Hapet paraburgimi në Berat, Naço: Trajtimi, konform ligjit!

652
Sigal

BERAT:- Një investim prej 4 milionë euro, i akorduar nga fondet IPA të Bashkimit Europian bëri të mundur ndërtimin e institucionit të paraburgimit në qytetin e Beratit, i cili është inauguruar sot. Ndërkohë që investimi nga Ministria e Drejtësisë prej 782 mijë euro është përdorur për pajisjen e objektit me sistem ngrohje, ftohje, sistem elektrik, hidraulik, ndërkohë që me një tjetër fond prej 96.8 milionë lekë u investua për rrugën hyrëse drejt këtij institucioni dhe skarpatet mbrojtëse. Për të inauguruar këtë institucion të rëndësishëm ishin të pranishëm zv/ambasadori i delegacionit të BE-së, Yngve Engstrom, ministri i Drejtësisë Nasip Naço, dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto. “Hapja e një institucioni të ri të ekzekutimit të vendimeve penale shkon paralelisht me frymën e reformës në sistemin e drejtësisë. Gjithashtu, është edhe në përputhje me vizionin e një drejtësie penale jo vetëm korrektuese, por edhe respektuese ndaj qenieve njerëzore. Procesi i ri integrimit për personat në konflikt me ligjin nis që nga momenti i hyrjes së tyre në këto institucione e vijon me mënyrën e trajtimit konform ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Ndryshimi nga bota jashtë në botën brenda këtyre mureve duhet të jetë sa më i vogël, në të kundërt ai mund të lërë pasoja të parikthyeshme. Për këtë arsye, u shpreh ai, ne dëshirojmë që të burgosurit të ndihen qytetarë dinjitozë edhe brenda mureve, aty ku janë të privuar nga liria, por jo nga të drejtat themelore. Kjo me qëllim që ata të rikthehen në shoqërinë tonë të rehabilituar dhe me vlera njerëzore të pacënuara”, tha ministri Naço. Së shpejti, pritet të inaugurohet edhe burgu i Fierit, me një kapacitet prej 780 personash dhe me kushte optimale, ndërkohë që është në ndërtim burgu i Shkodrës me një kapacitet prej 740 personash. Paraburgimi i Beratit ka një kapacitet prej 116 personash. Investimi i tij kap shifrën e rreth 4 milionë eurove të mundësuara nga fondet IPA, ndërkohë që duhet theksuar edhe investimi i Ministrisë së Drejtësisë me një buxhet prej rreth 782 mijë euro, ku përfshihen sistemi i ngrohje/ftohjes, sistemi elektrik i paneleve diellore, sistemi hidraulik etj. Gjithashtu, infrastruktura rrugore për të mbërritur në institucion është mundësuar me anë të një financimi prej 96 milion e 800 mijë lekë të rinj, por janë bërë edhe investime për skarpatat mbrojtëse dhe sistemin e përroit pranë IEVP Berat, me një vlerë prej 49 milion e 800 mijë lekë të rinj. Të gjitha investimet e mësipërme ndikojnë në përmirësimin e zonës dhe sigurinë e mbrojtjes së terrenit.