Hapja e rafinerisë së naftës, shpresë për rikthimin e rinisë në Kuçovë

970
Sigal

NJË DITË ME NAFTËTARËT/ Flasin për “Telegraf” inxhinier, ish-kuadër e punëtorë të vjetër

Hapja e rafinerisë së naftës, do të ndryshojë jetën tonë. Kjo është shprehja që dëgjon nëpër kafenetë e qytetit të Kuçovës, në bisedat e thjeshta në lulishte dhe në rrugë. Dëshirat shprehen nga të moshuarit që kanë punuar një jetë të tërë në rafineri, ku nga përpunimi i saj dilnin qindra tonë naftë, vajguri, graso speciale, vajra etj.. Por këtë shpresë kanë edhe të rinjtë, të cilët i kanë sytë nga qeveria e re e dalë nga vota e popullit. Para viteve të demokracisë në këtë qytet ishte e ndërtuar një uzinë që shërbente për rafinerinë e naftës, ku ishin të punësuar një numër i madh punëtorësh. Të moshuarit që kanë punuar në këtë ndërmarrje tregojnë me nostalgji se në këtë uzinë që në orët e para të mëngjesit rreshtoheni në radhë dhjetëra autobote, të cilat mbanin radhë për t’u ngarkuar me naftë, benzinë, solarë dhe më pas e eksportonin jashtë vendit.

Punëtori i sektorit të naftës, Islam Hoxha

Islam Hoxha një nga punonjësit e vjetër të kësaj ndërmarrjeje tregon për “Telegraf” se: “Në këtë uzinë ishin të punësuar 560 punëtorë, të moshave të ndryshme. Ata paguheshin shumë mirë edhe nga vetë koefiçenti që kishte nafta. Për atë kohë kjo uzinë ishte më e madhja në shkallë vendi. Por pas demokracisë uzina u vodh dhe më pas filloi të shkurtonte fuqinë punëtore… dhe në fund kur arriti kulmi, ku punonte vetëm administrata, filloi dhe shkatërrimi i saj duke mos mbetur më asnjë gurë themeli”, u shpreh Hoxha.

Ish-kuadri Hekuran Rroku

Ndërsa ish-kuadri Hekuran Rroku thotë kështu për gazetën tonë: “U deshën rreth 23 vjet që të vijë në pushtet forcat e majta, të cilat kanë premtuar se do të rikthejnë në gjendjen e mëparshme të gjithë industritë e naftës në këtë qytet si rafinerinë, Ndërmarrjen e Shpim Kërkimit dhe shumë reparte ndihmëse për t’i shërbyer naftës. Nëse deputetët dhe vetë Kryeministri i sapo zgjedhur Edi Rama, do të bëjnë realitet ato premtime të dhënë në fushatën elektorale në Kuçovë, jeta në këtë qytet, do të këtë një ndryshim 180 gradë. Kjo do të ndikojë në punësimin e një numri të mëdha punëtorësh dhe specialistësh të sferave të ndryshme”, tha Rroku.

Inxhinieri i naftës, Sajmir Toska

Sajmir Toska një nga inxhinierët e vjetër të naftës, u shpreh për gazetën “Telegraf”, se, “qyteti i Kuçovës me 50 mijë banorë do të këtë një ndryshim shumë të madhe nëse do të bëhen realitet të gjitha ato premtime, për ndërtimin e rafinerisë së naftës, rikthimin e Ndërmarrjes së Shpim- Kërkimit, zgjerimin e gamës të zonës së nxjerrjes së naftës, si dhe zgjerimin e uzinës mekanike të naftës, e cila është e vetmja që i ka shpëtuar shkatërrimit të trazirave. Kështu të gjitha këto do të bëjnë që në Kuçovë të këtë hapësirë të madhe për t’u punësuar. Ky ndryshim do të bëj që në qytet të rikthehen pasi mbarojnë studimet të gjithë studentët e larguar, pasi 80 për qind e tyre qëndrojnë në kryeqytet, ku dhe mundësit për punësim janë më të mëdha”, tha Toska. Janë me qindra të rinjtë që kanë mbaruar për inxhinier nafte, mekanik, ekonomik, mjekësi etj., por asnjëri prej tyre nuk ka preferuar që të rikthehet në Kuçovë, sepse ata mendojnë se ky qytet nuk ka prespektivë për të ardhmen. Kjo ka bërë që Kuçova të shkojë drejt të popullsie të plakur, madje për shkak të numrit të popullsisë që po reduktohet kanë lindur edhe probleme te tjera, si p.sh në spital nuk ka mjekë, por edhe ata pak që aktualisht punojnë aty, janë mbi moshën 60 vjeç. Premtimet e bëra si nga kryeministri Edi Rama dhe deputetja Ermonela Felaj në fushat elektorale janë shpresa e vetme e këtyre banorëve, të cilët presin me padurim.