“Gylenisti” i shpëton ekstradimit në Turqi. Gjykata e Durrësit rrëzon kërkesën e Ankarasë

749
Gjykata e Durrësit rrëzoi kërkesën për ekstradimin e shtetasit turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia turke për terrorizëm. Seanca gjyqësore u zhvillua nën masa të larta sigurie.
Forca të shumta policore të maskuara dhe veshura me antiplumb, siç mësohet me kërkesë të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, kanë rrethuar Gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës, ndërsa shqyrtohej masa e arrestit të përkohshëm të vendosur ndaj 39-vjeçarit, që rezulton të jetë dënuar për arsye politike, si pjesë e lëvizjes gyleniste në Turqi.
Pasi dëgjoi palët, gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestin, po rrëzoi kërkesën për ekstradim duke e lënë të lirë shtetasin turk. Burime nga kjo gjykatë thanë se dokumentat e sjella nga pala turke në cilësinë e provave për të realizuar ekstradimin e 39-vjeçarit, një person me tituj shkencorë në vendin e tij, kanë qenë të pavlefshme nga ana juridike.
Aydogmus u kap disa ditë më parë në portin e Durrësit së bashku me familjen e tij, gruan dhe dy fëmijët, duke u përpjekur të kalojë kufirin me dokumenta udhëtimi të falsifikuara. Nuk dihet ende nëse do të ketë një reagim të ambasadës turke ndaj këtij vendimi të gjyqësorit shqiptar.
Sigal