Hajdutëria dhe vandalizmi i “sulltanëve” të KSSH e BSPSH, me 31 super-pronat e sindikatave në Korçë, Elbasan, Berat

782

Shteti duhet të veprojë urgjent për të zbardhur, ndalur dhe ndëshkuar masakrën e bërë me këto pasuri kombëtare që janë tjetërsuar në qejfe, llogari bankare, biznese, pallate e vila të agallarëve të sindikatave

Siç ju kemi deklaruar, po vazhdojmë të publikojmë masakrën që është bërë prej “sulltanëve” të KSSH-së e BSPSH-së me pronat e sindikatave, duke i përdorur ato si mallin e tyre, duke u sjellë me to si “kaçakët” e mesjetës me plaçkën e grabitur, duke i shitur, duke i vënë kolateral për kredi e peng për fajde financiare, që nuk dihet se ku kanë përfunduar. Punëtorët dhe sindikalistët shqiptarë, të cilët brenda këtyre pasurive pronë shtetërore kanë gjakun dhe djersën e tyre të punës 45-vjeçare e që prej 22 vjetësh, të dhëna prej shtetit në përdorim, duhej t’i kishin këto pasuri të shumta e me vlerë të madhe në shërbim dhe përdorim të jetës dhe punës së tyre. Por këto pasuri, prej 22 vjetësh janë bërë pasuri personale e dy bandave që gjoja drejtojnë sindikatën dhe që ditën bëjnë sikur “ngjiren” për interesat e punëtorëve, ndërsa natën i tradhtojnë punëtorët, duke bërë orgji me politikanë e shtetarë të lartë, për të mos u prekur prej ligjit për krimet që kanë bërë me pronat e për të vazhduar t’i kenë pasuritë e mbetura si burim fitimesh personale. Shteti duhet të veprojë urgjent, për të zbardhur, ndalur dhe ndëshkuar masakrën e bërë me këto pasuri kombëtare që janë tjetërsuar në qejfe, llogari bankare, biznese, pallate e vila të agallarëve të sindikatave. Çfarë ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë me këto prona? Sot po publikojmë masakrën e rëndë, që është bërë në qarqet Korçë, Elbasan e Berat me pronat e sindikatave prej “çetave” të vandalëve e hajdutëve të KSSH dhe BSPSH…

 Ja masakra me 18 pronat e sindikatave në Qarkun e Korçës

  Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve Korçë

 Sipas regjistrit të Hipotekës Korçë është transkriptuar në Nr. 15/20, datë 20.02.2001 në emër të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Për objektet e kampit është regjistruar e drejta e parablerjes në emër të subjektit Roland Demko, për sipërfaqen 4632.8 m2, ku 666 m2 janë ndërtesë. Objektet janë marrë me qira nga Firma e Ndërtimit “KOTEKO” sh.p.k, përfaqësuar nga Thanas Kote dhe Rezart Kote, për një periudhë deri në 31. 12. 2020. Objekti është dhënë me qira nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë. Aktualisht objekti quhet “Q.B-Hotel KRISTAL” dhe administrohet nga 2 qiramarrësit. Nuk ka as inventar, as informacion nga KSSH për pasuritë e luajtshme të ish-kampit të punëtorëve.

 Salla e Lojërave Korçë

 Sipas Hipotekës Korçë, rezulton se është në pronësi të BSPSH dhe KSSH. Pas verifikimit dhe inventarizimit në ish-Sallën Lojërave në Qytetin e Korçës” u konstatua: Ndërtesa funksionon pjesërisht si sallë bilardoje dhe pjesërisht është e lirë. Kjo pronë pretendohet të merret nga ish-pronarët e vjetër dhe aktualisht është në proces gjyqësor. Pasuri të luajtshme nuk u konstatuan dhe nuk ka asnjë informacion apo inventar nga BSPSH e KSSH.

 Shtëpia e Kulturës-Maliq

 Sipas Hipotekës Korçë, konstatohet se me nr. 192/9, datë 20.5.1995 është regjistruar një Akt-Marrëveshje, nëpërmjet të cilës kjo pronë është e ndarë midis KSSH 50 % dhe BSPSH 50 %. Ndërtesa ekzistuese është me 2 kate. E gjithë ndërtesa është restauruar dhe është në pronësi të Bashkisë Maliq, transferuar në bazë të Ligjit 8744, datë 22.2.2001. Nuk ka asnjë informacion ose inventar nga sindikatat për fatin e pasurive të luajtshme.

 Shtëpia e Kulturës Pojan

 Sipas Hipotekës Korçë objekti është shitur prej Qendrës Administrative të objekteve kulturore të sindikatave KSSH dhe është regjistruar në emër të Mevlude Korkuti. Më tej prona është transkriptuar në Nr.185/7 dhe Nr 204/7.

 Kinoklubi në Plasë

 Objekti ekzistues është me dy kate. E gjithë ndërtesa është restauruar. Objekti është shitur dhe aktualisht është në pronësi të Alma Belortaja dhe Dhimitrios Triminos. Objekti është hipotekuar në emër të sipërpërmendurve me vërtetim pronësie Nr. 61/9, datë 02.06.2005. Sipërfaqja e ndërtimit është 450 m2 dhe trualli 1320 m2. Pasuri të luajtshme nuk u identifikuan dhe nuk ka as inventar, as informacion nga sindikata.

 Shtëpia e Pushimit të Punëtoreve Dardhë

 Nuk figuron e regjistruar në Hipotekën e Korçës. Objekti është 3 kate. Aktualisht funksionon si hotel dhe restorant. Ky objekt është dhënë me qira nga BSPSH-ja dhe disponohet nga Fatmir Rakipi. Pasuri të luajtshme të kësaj shtëpie pushimi nuk gjenden, janë zhdukur pa inventar.

 Salla e Kulturës Mborje-Drenovë

 Sipas Hipotekës Korçë, ky objekt është shitur dhe transkripimi i fundit është bërë në vitin 1994, në emër të Vangjel Jorgji Samara. Objekti nuk ekziston fare. Trualli është bosh dhe i rrethuar.

 Salla e Kulturës Vashtmi, komuna Libonik

 Nuk eksiton në Hipotekën e Korçës. Objekti është ndërtesë me 1 e 2 kate, i shitur për llogari të Demir Dumalit. Pasuritë e luajtshme janë zhdukur dhe nuk ka procesverbal nga sindikata.

 Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve Voskopojë

 Sipas Hipotekës Korçë, konstatohet se ky objekt është regjistruar në vol. 8, fq. 228 zona kadastrale Voskopojë, me sipërfaqe 28 mijë e 774 m2 truall. Kjo pasuri është me mbivendosje në hipotekë. Me VKKP për sipërfaqen 1500 m2, BSPSH është pajisur me certifikatë pronësie. Aktualisht, ekziston vetëm trualli, pasi objektet e këtij kampi janë tërësisht të rrafshuara. Sipërfaqja e këtij trualli është 28 mijë m2.

 Kampi i Pionierëve Voskopojë

 Sipas Hipotekës Korçë, rezulton se është ndarë në disa pasuri brenda BSPSH e janë dhënë me qira. Kontratat e qirasë janë bllokuar në datë 27. 03. 2008 me urdhër të Kryeregjistruesit Korçë. Në territorin e këtij kampi gjenden 3 objekte ekzistuese me nga 2 kate, të dhëna me qira prej BSPSH, përfaqësuar nga Gëzim Kalaja për “Hotel Park Voskopoja” shpk, përfaqësuar nga Agron Liço dhe Anesti Vrahoriti, me afat qiraje 20 vite 2008-2028. Përveç objekteve ekzistuese, në sipërfaqen e këtij kampi janë bërë dhe ndërtime të reja (vila të vogla druri private). Nuk ekziston asnjë pajisje pasuri e luajtshme e këtij kampi, asnjë dokument nga BSPSH.

 Salla e lojërave qyteti Ersekë

 Sipas Hipotekës Ersekë, ky objekt i Konfederatës së Sindikatave (KSSH) është shitur nga sindikata tek person privatë, por regjistrimi në Hipotekë është pezulluar si shitje e paligjshme me Urdhrin Nr. 1/21. 06. 2007 të kryeregjistruesit Ersekë. Objekti gjendet në katin e parë të një pallati 4-katësh, në qendër të qytetit. Objekti është ndarë në tre ambiente dhe administrohet: Ambienti i parë, administrohet nga Bashkim Çabej, funksionon si sallë bilardoje. Ambienti i dytë është kthyer në sallë lojëra fati. Ambienti i tretë është marrë me qira nga “FAF” (Shoqëria e Parë e Zhvillimit Financiar), dhënë me qira nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) e cila nuk ka inventar e as procesverbal për pasuritë e luajtshme.

 Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve (Pallati Nr.1) Pogradec

 Sipas Hipotekës Pogradec është në administrim të BSPSH, ndërtesa është dhënë me qira dhe funksionon si Bar-Restorant Hotel “KALAJA”, me adresë Lagja nr.1, Rr. “Dëshmorët e Pojskës”, nuk ekziston asnjë pajisje pasuri e luajtshme, nuk ka as inventar, as procesverbal për fatin e tyre.

 Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve (Pallati Nr.2) Pogradec

 Sipas Hipotekës Pogradec, kjo pasuri është vënë në sekuestro konservative, në emër të debitorit Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë me qëllim shlyerjen e detyrimeve që ka. Ndërtesa është dhënë me qira dhe funksionon si Bar-Restorant Hotel “EURO- KORÇA”, në adresën: Lagja nr.1, Rr. “Dëshmorët e Pojskës”. Nuk ka asnjë dokument për fatin e pasurive të luajtshme.

 Kampi i Punëtorëve (kopsht + çerdhe fëmijësh) Pogradec

 Nuk figuron në Hipotekën Pogradec. Objekti është shitur nga Konfederata e Sindikatave (KSSH) 100 % tek pronarët e truallit.

 Kampi i Pionierëve Pogradec

 BSPSH ka në pronësi vetëm 155 m2 sipërfaqe, pjesa tjetër u është dorëzuar pronarëve nga BSPSH. Objektet e ish-Kampit të Pionierëve janë rrafshuar dhe mbi këtë truall, bashkë me truallin, pronë e BSPSH, janë ndërtuar pallate banimi. Nuk ka asnjë dokument për fatin e pasurive të luajtshme.

 Sallë Kulture ish-Ndërmarrja Bujqësore Pogradec

 Nuk figuron në Hipotekën Pogradec. Objekti është kthyer në shtëpi banimi, zënë nga familjarë, nuk ka asnjë të dhënë për fatin e pasurive të luajtshme.

 Shtëpia e Kulturës “Guri-Kuq” në Pogradec

 Sipas Hipotekës Pogradec, këtë objekt sindikata ua ka shitur privatëve Fatmir Rakipi, Mynyr Oranlliu, Avni Gjata, Ibrahim Sulellari, Beshir Gjata, Hekuran Meçe, të cilët e kanë kthyer në shtëpi banimi, nuk ka asnjë dokument për fatin e pasurive të luajtshme.

 Sallë Kulture Velçan-Bishnicë në Pogradec

 Hipoteka Pogradec ka një vërtetim pasurie të datës 09. 02. 2004 për regjistrimin e kësaj prone në emër të BSPSH, ndërtesa është dhënë me qira, nuk ka asnjë dokument për fatin e pasurive të luajtshme.

 Ja masakra me 8 pronat e sindikatave në Qarkun e Elbasanit

  Pallati i Kulturës “ Metalurgu”

 Sipas Hipotekës Elbasan, kjo pasuri gjendet në qendër të qytetit Elbasan, ka 2 kate, nga të cilët 100 % e katit të parë është pronësi hipotekore e privatit Reshit Skilja, shitur në mënyrë të kundërligjshme prej KSSH-së. Objekti është i bllokuar nga zyra përmbarimore Tiranë, me shkresën nr. 4308, datë 02. 05. 2007, për debi financiare të KSSH-së. Kati i dytë është dhënë me qira nga KSSH, me përfaqësues me firmë prej kreut të KSSH, Kolë Nikolla, dhënë me qira shtetasit Astrit Elezi me kontratë qiraje deri në vitin 2020, kthyer në bar-kafe. Pasuritë e luajtshme nuk figurojnë në asnjë dokument të KSSH.

 Sallë e Kulturës në ish-Ndërmarrjen Bujqësore-Elbasan

 Sipas Hipotekës Elbasan, kjo pronë është ndarë 50 % me 50 % mes BSPSH dhe KSSH, ndërtesa është me 2 kate, gjendet në adresën 200 m largësi nga Ura e Zaranikës. Kati i parë disponohet nga firma private e përpunimit të duraluminit “PESPA”. Kati i dytë është kthyer në shtëpi banimi, ku janë vendosur 5 familje. Nuk ka dokument për pasuritë e paluajtshme.

 Salla e Kulture në ish-Ndërmarrjen Bujqësore-Peqin

 Nuk figuron në Hipotekën Peqin, nuk ekziston as si ndërtesë. Truallin e kanë zaptuar pronarët, edhe me miratimin e sindikatës.

 Sallë Kulture në ish-Ndërmarrjen Bujqësore-Cërrik

 Sipas Hipotekës Elbasan, objekti është me 1 kat, i është shitur nga KSSH shtetasit Edmond Beshiri dhe ky ia ka shitur shtetasit Izet Bullari, i cili e ka kthyer në shtëpi banimi.

 Pallati i Kulturës-Cërrik

 Sipas Hipotekës Elbasan, ky objekt figuron në pronësi të BSPSH, rrethi Elbasan. Ndërtesa është me 2 kate dhe ndodhet në qendrën e qytetit Cërrik dhe i ka kaluar në pronësi të Bashkisë Cërrik, transferuar në bazë të Ligjit 8744, datë 22.2.2001. Si pasuri të luajtshme janë inventarizuar vetëm 36 karrige, që i ka në posedim BSPSH.

 Shtëpia e Kulturës Përrenjas

 Sipas Hipotekës Librazhd, ky objekt është në pronësi të Bashkisë Përrenjas, transferuar në bazë të Ligjit 8744, datë 22.2.2001, nuk ka asnjë informacion për pasuritë e luajtshme. Ndërtesa është me 2 kate, përdoret privatisht si klub për të moshuarit. Si pasuri të luajtshme janë 100 karrige në sallën e kinemasë.

 Salla e Kulturës në ish-Ndërmarrjen Bujqësore-Belsh

 Sipas Hipotekës Elbasan, objekti është me 1 kat, trualli i objektit i është kthyer pronarit, ndërsa ndërtesa i është dhënë Bashkisë Belsh.

 Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve në Gjinar-Elbasan

 Sipas Hipotekës Elbasan, kjo shtëpi pushimi me 50 dhoma është në pronësi të KSSH, është dhënë disa herë me qira prej KSSH, nuk ka asnjë informacion mbi fatin e pagesave të qirave të dhëna, nuk ka asnjë informacion mbi pasuritë e luajtshme.

 Ja masakra me 5 pronat e sindikatave në Qarkun e Beratit

  Pallati i Kulturës Poliçan

 Sipas Hipotekës Skrapar, objekti është në pronësi të BSPSH, me kontratë qiraje midis BSPSH dhe Bashkisë Poliçan, me afat 15-vjeçar. Ndërtesa është me 2 kate, ndodhet në qendër të qytetit, dhënë 100 % me qira, me përfaqësues kryetarin e BSPSH Gëzim Kalaja, nga 01. 05. 2005 deri 01. 12. 2020, pasuritë e paluajtshme janë zhdukur pa asnjë dokument.

 Shtëpia e Kulturës Kuçovë

 Nuk figuron në Hipotekën Kuçovë, në kundërshtim me ligjin është regjistruar si pronë në Hipotekën Berat. Ndërtesa gjendet në qendër të qytetit është në pronësi të Këshillit Sindikal të Konfederatës Shqiptare. Ajo është copëzuar e dhënë me qira shtetasve Shkëlqim Pallaveshi (kthyer në Bar-Kafe, loto-sport), Vladimir Vrusho (magazinë), pjesa tjetër është bibliotekë dhe administrohet nga Bashkia. Pasuritë e paluajtshme janë zhdukur pa asnjë dokument.

 Shtëpia e Re e Kulturës Kuçovë

 Sipas Hipotekës Kuçovë, ky objekt figuron në pronësi private të shtetasit Petrit Jaçe, blerë prej sindikatës, por nuk është regjistruar në sistemin hipotekor, mbasi është i papërfunduar (kolona) si ndërtesë dhe në hipotekë figuron akoma si “pasuri livadh”. Objekti (kolonat) është me 2 kate dhe ndodhet në qendër të Kuçovës. Është konstruksion objekt-kollona (dy kate) dhe ambienti përreth.

 Kinemaja Kuçovë

 Sipas Hipotekës Kuçovë objekti është i regjistruar në pronësi të shtetasit Skënder Jaçe, shitur prej BSPSH, por në hipotekë është në pronësi të shtetit. Ndërtesa ekzistuese ndodhet në qendër të qytetit Kuçovës.

 Pallati i Kulturës Tekstilisti-Berat

 Nuk figuron në Hipotekën e Beratit, ndërtesa është me 2 kate dhe ndodhet në qendër të qytetit të Beratit, administrohet 50 % nga BSPSH dhe 50 % nga KSSH, të dyja i kanë dhënë sipërfaqet me qira shtetasve Flamur Mjeshova, Përparim Tabaku, Mevlud Mjeshova, Maksim Çuedari, Ferdinand Dardha e Arjan Arifi, të cilët i kanë kthyer në bilardo, bar-kafe, dyqane të çdo lloji, salla lojërash, lotari sportive etj.. Nuk eksitojnë pasuri të luajtshme, ish-pronë e pallatit të kulturës, KSSH e BSPSH nuk kanë asnjë dokument për fatin e tyre.

Përparim HALILI