Hapet për turistët ishulli i Sazanit, mirëpret vizitorët e parë

651
Ishulli i Sazanit është tashmë pjesë e guidave turistike, duke u hapur për turistët. Ishulli ndodhet rreth 30 larg me varkë nga pika më e afërt e bregut të detit.
Sazani ka një të kaluar misterioze, pasi më parë është përdorur nga sovjetikët si bazë ushtarake, ku dyshohet se mbanin dhe armë kimike. Kjo gjë e pati bërë ishullin të pabanuar dhe me ajër të ndotur. Sazani, që dikur njihej me emrin Saseno, ishte projektuar për t’i bërë rezistencë dhe sulmit nuklear.
Por, tani Shqipëria shpreson ta kthejë në një pikë tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.
Dita e shtunë shënoi ditën e parë zyrtare për Sazanin, si destinacion i rëndësishëm turistik, ku një grup prej rreth 130 turistësh nga vendi, vizituan ishullin.
Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e cila do të jetë përgjegjëse për administrimin e ishullit gjatë sezonit turistik, së bashku me forcat ushtarake që do të jenë prezent, ka raportuar se gjatë ditës së diel mbi 140 turistë nga Shqipëria, Kosova dhe të huaj kanë zhvilluar tur në ishull, shoqëruar nga guidat turistike.
Nga 25 korriku, ishulli është i hapur përgjatë gjithë sezonit turistik për këdo që ka kuriozitet ta vizitojë atë.
“Për vizitorët e huaj kjo do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për të kuptuar sa do pak Shqipërinë e luftës së ftohtë, por dhe për të parë natyrën e mrekullueshme që ka Sazani”, shprehet Tare.
​Sipas Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, të ardhurat e mbledhura do të përdoren vetëm për Ishullin e Sazanit, për menaxhimin e zonës, për hapjen e qendrës së vizitorëve dhe për qendrën kërkimore shkencore që synohet të ngrihet.
“Të gjitha të ardhurat do t’i dedikohen vetëm ishullit, ku pastaj këto të ardhura do të përdoren për restaurimin, për hapjen e qendrës së vizitorëve dhe për qendrën kërkimore shkencore që ne duam të themelojmë këtu dhe për menaxhimin e zonës”, shprehet kreu i AKB-së.
sazaniPër më shumë se gjysmë shekulli, Sazani ishte një ishull enigmatik. Operacionet ushtarake që kryheshin atje magjepsën publikun gjatë Luftës së Ftohtë.
Rreth viteve 1910, Italia mori në zotërim ishullin me marrëveshje që ndante Shqipërinë mes Greqisë dhe Italisë.
Sazani u përdor nga italianët si bazë ushtarake deri sa komunistët e rimorën.
Në librin “The Cold War: A History”, thuhet se Bashkimi Sovjetik i fali Shqipërisë borxhet në shkëmbim të përdorimit të Sazanit, pak vite pasi në pushtet erdhën komunistët.
Britanikët dhe amerikanët e kanë vëzhguar nga afër aktivitetin e sovjetikëve në ishull për shumë vite.
Departamenti Amerikan i Shtetit shkruante në vitin 1951 se Sazani ishte përdorur nga Italia si bazë për nëndetëse dhe se kishte dyshime se Sovjektikët po përpiqeshin të rindërtonin bazë për të njëjtin funksion.
Në vitin 1957, një gazetë e vogël amerikane shkruante se, ekspertët po mbikëqyrin mbërritjen e anijeve sovjetike në portet e Shqipërisë, pasi Rusia e kishte kthyer vendin në një bazë për t’iu kundërpërgjigjur SHBA-ve.
Në vitin 1961, shtypi shkruante se Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria ndërprenë marrëdhëniet dhe se anijet sovjetike ishin larguar nga ishulli.
Ishulli që dikur ishte bazë e 3 mijë trupave ushtarake, në vitin 2010 u shpall park i mbrojtur.
Aty qëndrojnë vetëm dy marinarë, të cilët kanë si detyrë të kontrollojnë aktivitet të paligjshëm mes Shqipërisë dhe Italisë.
Para vitit 2010, ishulli përdorej si vend për stërvitje dhe operacione ushtarake.
Është e paqartë nëse Sovjetikët vërtetë krijuan armë kimike dhe biologjike në Sazan, por me shumë mundësi kjo është thjeshtë një legjendë. 
Sigal