Hapësirat e reja të çështjes shqiptare të Çamërisë

578
Dy autorë britanikë, Miranda Vickerse dhe James Pettifer, këta dy miq të shquar, i bëjnë një analizë të thellë, madje na japin dhe rrugën e zgjidhjes që duhet të ndjekim, gjë që për fat të keq nuk e bëjnë si duhet shqiptarët për dekada me radhë, për një çështje kaq të rëndësishme siç është ajo e shqiptarëve të Çamërisë. Kam mendimin se kjo duhet trajtuar me termin “Shqiptarët e Çamërisë”, sepse para se të jetë çam apo kosovar e të tjera, në radhë të parë është shqiptar dhe ne nuk duhet t’i ndajmë, sepse e dimë mirë se Europa në 1913 na ndau në disa shtete. Nga studimet që kam bërë disa vite me radhë në AQSH dhe atë të MPJ të Shqipërisë, kam hasur në shumë dokumente që konfirmojnë se në shtetin grek kanë pasuri të patundshme, jo vetëm shqiptarët e Çamërisë të dëbuar nga trojet e tyre, por edhe mbi 2000 shqiptarë të tjerë duke filluar nga Konispoli, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena, Lushnja, Berati e deri në Ersekë. Pra kam gjetur edhe shumë shqiptarë të tjerë që kanë prona në vendet e tjera si në Francë, Turqi, SHBA etj. Kjo bëri që t’i përkushtohem të drejtave të shqiptarëve kudo në botë, ndaj për këtë qëllim, kam krijuar edhe shoqatën me të njëjtën emër, që, veç problemeve të tjera, në themel të programit ka edhe atë të pronave. Si shoqatë, ne jemi referuar disa dokumenteve ndërkombëtare si: Traktatit të Serves, 10 gusht 1920; Traktatit të Paqes në Paris, 20 nëntor 1947; Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, përfshi këtu edhe “Protokollin e Parë” të Këshillit të Europës. 
Kushtetuta greke dhe ligji kadastral
Duke u ndalur në studimin e këtyre dokumenteve, por edhe në Konventën e Lusanës, 1923, në veçanti kemi studiuar me kujdes Kushtetutën Greke, Ligjin Kadastral dhe vendimet e njëpasnjëshme të Qeverisë Greke. Fillimisht vlerësoj qëndrimin e qeverisë shqiptare për zgjerimin e bashkëpunimit me shtetet fqinje si Italinë, Maqedoninë, Serbinë edhe më tej si partner i rëndësishëm, edhe Turqinë, që siç e dimë jetojnë me mijëra shqiptarë. Dy miqtë anglezë, ndër të tjera theksojnë se “…Qeveria e re ka të ngjarë që të shihet si një forcë e moderuar dhe pro- europiane në Athinë dhe në këtë kontekst prioritet kryesor do të jetë organizimi i një konference të madhe ndërkombëtare diplomatike për shqiptarët e Çamërisë për të ecur përpara drejt zgjidhjes së kësaj çështje të vjetër ballkanike…”. Mbas ardhjes së koalicionit të majtë në pushtet, vendin tonë e kanë vizituar Ministri i Jashtëm e më pas Presidenti i Greqisë. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte çështja e shqiptarëve të Çamërisë dhe Ligji i Luftës, që Ministri ynë i Jashtëm e kishte kryefjalë të bisedave me dy personalitete të larta greke. Pa harruar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e marrëveshjes së detit me Greqinë. Më pas vizitoi vendin tonë edhe kryeparlamentari grek, ku padyshim homologu i tij shqiptar Ilir Meta i ka ngritur këto çështje. Për sa i përket Traktatit të Miqësisë midis Greqisë dhe Shqipërisë, ne jemi me një mendje me atë çfarë shkruajnë dy miqtë anglezë: “…Traktati i Miqësisë lë jashtë çdo referencë të gjendjes të Ligjit të Luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me zgjidhjen e çështjes të shqiptarëve çamë. Sipas ligjit, Shqipëria e Greqia janë ende teknikisht në luftë…”. Këtu shtrohen disa pyetje ku ndër më kryesoret do të nënvizoj: Si mundet që dy vende të NATO-s janë në gjendje lufte, si mundet që qeveria “Berisha” të bëjë një “Traktat Miqësie” me një shtet që ligjërisht mban gjendjen e luftës me Shqipërinë? A mund të pranohet marrëveshja Berisha- Basha që i dhanë Greqisë detin, pra shitën interesat e shqiptarëve, ashtu si idhulli i tyre Ahmet Zogu? 

Konservimi i pasurive
Duke u ndalur shkurtimisht mbi këto probleme madhore do të argumentoj me fakte konkrete rrjedhën e këtyre ngjarjeve. Objekti i ligjit grek: nr. 2636 viti 1940 nuk ishte ai i privimit te shtetasve shqiptare nga e drejta për të zotëruar pasuritë e tyre, por ngrirja për nevojat e Luftës së Dytë Botërore, duke mos qenë as reprazalie dhe as konfiskime, akte juridike këto të ndaluara edhe nga Kushtetuta Greke, ku në nenin 7 paragrafi 3- ndalon konfiskimin total. Pra, objektivi i Greqisë ka qenë që mos të lejonte përdorimin e këtyre pasurive derisa të mbaronte lufta, vetëm sa te zgjaste ajo… Por pas luftës gjithçka është arbitrare. Edhe Vendimi i Këshillit të Shtetit SE-2727, viti 1976 e konsideronte normale rikthimin e pasurive të shqiptarëve me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, me fundin e konsiderimit të Shqipërisë si shtet armik, problem ky që është anashkaluar nga shteti grek. Në AQSH dhe atë të MPJ të Shqipërisë ka dokumente të rëndësishme ku përshkruhen negociatat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe shfuqizimin e gjendjes së luftës midis dy vendeve. Kryeministri grek Karamanlis më 16 tetor 2008 duke u ndalur në lidhje me hipotekimin e pronave në Greqi, ndër të tjera theksonte: “…Një shqiptar për të nisur procedurat për kthimin e pronës në Greqi për të cilën pretendon se është pronari i saj, në radhë të parë duhet të hapë një çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë ku kjo pronë ndodhet e regjistruar dhe sipas tij vihet kusht që pretenduesi të përfaqësohet nga një avokat grek”. Aktualisht është ende në fuqi vendimi i vitit 1986 i Qeverisë Papandreu që ka shtyrë për një afat 40 vjeçar, pra deri në vitin 2026, tjetërsimin e pronave të shqiptarëve në Greqi si pasojë e mosinteresimit për to. Por në të dy këto raste nuk përmendet termi shqiptar çam, pra anashkalohet qëllimisht nga autoritet greke. Një rrugë tjetër e shtrimit të këtij problemi, gjithnjë sipas autoriteteve greke, do të ishte edhe kërkesa me shkrim pranë Zyrave Kadastrale nga pronari i ligjshëm, parashikuar kjo edhe në nenin 6 të ligjit kadastral grek e nëse do të ketë kundërshtime atëherë sipas nenit 7 Gjykata e Shkallës së Parë e kanë kompetence për të njohur në mënyrë të parevokueshme pronarin, fakt ky që nuk po ndodh aktualisht. Pronari i ligjshëm mund t’i drejtohet edhe Komitetit të Paktit për të Drejtat Civile dhe Politike, për diskriminimin politik që i bëhet personave të ligjshëm (neni parë i Protokollit të KEDNJ), gjithnjë kur jemi në kushtet e diskriminimit dhe të cenimit të vazhdueshëm të të drejtës së pronës. Aktualisht këto prona janë objekt i rasteve të diskriminimit (neni 26 PDCP) neni i parë dhe neni 14 i Protokollit të KEDNJ. 

Pranimi dhe kompensimi i minoriteteve
Në nenin 3 të Traktatit të Serves – 10 gusht 1920, Greqia ka pranuar se në përbërje të saj veç qytetarëve grekë ka edhe qytetarë bullgarë, turq, shqiptarë, italianë, francezë, gjermanë, që i përkasin Greqisë,nga 1 janari 1913, por në vitet 1925-1927 shteti Grek në emër të Reformës Agrare shpërbleu shtetasit e mësipërm që kishin prona në Greqi, kurse një gjë të tillë nuk e bëri për shqiptarët. Pra, edhe sot e kësaj dite ndiqet e njëjta politike për shqiptarët në tërësi dhe shqiptarët çamë në veçanti. Konventa e LUSANËS midis Greqisë dhe Turqisë për shkëmbimin e popullsisë në 1913 e detyroi ish kryeministrin grek Pangallos që në 1926 të deklaronte para OKB se e njihte minoritetin shqiptar, por qe edhe pas kësaj gjendja ndaj tyre mbetet ajo e detyrimit për t’u shpërngulur në Turqi dhe në vitet 1944- 1945 i dëboi përfundimisht duke i braktisur përgjithmonë trojet e tyre. Madje në 1972-1982 qeveria greke nxori një ligj që i lejohet çdo shtetasi grek i përzënë të rikthehej dhe të rimerrte pronat dhe çdo kompensimin, por nga ky ligj u përjashtuan çamët. Në përfundim të gjendjes së luftës duhet që nga shteti grek të zbatoheshin përfundimet e Traktatit të Paqes së Parisit më 28 Nëntor 1947, ku konfirmohet se shqiptarët ishin në krahun e LANÇ gjatë Luftës II Botërore. Mjafton të përmendim këtu se çeta e parë partizane “Çamëria” krijuar në shkurt 1943 dhe më 10 tetor 1943 edhe batalioni “Çamëria” nga patriotët çamë në zonën Filat e Janinë në Greqi dhe Konispol ku janë shtatë fshatra që përbëjnë krahinën e Çamërisë në Jug të vendit tonë. Këto njësi partizane u krijuan nga Ali Demi, Taho Sejko, Rexhep Çami, Dervish Dojaka, Hilmi Seiti, por edhe ato në territorin grek me patriotët Kasem -Tahir­ Vehip e Musa Demi, Osman e Rexho Plaku, Abaz Rurnani, Mufil Elmazi, Duro e Xhevdet Idrizi, Elmaz e Xhevdet Maze, Shero Ibrahimi etj. që me armë në dorë bënë sakrificën më sublime e ndër ta, kanë dhënë jetën pjesëtarë të këtyre njësive partizane, ku në krye prin figura e ndritur e “Heroit të Popullit” Ali Demi nga Filati.              Abdyl Iljazi 
Sigal