Halil RAMA/ Sot, Gjeneral Parllaku mbush 95 vjeç. Po sot, Presidenti i Republikës Bujar Nishani i jep dekoratën “Nderi i Kombit”

846
Sigal

“Heroi i Popullit”, gjeneral Rrahman Parllaku, një legjendë në kufirin e dy kohëve

Gjeneral Rrahman Parllaku, i vetmi “Hero i Popullit”  i gjallë, që i mbijetoi Luftës së II-të Botërore dhe terrorit komunist sot nderohet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me dekoratën “Nderi i Kombit”.  Sot mbushen 95 vjet nga dita kur në Novosej të Kukësit do të lindte një fëmijë që do të bënte dallim nga të tjerët për zgjuarsinë dhe guximin e tij. Ai ishte Rrahman Latif Parllaku, i cili lindi, u rrit dhe mbeti patriot. Lufta Antifashiste, mbrojtja e vendit, “lufta e bërrylave’, qëndrimi në qeli, Lufta e Kosovës më 1999, krijimtaria publicistike e aktiviteti intensiv ne mbështetje te proceseve demokratike e te shtetit ligjor, e forcuan karakterin e tij.

Nëntëdhjetë e pesë vjet është një kuotë shumë e lartë. Gjeneral Rrahman Parllaku ka meritën se e ka rritur këtë kuotë të lartë, megjithëse i është dashur të përballojë shumë furtuna gjatë jetës dhe ç’është më kryesorja e ka arritur jo i drobitur, por në formë të shkëlqyer fizike dhe mendore, një formë që do ta kishin zili edhe të rinjtë.  Edhe shumë vite të tjera, kështu siç je, vital dhe aktiv!.

Etapat e jetës së gjeneral Parllakut lidhen me zhvillime të rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare, të ushtrisë dhe vendit.

Vetë fakti që z. Parllaku e filloi luftën si komandant i njësiteve guerile në Vlorë dhe e përfundoi si komandant divizioni  në Kosovë, është shumë domethënës. Ai kontribuoi në Luftën Antifashiste dhe pas çlirimit. Në saj të punës dhe përpjekjeve arriti të bëhet një nga drejtuesit e lartë të ushtrisë sonë.  Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë Parllaku u ndesh me skenarët e pro jugosllavëve për bashkimin e shtetit dhe të ushtrisë shqiptare me Jugosllavinë dhe luftoi për shkatërrimin e tyre. Kjo do t’i sillte një kosto që do të reflektohej më vonë në karrierën dhe në jetën e tij…

Parllaku do të ndeshej edhe me ushtarakët dhe udhëheqësit sovjetikë që pas mbledhjes së 81 partive komuniste dhe punëtore të Europës dhe daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës u përpoqën t’ja rrëmbenin Shqipërisë nëndetëset nga Baza e Pashalimanit…  Më së fundi ky gjeneral i famshëm i ushtrisë nacional çlirimtare dhe i ushtrisë shqiptare do të shërbente si kokë turku në luftën për pushtet të Enver Hoxhës për eliminimin e kundërshtarëve të tij politikë në ushtri dhe në qeveri e në parti. Atë e dënojnë me 25 vjet burg si pjesë e të ashtuquajturit grupi puçist në ushtri së bashku me Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon…  Provoi trajtimin e keq në burgun e Burrelit, si shumë ushtarakë të asaj kohe, nuk u ligështua dhe pasi doli nga burgu me fillimin e proceseve demokratike u përfshi për të dhënë ndihmesën e tij nëpërmjet organizatës së veteranëve në interes të atdheut. Pas daljes nga burgu , pas 17 vjetësh, në vitin 1991, pas ardhjes së demokracisë në Shqipërisë, Parllaku vihet në krye të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitin 1999 Parllakun do ta gjejmë në Kosovë, ndonëse në moshë të thyer për të dhënë kontributin e tij në luftën për Kosovën e lirë dhe demokratike…  Duke nderuar Gjeneral Parllakun ne nderojmë të gjithë brezin që bëri luftën antifashiste dhe dërgojmë një mesazh të rëndësishëm dhe të qartë, mesazhin se shteti demokratik vlerëson luftën e drejtë të rinisë dhe të popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë gjatë Luftës së II Botërore, luftë që shprehte një kontribut shumë të madh në raport me popullsinë në aleancën antifashiste, që e renditi vendin tonë në krahun e fitimtarëve.
Sot ne kemi përpara një hero të gjallë, një komandant divizioni të kësaj lufte, komandantin e Divizionit të V Sulmues që luftoi edhe për çlirimin e Kosovës dhe të viseve shqiptare në Ish Jugosllavi.
Sot kemi përpara një gjeneral që u ndesh me gjeneralët e Traktatit të Varshavës për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Bazës Detare të Pashalimanit. Sot kemi përpara një gjeneral, që ndonëse në moshë të thyer shkoi në Kosovë në mbështetje të UCK dhe të veprimeve të NATO-s në Kosovë. Sot ne kemi përpara njeriun kurajoz që në momente të rëndësishme ka mbrojtur me mençuri e trimëri çështjen tonë kombëtare. Ja sa me forcë e ngre dhe e argumenton Gjeneral Parllaku luftën e drejtë të UÇK-së dhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni në bisedë me ministrin e jashtëm anglez Lordin Robertson… Ja pra ky është Gjeneral Rrahman Parllaku, kryetari ynë i OBVL, Organizatës së Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar. Rrahmani sot është 95 vjeç, por kujtimet i ka si 95 ditë më parë. Ai i gëzohet gjithashtu familjes solide që gëzon respektin e të gjithëve.  Në këtë përvjetor të 95 të gjeneralit nuk ka si të mos kujtojmë bashkëshorten e tij Fitretin, këtë grua fisnike që rriti me dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm tre vajzat e saj, në kushtet kur Rrahmani vuante në burgun famëkeq të Burrelit…

Rrahmani nuk do të gëzonte këtë shëndet që gëzon sot në moshën 95 vjeçare, pa kujdesin e tre vajzave të tij të mrekullueshme, Lirikës, Tatjanës dhe Shpresës që e mbajtën ashtu siç thotë populli në pëllëmbë të dorës babain e tyre, që arritën ta shohin dhe ta kenë midis tyre pas 17 vjetësh burgim.  Djalë përmbi djalë ju bë Rrahmanit, nipi i tij, djali i vëllait, Hazbiu që u kujdes për të më shumë se për babain e tij. Jo më pak janë kujdesur edhe Mazllumi dhe Tekiu dy nipërit e tjerë që e kanë Rrahmanin përmendore të gjallë të traditës dhe të virtytit të tyre familjar të trashëguar ndër shekuj, amanetin e të atit, Selimit.  Selimin dhe Rrahmanin do t’i gjeje kudo bashkë në punë dhe në aksionet guerile të Vlorës… Në këtë 95-vjetor të ditëlindjes së tij, Presidenti i Republikës Bujar Nishani e dekoroi gjeneral Parllakun me dekoratën “Nderi i Kombit”. Ai e meriton këtë dekoratë të lartë. Gjeneral Rrahmani ja doli mbi të gjitha furtunat e jetës, doli fitimtar nga lufta antifashiste, doli gjallë nga burgu komunist, doli fitimtar në luftën për pavarësinë e Kosovës dhe sot është gjenerali më i vjetër, por me mendje të re që mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë dhe të ushtrisë shqiptare në NATO. Para një viti këshilli i Komunës Kurvelesh e nderoi gjeneralin me titullin “Nderi i Komunës”.
Sigurisht për një njeri që është memoria historike e kombit, lavdia e tij, nderi dhe krenaria e kombit, mund të shkruhet shumë, mund të bëhen filma e dokumentarë pa mbarim.  Një surprizë e këndshme për gjeneral Parllakun dhe për gjithë ata që e kanë njohur dhe nderojnë atë është edhe libri “Një legjendë në kufirin e dy kohëve”, i bashkautorëve H.Rama e S.Cami që botohet pikërisht sot në 95-vjetorin e ditëlindjes së tij. Në kohën tonë moderne të globalizmit nuk bëhet fjalë për legjenda. Megjithatë, ato ekzistojnë, pavarësisht heshtjes dhe indiferencës së opinionit publik. Një protagonist me një jetë të jashtëzakonshme, sjell para lexuesit edhe ky libër.  Shkrimtari i mirënjohur Teodor Laço do të shkruante në parathënien e tij se: “Nuk është thjesht një biografi tërheqëse, që për një shkrimtar do të qe një grishje për fantazinë. Është më shumë se kaq. Është një dëshmi për kohën që kemi lënë pas, për një kohë tepër të gjatë, si dhe jeta e heroit të librit, që këtë vit na vjen midis nesh me barrën e 95 viteve të tij që, si rrallëkush, i mbart me freskinë fizike, me mprehtësinë e gjykimit, me fjalën që nuk bie përdhe, me gjallërinë dhe energjinë e një burri shteti në gjysmën e moshës që ka ai. Qofsh edhe për shumë vite të tjera siç të njohim e të shohim sot, miku ynë Rrahman Parllaku! Nga jeta e një Mat’huzalemi si ti, na ulet këmbëkryq historia. Nga lufta dhe përkushtimi yt atdhetar na vjen një model për tu ndjekur.” U takofshim në jubileun e 100-vjetorit të këtij njeriu që bëri epokë!

Rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Përplasja me jugosllavët në stërvitjen e Shkupit më 1947

 Stërvitja e përbashkët e Shkupit, shkurt 1947, përpjekja e jugosllavëve për ta quajtur ushtrinë shqiptare armatë në përbërje të ushtrisë jugosllave.

Ndërhyrja direkt e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave për ta quajtur ushtrinë shqiptare Armatë të Ushtrisë Jugosllave edhe organikisht, u bë në shkurt 1947, në stërvitjen e përbashkët mes dy ushtrive, në Shkup ku ishin vendosur edhe shtabet që drejtonin stërvitjen.  Ushtria shqiptare merrte pjesë në stërvitje me Shtabin e Korparmatës dhe me 2 shtabe divizionesh. Për palën jugosllave stërvitjen e drejtonte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Koça Popoviç, kurse për ushtrinë tonë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Mehmet Shehu. Në rolin e komandës së Korparmatës ishin caktuar si komandant Tahir Kadare dhe si komisar Rrahman Parllaku. Në takimin e gjeneral Mehmet Shehut me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, Koça Popoviçin, ky i fundit i kishte komunikuar vendimin e komandës jugosllave se Korparmata Shqiptare do të vepronte nën komandën e Rajonit Ushtarak të Shkupit. Gjeneral Mehmeti nuk kishte qenë dakord me këtë vendim të tyre dhe para se t’u kthente atyre një përgjigje, me materialin dhe hartën në dorë erdhi të konsultohej me Rrahmanin dhe Tahirin. Kadare dhe Parllaku ishin dakord me Gjeneral Mehmetin dhe vendosën të mos e pranonin vartësinë nga Komanda e Shkupit. I vetmi shqetësim i Mehmetit ishte se si do të reagonte Komandanti i Përgjithshëm ndaj vendimit të tyre. Me Tiranën mund të lidheshin vetëm me anë të linjës telefonike jugosllave dhe të gjitha bisedat kontrolloheshin, pra paraprakisht ata nuk mund të raportonin, prandaj Rrahmani dhe Tahiri i thanë Mehmetit se përgjegjësinë mbi këtë veprim do ta mbanin të tre. Pas kësaj, që në mbledhjen e parë me palën jugosllave, Mehmet Shehu deklaroi se nuk ishin dakord me vendimin e tyre që gjatë stërvitjes, Korparmata Shqiptare të ishte nën komandën e rajonit ushtarak të Shkupit dhe as nën komandën e Ushtrisë Jugosllave. Ai theksoi se kishin vajtur për të zhvilluar stërvitje të përbashkët të dy ushtrive mike, për t’u përgatitur që në rast nevoje të ishim të gatshëm për bashkëveprim në mbrojtje të dy vendeve.  Koça Popoviçi, Vukmanoviç Tempo dhe këshilltari sovjetik i tyre, një gjeneral lejtnant, u përpoqën t’i bindin se kështu do të organizohej më mirë bashkëpunimi dhe iu drejtuan Mehmetit duke i thënë se do të ishin bashkë me ta në udhëheqje të stërvitjes, por Shehu, Kadare dhe Parllaku nuk pranuan. Pas komunikimit me Beogradin, jugosllavët bënë me dije se ishin dakord që Korparmata Shqiptare të vepronte më vete, duke bashkëvepruar me forcat e rajonit të Shkupit. Edhe konkluzionet dhe vlerësimet për Korparmatën Shqiptare i bëri Gjeneral Mehmet Shehu.

Kjo ishte përplasja e parë e hapur në mes të dy shtabeve të përgjithshme të ushtrive shqiptare dhe jugosllave, pasi përplasje ndërmjet komandave të  njësive me këshilltarët jugosllavë kishte pasur edhe më parë. Pas përfundimit të stërvitjes, Mehmeti do të udhëtonte nga Shkupi në Tropojë dhe Rrahmani e shoqëroi në takimin me popullin e rrethit të Tropojës, pasi, pas vdekjes të Sali Manit, Mehmet Shehu kishte paraqitur kandidaturën për deputet në atë rreth. Gjatë rrugës për në Tropojë pushuan një natë në Gjakovë, në shtëpinë e Ymer Pulës, shok dhe mik i Rrahmanit që gjatë veprimeve luftarake në Kosovë.

Shqetësimi i Mehmet Shehut për raportimin tek Enver Hoxha për stërvitjen e përbashkët me jugosllavët

Parllakut i bënte përshtypje shqetësimi i vazhdueshëm i Mehmetit në lidhje me reagimin që mund të kishte Enver Hoxha për qëndrimin që mbajtën me jugosllavët dhe dyshonte se Shehu mund ta kishte nuhatur që Enveri po u nënshtrohej jugosllavëve, pasi kur u ndanë me Tahir Kadarenë, e porositi t’i shmangej takimit me Komandantin,pasi do t’i raportonin të tre mbi situatën dhe qëndrimin e tyre. Të nesërmen e kthimit nga Tropoja, Rrahmani, Mehmeti e Tahiri shkuan në takim te Enveri. Mehmeti raportoi mbi zhvillimin e stërvitjes dhe mbi grindjen që patën me Shtabin e Përgjithshëm Jugosllav, me Popoviçin e Tempon, si edhe për qëndrimin në lidhje me përfshirjen e Korparmatës Shqiptare në përbërjen e rajonit ushtarak të Shkupit. Enveri e mbylli bisedën duke thënë se jugosllavët duhet të kishin marrë mendimin tonë më parë, pastaj të vendosnin pasi mbi këtë çështje parimore nuk mund të merreshin vendime të njëanshme.

Përplasja e dytë e hapur

Përplasja e dytë e hapur me udhëheqjen ushtarake ndodhi para të gjithë kuadrove kryesore të ushtrisë në prill 1947, kur Gjeneral Mehmet Shehu  kishte përgatitur tezat mbi doktrinën ushtarake shqiptare.

Kundër tyre reaguan këshilltarët jugosllavë, duke u larguar të nëntë nga mbledhja. Reagim pati edhe nga Drejtoria Politike e Ushtrisë Shqiptare. Kundërshtimi erdhi pasi Mehmeti tezat e tij i mbështeste në eksperiencën e Luftës Nacionalçlirimtare, si edhe në artin ushtarak stalinian, siç shprehej ai për artin e Ushtrisë Sovjetike, pa e përmendur Luftën Nacionalçlirimtare jugosllave dhe rolin e Titos si ideator e organizator i kësaj lufte, që sipas jugosllavëve kishte vlera universale. Në mbledhjen e pasdites, zv/drejtori Politik Pëllumb Dishnica mbajti një ligjëratë, ku ngrinte lart eksperiencën e ushtrisë jugosllave dhe rolin e Titos në Luftën Nacionalçlirimtare dhe vlerat e tij për ushtrinë shqiptare. Kjo ishte bërë me lejen e Enver Hoxhës, pasi Pëllumbi kishte paraqitur te Komandanti një raport mbi qëndrimin e Mehmetit në ndërtimin e marrëdhënieve të ushtrisë shqiptare me atë jugosllave. Raportin, Pëllumbi ia kishte paraqitur Enverit në 24 prill 1947. Në raport shpreheshin mendimet e tij se gjithçka duhet ta kopjonim nga ushtria jugosllave, të cilën e kishim aleate dhe së bashku të ndiqnim të njëjtën rrugë dhe të shkonim drejt bashkimit.

Gjithashtu, në raport theksohej se këto mendime i kishte diskutuar edhe me Mehmetin, i cili i kishte thënë se bëhej fjalë për një çështje të rëndësishme ku paraqiteshin dy orientime: ose do të vepronin si deri atëherë, ose do të shndërroheshin në pjesë të armatës jugosllave, do të merrnin e kopjonin urdhrat e Koça Popoviçit, do t’i vinin kryq Komandantit të Përgjithshëm dhe do të përzinin këshilltarët sovjetikë.

Sipas Gjeneral Mehmet Shehut, kjo ishte një çështje që duhej prerë mirë, pasi nëse veprohej në mënyrë të gabuar, do të kishte pasoja katastrofale. Siç kuptohet, Enver Hoxha nga një anë si Komandant i Përgjithshëm i kishte aprovuar tezat e Gjeneral Mehmetit, kurse nga ana tjetër grumbullonte të dhëna kundër tij, që i merrte nëpërmjet Drejtorisë Politike të drejtuar nga Kristo Themelko, ku jepej jo vetëm mendimi i tyre, por edhe i jugosllavëve dhe megjithatë nuk u dallua asgjë dhe në pamje të jashtme nuk u shkaktua asnjë reagim i Komandantit të Përgjithshëm ndaj Gjeneral Mehmetit.

Përplasja e tretë

Hera e tretë, mosmarrëveshje e qëllimshme, ishte në korrikun e 1947-ës, kur Gjeneral Mehmet Shehu lajmëroi se po vinte në Tiranë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Koça Popoviçi, dhe Drejtori Politik i kësaj ushtrie, Vukmanoviç Tempo.

Shehu porositi që të dilnin për t’i pritur në Qafë-Thanë, pasi mund të vinin nga Struga ose nga Shën Naumi. Në orën 10.00, ushtarakët shqiptarë ishin atje, ku pritën rreth 3 orë, por nuk erdhi njeri.

Gjeneral Mehmeti e humbi durimin e sugjeroi të ktheheshin. Kur mbërritën në Tiranë, oficeri operativ tha se e kishin lajmëruar nga hotel “Dajti” dhe i kishin thënë se Koçaja dhe Tempoja ishin akomoduar aty. Ashtu siç ishin, të pluhurosur, pasi atëherë rrugët ishin të paasfaltuara, shkuan në hotel. Pasi u përshëndetën, Mehmeti iu tha: “Ne me Kolonel Parllakun kemi dalë që në mëngjes dhe iu pritëm në kufi për më shumë se tre orë. Ju nuk na vutë në dijeni për ndërrimin e itinerarit të rrugës dhe nuk kemi faj nëse  nuk ju priti njeri, sepse kjo nuk është në traditën shqiptare të mikpritjes.”