Guvernatori i BSH-së, jo domosdoshmërisht shqiptar

567
Sigal


Guvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë jo domosdoshmërisht duhet të jenë me nënshtetësi shqiptare. Ky është propozimi i një grupi deputetësh, që kanë paraqitur në Kuvend një projektligj për ndryshimin e ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Përmes këtij propozimi kërkohet, shfuqizimi i fjalëve “shtetas të Republikës së Shqipërisë”, në pikën 3, të Nenit 44, të Ligjit për Bankën e Shqipërisë. Në relacionin bashkangjitur projektligjit deputetët argumentojnë se në kushtet kur, Kushtetuta nuk përcakton si kriter për zgjedhjen e Guvernatorit apo anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, shtetësinë shqiptare, atëherë nuk ka pse ky kufizim të jetë në ligj, me shpjegimin se Kushtetuta prevalon mbi të gjitha ligjet.

Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 161, pika 2, përcakton: “Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhje”.

Ligji për Bankën e Shqipërisë, në nenin 44, pika 3, përcakton: “Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë, persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë: ..”.