Hapet segmenti i fundit i Unazës së Vogël, lehtësohet trafiku në qendër

497
Sigal

Veliaj: “Mbajtëm
premtimin për ta hapur për festat e Nëntorit; punë, jo llafe për ta çuar
Tiranën në drejtimin e duhur”

 

Ashtu siç ishte
premtuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u hap sot edhe
segmenti i fundit i Unazës së Vogël, i cili pritet të lehtësojë trafikun në
qendër të kryeqytetit. Falë punës intensive të Bashkisë së Tiranës,  tashmë segmenti i Unazës së Vogël, nga
Ushtari i Panjohur te Banka e Shqipërisë, është funksional, çka ndihmon në
qarkullimin më të shpejtë të automjeteve. Në përfundim të punimeve, ishte i
pranishëm kryebashkiaku Veliaj, i cili theksoi se ky projekt është
tregues i asaj ç’ka mund të jetë Shqipëria nëse punohet dhe bashkëpunohet.

 

“Ky ka qenë një
projekt për të cilin flitej prej 25 vitesh, me shpronësime, me ndërtesa që
duheshin prishur, me pengesa burokratike, stërkëmbësha politikë, llafe e llogje.
Por, ky projekt mund të jetë edhe një metaforë e asaj ç’ka mund të bëhet Shqipëria,
nëse punohet dhe bashkëpunohet. Nëse fokusohemi te puna, atë që kemi bërë këtë
vit në Tiranë, mund ta bëjmë kudo. Në qoftë se bashkia lejohet të punojë, e
nëse nuk harxhojmë kohë me debate bosh apo duke i vënë stërkëmbësha
njëri-tjetrit, puna ecën jashtëzakonisht mirë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku
vlerësoi punën e kryer në këtë segment edhe gjatë ditëve të pushimit.

 

“Kjo është një
tjetër rrugë me të gjitha standardet. Është një rrugë që ka hapësirë për makinat,
4 korsi, gjithashtu edhe 2 korsi për biçikletat, në secilën anë, dhe ka
mjaftueshëm hapësirë për këmbësorët në trotuare. Ka edhe një korsi të veçantë
që vazhdon përgjatë gjithë Unazës së Vogël për personat e verbër, që të kenë
mundësi të aksesojnë qytetin. Ishte një operacion i sukseshëm edhe zhvendosja e
nënstacionit elektrik, çka do të thotë se Tiranën, me pak dëshirë, vullnet të
mirë e shumë punë, mund ta çojmë në drejtimin e duhur”, tha ai. Veliaj theksoi
se ky projekt nuk mbaron këtu, pasi do të vijojë puna me intensitet edhe për
projektin e sheshit “Skënderbej”, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për
vështirësitë e krijuara në një qytet si Tirana, që është gjithmonë në zhvillim.

 

“Do të doja që
në festat e tjera të nëntorit t’i kemi përfunduar të gjitha proceset, edhe pse
pjesa kryesore e sheshit do të përfundojë në qershor. Mandej, fokusin do ta
kemi te “Bulevardi i Ri”. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës për
durimin. Në një qytet që shtohet me nga 20 mijë vetë çdo vit, përafërsisht 50
vetë në ditë që transferohen në Tiranë, gjithmonë do të ketë ngarkesë.
Gjithmonë do të ketë ngarkesë në trafik, në rrugë. Është vetëm çështje kulture
që këtë shtesë të popullsisë që e kemi të destinuar çdo vit si qendër kryesore
ekonomike, ta përballojmë me sa më shumë mirëkuptim”, tha Veliaj. Në këtë
kuadër, kryetari i Bashkisë ftoi të gjithë qytetarët që të kufizojnë përdorimin
e automjeteve dhe të përdorin mjetet alternative të transportit.

 

“Nëse vërtet nuk
kemi punë në qëndër, le të përdorim një unazë pak më të largët dhe mos ta
sjellim gjithë trafikun në qendër të qytetit. Unë besoj se për pjesën e qëndrës
duhet të përdorim sa më shumë biçikletën ose të ecim në këmbë, kurse makinën ta
nxjerrim vetëm për destinacione që janë realisht të largëta, përndryshe nuk do
e kemi zgjidhur trafikun”, tha ai. Kreu i bashkisë u bëri thirrje të gjithë
qytetarëve që të ruajnë pastër ambientin ku jetojnë dhe punojnë.

 

“Më parë, një
patriot i vërtetë duhet të jepte jetën për liri dhe duhet të bënte sakrifica të
mëdha. Sot ftesa ime për të qenë patriot në Tiranë është të mos e ndosim qytetin,
të mos e zaptojmë atë, të mos bëjmë ndërtime pa leje nëpër rrugë, nëpër
trotuare, nëpër lumenj, afër shkollave, afër kopshteve. Ky është patriotizmi që
na duhet sot. Nga java tjetër nisim procesin e diferencimit të mbetjeve në
Tiranë. Patriotizëm do të thotë të ndajmë mbeturinat, që të sigurohemi që
qyteti është i pastër dhe vetëm kështu mund të themi realisht që jemi krenar që
jemi shqiptarë”, tha kryebashkiaku. Ndërkohë, Veliaj bëri të ditur se ka
përfunduar edhe Plani Urbanistik i Tiranës, i cili brenda muajit dhjetor do të
dërgohet për miratim në Këshillin Bashkiak.

 

“Kemi përfunduar
Planin Urbanistik të Tiranës dhe brenda dhjetorit do ta çojmë në Këshillin
Bashkiak. Më vjen mirë që pas konsultimeve që kemi bërë me 24 njësitë, forumet
dhe ekspertët, kemi një Plan Urbanistik të Tiranës së 100 viteve të ardhshme.
Do të kërkoj bashkëpunime me të gjithë. Ashtu siç e provoi ky projekt, kur
focat politike bashkëpunojnë, kur kryetari i Bashkisë nuk fle gjumë, kur
njerëzit nuk merren me llafe, por fokusohen te puna, gjërat ecin mirë për
qytetin tonë. Ky ka qenë një vit fanstastik për Tiranën, por më e mira është
përpara”, tha Veliaj.

 

Për ndërtimin e
Unazës së Vogël, brenda një kohe të shkurtër u bë e mundur shembja dhe
shpronësimi i pronarëve që prekeshin nga ndërtimi i këtij segmenti, si dhe u
zhvendos nënstacioni elektrik që ishte kthyer në një problem prej vitesh edhe
për banorët që jetonin aty pranë. Gjithashtu, përveç ndërtimit të segmentit dhe
të kanalizimeve, u zhvillua infrastruktura nëntokësore dhe mbitokësore.
Sakaq,
OSHEE nga ana e saj bëri të mundur përfundimin e zhvendosjes dhe lidhjes së
fidrave në Nënstacionin elektrik në qendër më shpejt se sa ishte parashikuar në
kontratë, data 15 dhjetor, duke e mbyllur të gjithë procesin në datë 26 nëntor.