Hapen sot dyert e burgjeve

584
Sigal

 Nis zbatimi i amnistisë, lirohen rreth 900 të dënuar

Sot nis zbatimi i ligjit për dhënie amnistie, prej të cilit është përllogaritur se fitojnë lirimin e menjëhershëm rreth 900 të dënuar dhe të paraburgosur. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Burgjeve “me datë 10 prill 2014 nis zbatimi i Ligjit Nr. 22/2014 “Për Dhënie Amnistie”, i cili hyri në fuqi dy javë pas botimit në Fletoren Zyrtare Nr. 38, datë 26 Mars 2014”. “Përfitimi nga ky ligj është tërësor, ose i pjesshëm. Nga zbatimi i tij është përllogaritur, se fitojnë lirimin e menjëhershëm rreth 900 të dënuar dhe të paraburgosur. Ndërsa ulje dënimi përfitojnë të gjithë të dënuarit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale”, thuhet në njoftim. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar zbatimin pa probleme dhe mbarëvajtjen e këtij procesi në të gjitha IEVP-të e vendit”, përfundon njoftimi.

Kategoritë që përfitojnë

 Amnistia është një akt që lehtëson të dënuarit, kryesisht të miturit dhe vajzat

Janë disa kategori të reja që do të përfitojnë nga falja e përgjithshme. Konkretisht, masa më e madhe është për ata persona që janë dënuar deri në 3 vjet ose ajo kategori personash që i kanë mbetur 3 vite dënim, por që nuk kanë kryer vepra penale që cilësohen si krime të rënda.

Gama e faljes u shtri edhe tek mosha e të burgosurve. Konkretisht, gratë e burgosura të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj kanë mbushur moshën 50 vjeç dhe burrat që mbushin 60 vjeç do të përfitojnë nga amnistia, pasi sipas ligjvënësve, rrezikshmëria e tyre është tejet e ulët.

Veç kësaj, është përcaktuar falja me 1 vit e gjysmë të dënimit të grave dhe të miturve, vetëm në rast nëse ata nuk kanë kryer vepra të rënda penale. Pra, nëse këto dy kategori janë dënuar për vepra penale të cilat nuk karakterizohen si krime të rënda dhe kanë për të bërë më shumë se sa tri vite burg, atyre i ulet automatikisht një vit e gjysmë nga dënimi. Aspekti tjetër  i amnistisë ishte dhe fakti se nga kjo do të përfitojnë edhe një shtresë e të dënuarve që e kanë marrë këtë vendim nga gjykata edhe për krime të rënda.

Është parashikuar që nga amnistia të përfitojnë edhe ato persona që kanë kryer 9/10 të dënimit, pavarësisht se mund të jenë të dënuar për vrasje. Nëse një person është dënuar me 15 vjet për vrasje dhe ka kryer 9/10 e dënimit do të lirohet nga hyrja në fuqi e amnistisë, pasi sipas ligjvënëse të Komisionit të Ligjeve, ata e kanë marrë ndëshkimin nga ligji.

 Udhëzimi për prokurorët

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka nxjerrë në mars Udhëzimin për Zbatimin e Ligjit “Për Dhënie Amnistie”. Në kuadër të këtij udhëzimi, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi nga të gjitha strukturat e prokurorisë që të evidentonin rastet kur përfitohet nga ligji “Për Amnistinë” (nr.22/2014), miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe dekretuar nga Presidenti i Republikës. Ky udhëzim është nxjerrë për faktin që, sapo të hyjë në fuqi ky ligj, nga ana e Prokurorisë të jetë përgatitur materiali përkatës për t’i ofruar përfitimin ligjor në një kohë sa më të shpejtë të gjithë shtetasve që përfshihen nga amnistia. Zbatimi i këtij udhëzimi fillon me hyrjen në fuqi të ligjit nr.22/2014 “Për dhënie Amnistie”, pra sot. Sipas këtij udhëzimi drejtuesit e Prokurorive të shkallës së parë dhe të Apelit, brenda 1 (një) muaji nga dita e hyrjes në fuqi të amnistisë të informojnë Drejtorinë e Studimeve, Kërkimeve dhe Integrimit në Prokurorinë e Përgjithshme, për numrin e procedimeve të mosfilluara dhe të personave që përfshihen në to, për numrin e çështjeve të pushuara dhe të personave nën hetim, apo të pandehur që kanë përfituar nga amnistia, në fazën e hetimeve paraprake dhe në fazën e gjykimit, si dhe për numrin e personave të dënuar (në fazën e ekzekutimit) që kanë përfituar nga kjo amnisti, duke specifikuar numrin e personave të paraburgosur dhe/ose të dënuar.

-Pika 1 e udhëzimit thotë se “Prokurorët të vendosin, pushimin e çështjeve penale për procedimet e regjistruara që janë në ndjekje në hetimet paraprake dhe -mosfillimin e procedimeve penale për kallëzimet që ndodhen në prokurori ose në seksionet/shërbimet e policisë gjyqësore, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për vepra penale të kryera deri në datën 31 dhjetor 2013, për të cilat Kodi Penal, Kodi Penal Ushtarak ose dispozita penale në ligje të veçanta, parashikojnë një dënim në maksimum burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë, me përjashtim të veprave penale që parashikon pika 2 e nenit 6 të ligjit “Për dhënie Amnistie”. Kjo zgjidhje ligjore t’iu jepet edhe procedimeve penale të pezulluara për vepra penale që përfitojnë nga amnistia, që ndodhen në prokurori dhe/ose në shërbimet e policisë gjyqësore të çdo strukture, duke vendosur më parë rifillimin e hetimeve të pezulluara”.

-Ndërsa në pikën 3 të këtij udhëzimi përjashtohen nga përfitimi i menjëhershëm nga amnistia “Në rastet, kur nga të dhënat që ndodhen, në aktet e kallëzimit, ngjarjes, referimit apo ankimit të dëmtuarit ose në aktet e hetimeve paraprake në ndjekje, nuk mund të konkludohet për cilësimin ligjor – nëse ndodheni ose jo para veprës penale të amnistuar – duhet të vazhdojë kryerja e hetimeve të nevojshme, për të provuar faktin penal dhe për të bërë cilësimin e drejtë juridik të veprës penale. Në këto raste, kur vepra penale është amnistuar, në përfundim të hetimeve, të vendoset për mënyrën e zgjidhjes ligjore të çështjes, duke proceduar si në pikat 1 e 2 të këtij udhëzimi”.

-Ndërsa udhëzohen “Prokurorët, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore, Zyrat Përmbarimore dhe Zyrat Vendore të Shërbimit të Provës, të ngarkuara/urdhëruara për ekzekutimin e vendimeve penale, të verifikojnë dhe evidentojnë urdhërat e ekzekutimit të pazbatuar, për të gjithë kategoritë e personave të dënuar me burgim, me gjobë, me kusht apo me dënime të tjera alternative të dënimit me burgim, që përfitojnë sipas nenit 3 në lidhje me nenin 6 të ligjit “Për dhënie Amnistie”, si dhe bazuar në nenin 463/1 e 2 të K. Pr. Penale, nenet 12, 20 e 28 të ligjit “Për ekzekutimin e vendimeve penale” dhe në këtë amnisti, të vendosin shfuqizimin e urdhërave të ekzekutimit, duke bërë njoftimet e organeve përkatëse dhe personat e interesuar”.

Drenovë & Vlorë: Dalin 94 persona, përfitojnë ulje 200 të tjerë

 Rreth 88 te burgosur të burgut të Drenovës dhe 5 të dënuar në dhomat e paraburgimi në qytetin e Vlorë, do te fitojne lirine nga amnistia. Ndërsa 200 të burgosur të tjerë, të dënuar me masa dënimi deri në 5 vjet, do të përfitojnë 1 vit ulje dënimi. Personat që përfitojnë janë ata të dënuarit deri në 3 vjet, ose ajo kategori personash që i kanë mbetur 3 vite dënim, por që nuk kanë kryer vepra penale që cilësohen si krime të rënda. Falja prek edhe të burgosurit e moshuar. Gratë e burgosura të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj kanë mbushur moshën 50-vjeç dhe burrat që mbushin 60-vjeç do të përfitojnë nga amnistia, pasi rrezikshmëria e tyre është tejet e ulët.