Hakmarrja e kryeministrit ndaj banorëve të qytetit verior

506
Protesta e qytetarëve Kukësit për faljen e kamatëvonesave, ka degjeneruar deri në konfrontimin fizik të policisë me protestuesit. Sjellja e policisë së Kukësit ndaj protestuesve, të linte përshtypjen e një “hakmarrje” dhe “ndëshkimi” nga ana e qeverise ndaj qytetarëve verior, për shkak se në vizitën e kryeministrit, siç ndodh rrallë herë në histori, sheshet ishin të boshatisura dhe numri i pjesëmarrësve linte për të dëshiruar. Kryeministri Rama, në vizitat e tij të zhvilluara në Kukës dhe Has, siç duket u përball me një refuzim nga ana e kukësianëve, refuzim ky që vjen për shkak të mos plotësimit të premtimeve që u dha në fushatën elektorale të 23 qershorit. Varfëria dhe kushtet minimale të jetesës në këto zona, kanë detyruar një numër mjaft të madhe të këtyre banorëve që të marrin rrugët e botës, për një jetë më të mirë.
Protestë dhe përplasje
Policia e Kukësit nuk e lejoi zhvillimin e protestës për faljen e kamatëvonesave dhe debisë së energjisë elektrike të krijuar ndër vite, edhe pse kjo protestë ishte e paralajmëruar nga shoqëria civile. Më herët protestuesit nga Kukësi e Hasi, kishin paralajmëruar se do të bllokonin Rrugën e Kombit, në njërën korsi. Ndërsa policia nga ana e saj nuk u dha leje protestuesve dhe në afërsi të Urës se Drinit, që e lidh Kukësin me autostradën, forca të shumta u kishin zënë pritë, duke mos lejuar zhvillimin e protestës. Fillimisht policia debatoi me protestuesit, por duke parë vendosmërinë e tyre për të zhvilluar këtë protestë, policia ka përdorur forcë kundër tyre. Debati verbal degjeneroi në përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë ku shefi i krimeve, Albion Gjitoni për një moment ka nxjerrë armën duke ua drejtuar atë protestuesve. Policia shoqëroi Nderim Lushin, drejtuesin e protestës, të cilin e tërhoqën zvarrë drejt fugonit të bluve të Kukësit. Menjëherë pas arrestimit të Nderim Lushit, protesta u zhvendos para komisariatit të Kukësit për të kërkuar lirimin e organizatorëve. Banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, kanë zhvilluar protesta të shpeshta, për faljen e kamat-vonesave dhe debive të krijuara në vite, por qeveria nuk ka reaguar. Lidhur me këto kërkesa është firmosur edhe një peticion me më shumë se 1500 firma.
Reagimi i Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit, Igli Totozani përmes një deklarate për media, ka dënuar dhunën e ushtruar nga policia në protestën e zhvilluar nga banorët e Kukësit për faljen e kamatëvonesave. Në një deklaratë për media, Avokati i Popullit dënon me forcë dhunën dhe veprimet e ushtruara nga personi civil, që vihet re në një video, dhe ftoi organet e policisë dhe të hetimit të marrin masa të menjëhershme ndaj këtij punonjësi. Sipas Totozanit, punonjës të tillë nuk kanë vend në Policinë e Shtetit. Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur me iniciativë trajtimin e këtij rasti dhe sot, një grup ekspertësh do të jetë në Kukës për të hetuar ngjarjen.
Sigal