapur vende të reja pune, zhvillim ekonomik dhe krijimin e një perspektive të qartë për qytetarët e saj. Kjo ka bërë që qytetarët sot të ndjehen të pasigurt dhe të kenë një dozë frustrimi. Si rezultat i saj del edhe ikja nga Kosova, por mos të harrojmë se në këtë kaos të krijuar ka edhe mashtrim dhe shumë iluzione. Populli ynë ka bërë shumë sakrifica për lirinë e tij, e tash duhet të bëjë sakrificë edhe për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që ua dhënë votën, e jo të ikin. Mendoj se Kosova është vonuar lidhur me disa projekte të zhvillimit dhe të punësimit. Qeveria, politika dhe të zgjedhurit e popullit, më  herët dhe tash, nuk mund të amnestohen nga kjo që po ndodh. Këto pamje që po e përshkojnë Evropën, nuk mund të kalojnë pa pasoja për Kosovën dhe imazhin e saj. Në këto momente është jetike se si të veprohet dhe si të ndalet ky migrim i popullatës dhe të mos shohim skena të tilla nëpër kufij dhe në kampet kolektive të strehimit pa kurrfarë kushtesh! Pra, çështje është si të ndryshohet kjo situata? Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë për pengimin ilegal të migrimit të qytetarëve të saj. Kjo nuk do të mjaftojë që të ndryshohet gjendja e tashme nëse nuk ka një zotim të prerë në tejkalimin e vështirësive të grumbulluara dhe në krijimin e kushteve për një jetë stabile ekonomike të qytetarëve në vendin tonë. Këto skena janë një alarmi më shumë për institucionet e Kosovës. Qeveria të jetë e përshpejtuar që sistematikisht të krijojë kushte për hapjen e vendeve të reja të punës duke zhvilluar sektorët më vital të ekonomisë, e sidomos sektorin e bujqësisë ku ekzistojnë mundësi më të mëdha punësimi, të ketë stimulim për bizneset private, të vogla dhe të mesme, krijimin e lehtësimeve doganore dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore në konkurencë me ato të importuara. Qeveria të punojë më shumë për të fituar besimin e qytetarëve, i cili shihet i luhatshëm pas këtyre skenave të largimit. Institucionet e Kosovës duhet ta fitojnë betejën mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pa fitimin e kësaj beteje nuk do të ketë as fitim të besimit nga qytetarët. Liberalizimi i vizave është një faktor shumë i rëndësishëm për Kosovën. Me këtë qytetarët tanë do të realizonin një të drejtë të tyre si të gjithë qytetarët e vendeve tjera. Integrimi në Bashkësinë  Evropiane, në NATO dhe në strukturat e tjera, është një mundësi e madhe për perspektivën e Kosovës dhe për stabilizimin e saj edhe në aspektin e sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik. Kosova është vendi ynë për të cilin kemi investuar aq shumë, duhet ta duam edhe kur s’ jemi të kënaqur.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.