Halimi: Burgje private për të dënuarit deri në 5 vjet

481
Sigal

Reforma në burgje, Ambasadori Britanik Cannon mbështetje maksimale për drejtësinë

Gjatë një tryeze të organizuar në kuadër të reformës në sistemin e burgjeve, Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, bëri të ditur se projekti pilot, i bazuar në modelin britanik, do të nisë me ndërtimin e një burgu ku do të vuajnë dënimin 300 të dënuar të sigurisë së ulët, me dënime deri në 5 vjet. Sipas ministrit Halimi, përvoja e huaj ka treguar se në burgjet private ofrohen shërbime rehabilituese që ndihmojnë të burgosurit të riintegrohen në shoqëri pas dënimit, që të mos përbëjnë më potencial për t’u rikthyer në sistemin e burgjeve. “Paketa penale dhe reforma e burgjeve bashkëlidhen për të luftuar me vendosmëri kriminalitetin. Nëse qëndrojmë tek ashpërsimi i dënimit, burgjet do të tejmbusheshin, dhe do të ishte një kosto për buxhetin e shtetit. Ndaj u propozua privatizimi i burgjeve. Ne duam që sistemin e burgjeve ta fokusojmë vetëm në ato raste për ata të dënuar që kanë vetëm 5 vjet dënim. Tendenca e sistemeve të sotme perëndimore është të privatizohen shërbimet bazë. Ne synojmë të ndërtojmë një burg privat me rreth 300 të dënuar deri në 5 vjet”,- deklaroi mes të tjerash ministri Halimi. I pranishëm në tryezë ishte edhe ambasadori britanik në vendin tonë, i cili shprehu rëndësinë që kostot e burgjeve të menaxhohen paralelisht me ruajtjen e standardeve. “Në një shoqëri utopike nuk do të ekzistonin burgjet, por në realitet ekziston nevoja e mbrojtjes nga krimi. Mbyllja e individëve në burgje kushton, prandaj është e rëndësishme që të bëjë të mundur që në burgje të shkojnë vetëm ata që e meritojnë. Është e rëndësishme që të menaxhohen kostot e burgimit paralelisht me ruajtjen e standardeve. Në këtë rast mund të shërbejnë burgjet private. Për mua kjo tryezë e rrumbullakët është pjesë e marrëdhënies në zhvillim midis Shqipërisë dhe Britanisë në fushën e drejtësisë”,- u shpreh ambasadori Cannon.