Haradinaj i përgjigjet Erdoganit: Punët tona i bëjmë vetë

686
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha të hënën, se shqiptarët nuk përzihen në punët e të tjerëve dhe punët e Kosovës nuk mund t’i bëjë asksuh tjetër përveç saj, duke iu përgjigjur sulmit të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan për qëndrimin e tij ndaj operacionit të deportimit të gjashtë shtetasve turq të kërkuar nga Ankaraja. Kryeministri Haradinaj, zgodhi një veprimtari përkujtimore me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, i cili për 25 vjet kishte luftuar kundër pushtimit osman. “Duke përkujtuar Gjergj Kastriotin Skenderbeun dëshmojmë se i kemi rrënjët e thella edhe Kosova dhe krejt shqiptarët kudo që janë. Për ata që prej larg na gjykojnë, e para që mund t’u them është, se nuk na njohin, iu mungon njohja për shqiptarët, në trojet e tyre, në atdheun e tyre. Bëjnë mirë me na njoftë, se kurrë nuk është në traditën tonë me hi në punët e shtëpisë të dikujt tjetër. Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emrin tonë në Kosovë. Këtë le ta dinë të gjithë”, tha kryeministit Haradinaj. Kosova është bërë javën që lamë pas vendi i vetëm i rajonit që u ka dorëzuar autoriteteve turke të kërkuarit për lidhje me klerikun Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për përpjekjen për grusht shteti, në korrik të vitit 2016. Që nga ajo përpjekje Turqia ka shtuar trysninë mbi Kosovën, por edhe vendet tjera të rajonit ku Fondacioni i Gulenit drejton rreth 40 shkolla, përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi. Operacioni i arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq, la pas vetes shumë paqartësi dhe nxiti reagime të organizatave për të drejtat e njeriut që tërhoqën vërejtjen në pasojat për të depërtuarit, por edhe për Kosovën në proceset integruese. Udhëheqësit më të lartë të Kosovës urdhëruan hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha institucionet e përfshira në operacion, ndërsa pohuan se nuk ishin dijeni për të. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vendosi shkarkimin e ministrit të Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefit të Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi dhe ritheksoi në disa raste, se nuk kishte qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ishte i zhgënjyer me operacionin, por kërkoi që të priten hetimet, para se të bëhen çfarëdo përfundimesh rreth tij. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e sulmoi në dy raste kryeministrin Haradinaj. Të shtunën ai tha se kryeministri i Kosovës do të paguajë për qëndrimin ndaj operacionit. Të dielën e cilësoi të turpshëm këtë qëndrim, ndërsa falënderoi presidentin e Kosovës për operacionin. Turqia është ndër aleatët e rëndësishëm të Kosovës që kishte njohur ndër të parat pavarësinë e saj të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ajo është një nga investuesit që kontrollon kompanitë kryesore në vendin e varfër, përfshirë aeroportin e vetëm në vend dhe sistemin e furnizimit me energji elektrike.
Sigal