Hapet gara për Rrugën e Arbrit, kosto 250 milionë euro

1536
Nisin procedurat për dhënien me koncesion të segmentit që do të lidh Tiranën me pikën kufitare të Bllatës
Qeveria nisi procedurat për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Arbrit, që parashikohet të kushtojë mbi 250 milionë euro. Rruga që do të lidhë kryeqytetin me kufirin shqiptaro-maqedonas në Bllatë ka një vlerë të parashikuar të projektit në bazë të studimit të fizibilitetit 33,6 miliardë lekë (rreth 250 milionë euro), pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Kontrata e koncesionit do të zgjasë për 13 vjet, ndërsa në prill të këtij viti, qeveria shpërbleu me një bonus sa 10 për qind të pikëve ofertën e pakërkuar të kompanisë “Gjoka Construction”. Ministria e Transportit do të presë ofertat deri më 2 tetor edhe për oferta të tjera dhe më pas do të vendosë për fituesin. 

Rruga në gjurmën ekzistuese nga Tirana deri në Bulqizë është 125 km e gjatë, ndërsa ajo Tiranë-Bllatë është 160 km. Sipas gjurmës së Rrugës së Arbrit, të njëjtat destinacione kanë përkatësisht largësitë 50 km dhe 74.5 km, duke ofruar distanca rreth 2.5 herë më të shkurtra. Po të marrim parasysh edhe mundësitë që ofron gjurma e Rrugës së Arbrit për një alinjament rrugor më të drejtpërdrejt, me më pak kthesa dhe ulje-ngritje, atëherë distancat kohore Tiranë-Bulqizë dhe Tiranë-Bllatë shkurtohen akoma më shumë se 2.5 herë (distanca kohore mund të shkurtohet deri 4 herë në krahasim me atë që ofron sot rruga në përdorim). Ky projekt fillon në një zonë malore në verilindje të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë dhe përfundon në pikën kufitare të Bllatës që lidh Shqipërinë me Dibrën e Maqedonisë.

Rruga e Arbrit është përfunduar plotësisht në 20.12 km, përfunduar pjesërisht në 15.175 km, si dhe ka një projekt ekzistues edhe për 26.372 km. Në total janë 61.667 km të projektuar për gjurmën kryesore, nga të cilët 26.372 km nuk janë prekur me punime ndërtimi. Sipas Studimit të fizibilitetit të hartuar rreth vitit 2005 e gjithë gjurma Tiranë-Bllatë sipas këtij varianti pritet të jetë afërsisht rreth 73.5 km e gjatë, ç’ka do të thotë që afërsisht në total 11.8 km rrugë janë ende të paprojektuar (gjatësi në skajin e lidhjes me Tiranën dhe gjatësi në skajin e lidhjes me Bllatën – pika kufitare).

Tab 1
Në Projekt-Ide, Rruga e Arbrit nga Tirana deri në Bllatë, skematikisht në mënyrë të njëpasnjëshme është e ndarë në 8 segmente:
Segmenti 1, fillon në dalje të Tiranës, aty ku mbaron rruga ekzistuese dhe përfundon tek Ura e Brarit, aty ku kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës. Gjatësia e tij është 1.153 km.
Segmeni 2 : Ura e Brarit – Zall Bastar, me gjatësi 5.46 km.
Segmenti 3: Zall Bastar – Dalja e Urës së Vashës, me gjatësi 23.188 km.
Segmenti 4: Dalja e Urës së Vashës – Bulqizë, me gjatësi 9.715 km.
Segmenti 5: Bulqizë-Ura e Çerenecit, me gjatësi 20.12 km, i përfunduar në vitin 2009 dhe 2011. Nuk është pjesë e Projekt-Idesë.
Segmeni 6: Sipas studim-projektim që lidh Urën e Çerenecit me rrugën Maqellarë-Pika kufitare Bllatë. Gjatësia e tij është 9.111 km.
Segmenti 7: Për të plotësuar nevojat e trafikut të ardhshëm, rruga ekzistuese Maqellarë-Pika kufitare Bllatë duhet të rikonstruktohet në standardin e një rruge urbane për shpërndarjen e të tërë trafikut të Rrugës së Arbërit në drejtim të Peshkopisë (Maqellarë) dhe Maqedonisë (Pika kufitare Bllatë).
Segmenti 8: Është degëzimi Dalje Ura e Vashës – Klos me gjatësi 3.092 km.
Tab 2
Objektivi kryesor i Koncesionit është përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit, sipas parimit të “Projektit me Çelësa në dorë”. Kushtet thelbësore të koncesionit përfshijnë:
1 – Objekti i koncesionit/projektit PPP: Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit.
2 -Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit/PPP: 13 vjet.
3 – Aktivitetet për t’u kryer nga koncesionari: Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit sipas standardeve të miratuara nga Autoriteti Kontraktues.
4 – Burimet e të ardhurave të Koncesionarit: një pagesë disponueshmërie vjetore e pagueshme nga Autoriteti Kontraktues për Koncesionarin, niveli i së cilës do të përcaktohet në ofertën e paraqitur nga konkurentët.
Sigal