Hajrie Karameta: Kllogjeri, dëshmia e gjallë e gjenocidit grek ndaj popullsisë çame

503
Sigal

Dëshmon 76 -vjeçarja nga Tirana, Hajrie Karameta, trazirat, torturat dhe jeta krah vdekjes

SARANDË/ Jo shumë larg kufirit shtetëror pranë pikës kufitare të Qafë-Botës, ndodhet Kllogjeri, vendbanimi i përjetshëm i qindra viktimave çamë, që vdiqën si rezultat i gjenocidit grek më 1944. Një varrezë me qindra viktima të pafajshme, që 50 vjet heshtën dhe 20 vjet shpirtrat e tyre kërkojnë drejtësi. Këtë vit mbushen 70 vjet nga kjo masakër mbi popullsinë e pafajshme çame nga forcat zerviste monarko-fashiste greke. Kjo varrezë mban një datëlindjeje, pjellë e pamëshirshmërisë së xhelatëve zervistë: ajo është 27 qershori dhe si çdo vit, për 20 vite rresht, këtu përfaqësues të këtij komuniteti, si në ekzekutiv, politikë dhe ekonomi, vijnë dhe bëjnë homazhe. Edhe këtë vit u zhvilluan homazhet, por para fillimit të ceremonisë, na tërhoqi vëmendjen një plakë e kërrusur, e shoqëruar nga vajza e saj, veshur me tradicionalen çame. E pyesim dhe na përgjigjet se quhet, Hajrie Karamata. Kam qenë 6 vjeçe kur na përzunë nga trojet tona në Margëlliç. Mbaj mend si tani atë tmerr, ishte mbasdite dhe ranë pushkët në fshat. Lajmëtarët bërtitën me të madhe, se duhet të largohemi menjëherë nga shtëpitë se në Paramithi po bëhet nami mbi njerëz nga forcat ushtarake të Zervës. Ikëm me rrobat e trupit, se thamë se do ishte e shkurtër kjo gjendje dhe do kalonte shpejt që të ktheheshim në shtëpitë tona përsëri. Fillimisht shkuam në Mazrek e më vonë në Varfaj, (fshatra matanë kufirit, në Çamëri) mendimi se do ktheheshim u zhduk, ende dhe sot pas 70 vjetësh nuk po kthehemi. Të uritur, lodhur e tmerruar, sidomos ne fëmijët, që akoma i kemi para syve tanë ato krime, kështu shkuam në Konispol. Kaluam kufirin, por nuk kapërcyem frikën. Na qe futur në palcë. Ishim popull e kështu nuk kishim asnjë mbrojtje karshi atyre mercenarëve gjakatarë, na dhanë qull të shuanim urinë disa ditore. Dua të them se më përpara mbi popullsinë çame qe bërë presion, terror psikologjik nga ushtarët mercenar dhe oficerët e tyre, se duhet të iknim nga kishim ardhur se ndryshe do të na sakatonin e masakronin siç edhe vepruan, se ne nuk besuam fillimisht, pasi ishte ushtri e shtetit dhe problemet do qartësoheshin pas turbullirave që la lufta pas, por jo! Ndodhi ajo masakër e paparë në historinë e njerëzimit. Ikëm shpejt nga Konispoli, se ishim shumë afër kufirit dhe frika se mos monarko-fashistët vinin edhe atje, qëndruam këtu, në Kllogjer. Uji qe i qelbur, nuk e di pse. Filluan shumë të vdisnin e ne i varrosnim këtu. Lodhja, uria, etja dhe sëmundjet, sollën edhe këtë fatkeqësi tonën. Këtu varrosëm edhe babain në moshën 30 vjeç, Mahmut Velo. Mbetëm me njerkën, e cila pasi shkuam në Delvinë edhe ajo gjeti vdekjen në moshë të re, 20 vjeçe dhe nusja e xhaxhait 37 vjeçe me 7 fëmijë. Mbetëm rrugëve së bashku me motrën tjetër të vogël. Na mori xhaxhai me të gjitha hallet e tij dhe na rriti. Më vonë shkuam në Lushnje, sot jetoj në Tiranë me vajzën e vetme. Nënë Hajria, pasi bën edhe një përshpirtje në varreza thotë si besimtare e islamit, se falënderon Allahun për mbijetesë dhe për këto varre që janë edhe sot si dëshmi e asaj masakre dhe gjenocidi, se shumica mbetën rrugëve të vdekur e sot janë pa varre ku t’i qajmë. Dhimbja ja çan gjoksin nënë Hajries, tek flet dhe lutet për shpirtrat e tyre të pafajshëm, që 70 vjet kërkojnë drejtësi, pafajësi, paqe qiellore dhe tokësore, rikthim në trojet e tyre stërgjyshore. Problemi çam, është vet paqja me zgjidhjen e drejtë të tij. Malli na përvëlon, na akuzuan si bashkëpunëtor të fashizmit e shumë akuza të tjera, na thanë ikni nga keni ardhur. Nuk erdhëm nga askund, përveçse ishin në trojet dhe vatanet tona stërgjyshore shekuj me radhë, që kur lindi njerëzimi. Faji ynë i vetëm për Monarko-fashistët ishte se ishim shqiptarë dhe kjo ua errte sytë, që u përvëlonin si thëngjij prushi tek shihnin valëvitjen e flamurit kombëtar me shqipen dykrenore. Ky flamur valëvitej në çdo shtëpi tonën. Europa bëri pazar të rëndë mbi kurriz të popullsisë çame në territoret e shtetit grek, shkëputur padrejtësisht nga trungu amë. Tani na detyrohet për drejtësi që të kthehemi në trojet tona, përfundon nënë Hajria për gazetën “Telegraf”