Hajdutët lënë pa drita rrugën, vjedhin të gjithë linjën elektrike në aksin Korçë- Ersekë

697
Sigal

Fenomeni shqetësues i vjedhjeve në qarkun e Korçës ka prekur edhe infrastrukturën.

Një pjesë e aksit nacional Korçë-Ersekë ka mbetur pa ndriçim pasi persona ende të pa identifikuar kanë vjedhur kabllin e rrjetit elektrik. Policia e Korçës thotë se ka nisur hetimet.

Një pjesë e rrugës nacionale Korçë-Ersekë ka mbetur pa ndriçim.

Persona ende të pa identifikuar kanë vjedhur dhjetra metra kabëll elektrik në disa segmente të aksit nacional ku ka përfunduar rikonstruksioni.

Ngjarja e regjistruar gjatë natës është konstatuar mëngjesin e sëpremtes nga punonësit e firmës që po punon në rrugë.

Ende nuk dihet sa persona kanë marrë pjesë në vjedhjen e linjës elektrike që ndriçon rrugën Korçë-Ersekë, ndërsa policia thotë se ka nisur një hetim.

Numri i vjedhjeve në qarkun juglindor është alarmant.

16 raste janë regjistruar vetëm në 10 ditët e fundit, ku në qendër kanë qenë banesa e biznese.

Por nuk kanë munguar as rastet kur qytetarët janë sulmuar në rrugë për tu marrë bizhuteri apo sende të tjera me vlerë.