Halit Çopa.i vëllai i oficerit të SHIKUT: E dija që nuk ishte vetëvrasje

695
Sigal

Çështja e Isa Çopës kalon te Krimet e Rënda. Prokurori i Përgjithshëm, Llalla: “Do të hetohet në linjën e një vrasjeje”

Me 24 tetor të vitit 2011 në qytetin e Durrësit është gjendur i vrarë oficeri i shërbimit informative të Durrësit Isa Copa. Nga dita e vrasjes deri tashti kjo është cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje dhe është trajtuar nga Prokuroria e Durrësit. Pak ditë pas vrasjes, drejtuesi i mjekësisë ligjore Besim Ymaj kishte pohuar për mediat se, eksperteve iu duhen edhe disa ditë deri në kryerjen e plotë të ekzaminimeve, për të dalë në një konkluzion përfundimtar javën tjetër. Ky raport pritej të hidhte dritë mbi dilemën nëse agjenti Isa Çopa nga Durrësi, i gjetur i vdekur brenda në makinën e tij në një zonë të braktisur pranë Currilave, është vrarë me goditje të fortë pas koke, apo është vetëvrare. Edhe Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar zyrtarisht se të dyja pistat mbeten të hapura deri në mbledhjen e provave të pakundërshtueshme që do të rrëzojnë përfundimisht njërin prej varianteve. Ndërkohe, burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, rrëzimi i vetëvrasjes me armë zjarri ka shtuar dyshimet për një ekzekutim të mirë menduar. Oficeri Çopa rezulton të këtë një goditje të fortë në kokë, por nuk dihet ende nëse ajo është shkaktuar nga një person tjetër apo nga përplasja e kokës pas derës së makinës, kur ajo ishte e përfshirë nga flakët. Edhe dërgimi i mesazhit telefonik për djalin e viktimës si dhe zjarri dyshohet se, janë vënë për të humbur gjurmët e për të fituar kohë. Sipas drejtuesit të mjekësisë ligjore z.Ymajt dhe certifikatës së vdekjes të firmuar nga mjekët ligjorë përkatës (dy mjekë), të cilën po e sjellim ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, ku jepen dy shkaqe vdekjeje, njëra nga vdekja me djegie ndërsa shkaku tjetër goditja në kokë me çarje kafke në zonën e njohur si rrethi i kapelës. Kodet e vdekjes janë për djegien E 940, ndërsa për shkakun e vdekjes nga varja e kafkës E 803. Sipas ekspertëve profesionistë vetëm nga kjo është plotësisht e besueshme se oficeri i SHISH-it është vrarë. Kolegë të oficerit të vrarë thanë në vendngjarje se kjo është një vrasje klasike e maskuar si vetëvrasje.

Dokumenti i vdekjes

Pas varrimit të oficerit Copa, i vëllai i tij Haliti, është paraqitur në zyrat e Gjendjes Civile të Qendrës Administrative nr. 2, të cilat ndodhen në lagjen nr. 6 të qytetit të Durrësit për të bërë veprimet e çregjistrimit të viktimës nga dokumentacioni, sipas praktikës normale në raste të tilla. Në qendrën administrative nuk i kanë mbaruar punë shpejt për shkak se dokumenti i dhënë nga mjekët ligjore nuk kishte të plotësuar as emrin dhe as vendin, se ku ka ndodhur vdekja. Si dhe po e paraqesim për lexuesit tani. Por ky dokument i nënshkruar nga të dy ekspertët mjeko ligjore dhe i vulosur prej tyre, i cili është plotësuar pak me vonë, theksonte se viktima ka dy shkaqe vdekjeje që e sqaruam më lartë. Sipas dokumentit koha e aksidentit ose e vrasjes ka qenë 19:00 ditën e hënë në muajin tetor të vitit 2011.

Kontradiktat

Disa kohë me parë u deklarua në shtyp se kishin ardhur analizat, pas një viti nga Gjermania. Më pas pati disa kundërthënie sikur ka pasur problem me analizat e bëra për shkak se pala gjermane nuk kishte ekspertë të gjuhës. Kjo ngjalli pak çudi pasi dihet se ekspertët analizojnë objektet e dërguara dhe jo fjalët shoqëruese të shkruara.

Deklarata

Ditën e hënë u bë me dije se Prokuroria e Përgjithshme i delegon për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të rënda ngjarjen për hetimin e rastit të gjetjes së vdekur të ish-shefit të Kundërzbulimit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Isa Çopa. Pas hetimeve në Prokurorinë e Durrësit, nga ana e prokurorëve Sokol Nishani dhe Enkeleda Xhengo, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka zhvilluar një mbledhje pak ditë më parë për të analizuar këtë ngjarje jo vetëm me përfaqësues të organit të hetimit, por edhe zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ku është konkluduar se kjo ngjarje tashmë do të hetohet në linjën e një vrasjeje për shkak të detyrës të 49-vjeçarit.

Fakte që rrëzojnë pistën e vetëvrasjes

Duke parë me kujdes skedën e vdekjes së oficerit të lartë të SHISH-it vetvetiu përforcohen dyshimet se bëhet fjalë për një ekzekutim. Pas eksperteve mjeko-ligjore, për herë të parë edhe zyrtarë të lartë të Shërbimit Sekret konfirmojnë pistën e vrasjes, ndonëse zyrtarisht ka qenë nën hetim edhe pista e vetëvrasjes. Deri tani ekziston i publikuar zyrtarisht  vetëm dokumenti i skedës së vdekjes së Çopës, i lëshuar nga mjeket ligjore. Skeda e vdekjes se oficerit, që disponohej nga familjaret e të ndjerit dhe më pas nga zyrat e Gjendjes Civile, bën me dije, siç theksuam se, ngjarja ka ndodhur në orën 19:00 të datës 24 tetor, pra vetëm 45 minuta pasi Oficeri i Kundërzbulimit Çopa, ka dalë për herë të fundit nga zyra e tij dhe gjysmë ore para se i biri të merrte një mesazh lamtumire nga telefoni i babait. Duke u nisur nga vendi, ku ai ka pasur dëmtimet në kokë, mësohet se dëmtimi nuk është shkaktuar nga përplasja me timonin apo me derën, gjatë agonisë nga djegia. Specialistët, kanë pohuar se e çara në kokë është në pjesën e sipërme të kokës, e ashtuquajtur, rrethi i kapelës, dëmtime të cilat sipas tyre janë gjithmonë të qëllimshme.

Halit Çopa: “Nuk  e kisha humbur besimin te drejtësia”

I vëllai i oficerit të vrarë, Halit Çopa, në një prononcim për gazetën “Telegraf” foli rreth kalimit të hetimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në drejtim të vrasjes dhe jo të vetëvrasjes së Isa Copës, siç është relatuar deri tani. Haliti theksoi se, ai asnjëherë nuk e kishte humbur besimin tek drejtësia dhe shteti. Haliti tha se gjatë gjithë kësaj kohe ishte i sigurt se vëllai i tij, Isai nuk ka pasur asnjë shkak që të kalonte në vetëvrasje. Sipas thënies së Halitit ai ka ndenjur në pritje, sepse drejtësia do të bënte të vetën dhe shteti do ta qetësojë familjen për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë.