Halil RAMA/ Në Pezë, pa protagonistët e Konferencës së Pezës

790
Sigal

Për herë të parë, gjatë këtyre dy dekadave pluralizëm, veteranët e OBVL nuk ftohen për të marrë pjesë në veprimtaritë përkujtimore kushtuar Kuvendit të parë pluralist. Në Pezë, për të përkujtuar 72-vjetorin e Konferencës së Pezës dje ishin përfaqësues të lartë të qeverisë e maxhorancës, por jo protagonistët dhe mbështetësit e vërtetë të asaj Konference historike. Nëse Konferenca e Pezës njihet si përpjekja e parë madhore për unifikimin e faktorit shqiptar, 72 vjet më vonë organizatorët e veprimtarive në përkujtim të saj shfaqen dukshëm si faktor përçarës. E njëjta strategji si dhe në Komisionin e posaçëm qeveritar të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut, ku ftohen vetëm përfaqësues të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ që drejtohet nga pasardhës veteranësh dhe mënjanohen qëllimisht veteranët e OBVL që drejtohen nga Gjeneral-lejtënant Rrahman Parllaku, i vetmi “Hero i Popullit” i gjallë, që i mbijetoi Luftës së II-të Botërore dhe terrorit komunist. Nëse Dr. Ymer Dishnica, një nga personalitetet kryesore të Konferencës së Pezës, por dhe organizator kryesor i Konferencës së Mukjes, e cila realisht hodhi themelet e një Shqipërie të ardhme pluraliste, demokratike, por edhe të një bashkimi të pashmangshëm të trojeve shqiptare, para 20 vitesh do të themelonte OBVL-në, me synimin për t’i bashkuar veteranët e LANÇ në një organizatë të vetme, krerët e maxhorancës së sotme rikthehen tek ish Komiteti, levë e PPSH, duke lënë në harresë mbështetësit e këtij personaliteti që ka firmën në ato akte që shndrisin dhe do të shndrisin gjithmonë në historinë tonë kombëtare. Nëse mesazhet e Konferencës së Pezës janë gjithnjë aktuale dhe frymëzuese për faktin se kjo Konferencë njihet si përpjekja e parë madhore për unifikimin e faktorit shqiptar, duke e renditur vendin përkrah koalicionit botëror anti-fashist, përpjekjet e krerëve të maxhorancës së sotme për t’i përçarë veteranët e LANÇ-it, janë sa qesharake aq edhe absurd. Shtatëdhjetedy vjet më parë, platforma kryesore e Konferencës ishte bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje në frontin nacionalçlirimtar. Pikërisht kjo frymë është përçuar edhe në 20 vitet e shkuara, kur veprimtaritë përkujtimore kushtuar kësaj ngjarjeje kulmore të Historisë sonë kombëtare, sipas protokollit qeveritar organizoheshin nga bashkia e Tiranës dhe Komuna e Pezës. Ndryshimi ndodhi vetëm këtë vit, kur organizimi u la në dorë të z. Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ky ndryshim ka qartazi sfond politik. Veliaj, i shumëakuzuar për afera korruptive (edhe në rastin e Pezës) nuk mund të ftonte kurrsesi në këtë përvjetor pasardhësit e Dr.Ymer Dishnicës, njeriut që zë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar, siç është Rrahman Parllaku, një nga figurat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqësit kryesorë të LANÇ-it. Atij i mjaftojnë të ketë në sfond pasardhës veteranësh të asaj organizate levë e PPSH (PS) që edhe sot mbron me fanatizëm ish kreun e diktaturës komuniste. Krerët e kësaj maxhorance dje ishin në Pezë vetëm me ata që para tre muajsh demonstruan me portretet e Enverit në Përmet e Berat. Nuk u ftua për në Pezë, kreu i OBVL Rrahman Parllaku, që si gjeneral i tre epokave është memoria historike e kombit, ndërsa në krah të krerëve të qeverisë ishin pinjollë të diktatorit që predikojnë edhe sot “mësimet e tij të vyera”. Zv/kryeministri Peleshi dhe Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, dje u shprehën në unison për domosdoshmërinë e përcjelljes së vlerave të luftës tek brezi i ri. Por kjo është dukshëm demagogji, sa kohë vetë ata mënjanojnë qëllimisht protagonistët e kësaj lufte në veprimtari të tilla. Kreu i OBVL, Rrahman Parllaku, si një personalitet me virtyte të larta njerëzore, këtë qëndrim ua ka bërë të qartë si zyrtarisht dhe në takimet që ka patur me kryetarin e Kuvendit Ilir Merta, zv/kryeministrin Peleshi e ministren e Mbrojtjes Kodheli. Parllaku ka reaguar edhe për planifikim fondesh qeveritare në mënyrë disproporcionale për 70 vjetorin e çlirimit të atdheut,(duke dhënë qindra milionë për koncertet e OJQ – ve të Ministrit Veliaj dhe fonde minimale për mirëmbajtjen e monumenteve e varrezave të dëshmorëve). Por, sugjerime të tilla të vlefshme kanë rënë në veshin e shurdhët të zyrtarëve të lartë, sa kohë denigrohet qëllimisht OBVL , e cila në 20 vjet veprimtari intensive u dëshmua para shqiptarëve si Organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare. Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar,( OBVL) anëtare e Federatës Europiane e Botërore të Veteranëve u krijua para 20 vitesh me nismën e një grupi prej 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist. Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane e ministra, siç ishin:Dr.Ymer Dishnica, gjen. Rrahman Parllaku, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçami, Maqo Çomo, Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Muhamet Prodani (Gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Gjeneral-majorët: Nexhip Vinçani, Skënder Malindi dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja (Ciu), Zenepe Golemi(Ashiku), Liri Belishova,Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Pikërisht, këta personalitete apo dhe pasardhësit e tyre nuk u ftuan të merrnin pjesë dje në veprimtaritë përkujtimore të 72-vjetorit të Konferencës së Pezës. Dhe gjasat janë që ndasi të tilla të promovohen edhe veprimtaritë tjera në kuadrin e 70-vjetorit të çlirimit, duke nxitur kështu frymën e urrejtjes e përçarjes edhe mes dy organizatave të veteranëve të LANÇ-it.