Haradinaj bën homazhe tek varri i ish-Presidentit Rugova, ja për çfarë e falënderon

295
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për nder të ditëlindjes së 73-të, të ish-Presidentit Ibrahim Rugova bëri homazhe te varri i tij dhe vizitoi familjen Rugova. Haradinaj para mediave të pranishme tha, se sot në ditëlindjen e Presidentit Rugova, nderojmë jetën dhe veprën e vlefshme që ka bërë për Kosovën.

“Sot nderojmë te varri i Presidentit Rugova, e nderojmë në ditëlindjen e Presidentit Rugova. Jeta dhe vepra e tij ka qenë çdo herë lajm i mirë për Kosovën, pra një punë e vlefshme historike dhe sot në ditëlindje i themi, faleminderit!”, tha Haradinaj.

Pas homazheve Haradinaj vizitoi familjen e ish-Presidentit Rugova, ku u prit nga bashkëshortja e Presidentit, Fana, djemtë, vajza dhe familjarët e Presidentit Rugova. Familjarët e Presidentit Rugova e falënderuan kryeministrin Haradinaj për vizitën dhe kujdesin e vazhdueshëm, duke thënë, se bashkëpunimi i tij me Presidentin ka qenë çdo herë i mirëpritur në të mirë të vendit.

“Presidenti Rugova ka qenë lajm i mirë për Kosovën dhe ju, e ne jemi me fat që e patëm. Ishte Presidenti i parë, historik i Kosovës dhe ai do t’i mbijetojë shekujve.”