Hapet gara për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, afat deri më 31 maj

152
Qeveria ka çelur fazën e parakualifikimit për kompanitë që do të jenë të interesuara të zbatojnë projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, si dhe ndërtimin e lidhjes së re Tiranë-Rinas. Referuar dokumentit të shpallur nga Hekurudha Shqiptare, afati për paraqitjen e dokumenteve për fazën e parakualifikimit është 31 maj 2018. Në dokument thuhet se linja Tiranë-Durrës është ajo me volumin më të lartë të trafikut për sa i përket rrjetit hekurudhor, duke mundësuar rilidhjen e kryeqytetit të vendit me Durrësin, portin më të madh në vend. Në përgjithësi, linja hekurudhore shtrihet në zonë të sheshtë dhe më pak kodrinore, kryesisht në Vorë dhe Rrashbull, por në përgjithësi paraqitet me karakteristika gjeometrike të lehta. Linja e re hekurudhore, që do të lidhë aeroportin me Tiranën nis në kilometrin 27 të linjës Tiranë-Durrës dhe shkon shumë afër aeroportit, duke nënkuptuar se aty do të kemi një stacion. Kontrata përfshin një seri punimesh, të cilat përshkruhen të gjitha të detajuara në shpalljen e bërë nga ana e Hekurudhës Shqiptare. Ndërtimi duhet të bëhet 30 muaj nga nënshkrimi i kontratës. Kostoja totale e projektit llogaritet në 90.5 milionë euro, nga të cilat 36.9 milionë euro janë siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe një grant nga Bashkimi Evropian me 35.4 milionë lekë. Vlera e TVSH-së dhe kostot lokale parashikohen që të mbulohen nga qeveria. Në fazën e ndërtimit të projektit priten të angazhohen rreth 1,375 punonjës direkt dhe indirekt, ndërsa gjatë fazës së operimit, numri do të arrijë në rreth 2,200. Është përllogaritur edhe vlera e kursimit nga qytetarët, që do të jenë në nivel 55 milionë euro në vit.