Grupimi Qytetar: Elivar Golemi të lirohet, JO drejtësi me 2 standarte!

76
Sigal

TIRANE – Në pritje të daljes para Gjykatës së Lartë, të ish-Inspektores së Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, e cila prej dy muajsh mbahet në qeli, një Grupim Qytetarësh shqiptarë, kanë bërë thirrje për ndërgjegjësim të opinionit publik, për lirimin e Golemit dhe gjykimin e saj në gjendje të lirë.

Përmes një mesazhi ndërgjegjësues, Grupimi i Qytetarëve, e cilëson si të padrejtë mbajtjen në qeli të ish-Inspektores Golemi, duke e cilësuar si një person të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë, që pritet të merret më 5 nëntor nga Gjykata e Lartë.

Në këtë kontekst, Grupimi Qytetar bën thirrje për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë, që duhet të zbatohet nga ana e organeve të drejtësisë, referuar lirimit të ish-Guvernatorit Ardian Fullani, pavarësisht akuzës së njëjtë ndaj të tyre, ajo e shpërdorimit të detyrës, në skandalin e vjedhjes së thesarit të BSH.

Më tej theksohet se edhe arrestimi i Golemit është bërë në kushtet e shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut, ndërsa e cilësojnë vendimin e marrë nga Gjykata e Apelit për lënien e saj në qeli, si një drejtësi me dy standarte. Për të gjitha këto Grupimi i Qytetarëve, i bën thirrje Gjykatës së Lartë dhe opinionit publik që të ndërgjegjësohen dhe të lënë të hetohet në gjendje të lirë ish-Inspektoren e Përgjithshme të BSH.

Më poshtë mesazhi i plotë ndërgjegjësues i Grupimit të Qytetarëve:

Duke vlerësuar rëndësinë e posaçme të ngjarjes së Bankës së Shqipërisë, ne, një Grupim Qytetarësh shqiptarë, vlerësojmë në të njëjtën kohë pozicionin e ish-Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, ndërgjegjësimi për të cilën, ne gjykojmë, së është i domosdoshëm. Elivar Golemi duhet të hetohet e lirë. Në datën 5 Nëntor 2014, Gjykata e Lartë do të rivlerësojë masën e sigurimit për akuzën ”shpërdorim detyre”, akuzë që klasifikohet si vepër penale me rrezikshmëri jo të lartë shoqërore dhe nuk justifikon qëndrimin në burg prej dy muajsh të një personi të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë. Rasti i Elivar Golemit duhet të kthehet në precedent për të ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë, në zbatimin e parimit, se ligji është i barabartë për të gjithë dhe si i tillë duhet të zbatohet nga organet e drejtësisë.

-Ish-Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë ka kryer maksimalisht vetëm detyrën, duke respektuar ligjin me standardet më të larta në shërbim të pozicionit profesional dhe detyrimit si qytetare e mirë e Republikës së Shqipërisë. Ajo është e pafajshme dhe mbahet në qeli kundër ligjeve kushtetuese dhe kundër të gjitha të drejtave njerëzore.

-Arrestimi i saj u bë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe kushtet e mbrojtjes të të drejtave të njeriut. Megjithë bashkëpunimin prej dy muajsh me prokurorinë, ajo nuk u thirr asnjëherë të dëshmonte. Prokuroria shpalosi një frymë inkuizitore të pashembullt dhe të padenjë për asnjë qytetar të Republikës së Shqipërisë.

-Masat e sigurimit nuk duhet të kthehen në mjet presioni apo dënimi për këdo ndaj të cilit mund të ngrihet një akuzë. Për më tepër, në rastin e Elivar Golemit, brenda te njëjtit procedim me ish-Guvernatorin, gjykata zbatoi standarde të ndryshme që janë juridikisht të papranueshme dhe tërësisht antiligjore. Sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Drejtësia me dy standarde është padrejtësi.

-Ky mesazh ndërgjegjësimi ka për qëllim që të frenojë frymën populiste mbi të cilën sot, për fat të keq, hetohen dhe gjykohen qytetarët shqiptarë, duke përdorur standardet e dyfishta të gjykimit në dëm të jetës së individit dhe zhvillimit shoqëror. Ky nuk është shpërdorim detyre, por shpërdorim personi.

-Ish-Inspektorja e Përgjithshme ka raportuar periodikisht pranë Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me gjithsej 11 raporte periodike e rekomandime mbi kontrollet e brendshme për periudhën Mars 2011 – Korrik 2014. Gjatë periudhës Mars 2011 – Korrik 2014, janë ushtruar gjithsej 43 auditime për funksionet dhe proceset e Bankës së Shqipërisë, nga të cilët 23 auditime përfshijnë detyra të kontrolleve të brendshme kontabël duke përfshirë dhe 3 auditime pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë periudhës Mars 2011 – Korrik 2014 janë adresuar gjithsej 265 rekomandime, nga të cilat 11 janë adresuar vetëm për Departamentin e Emisionit. Detyrat e Inspektores së Përgjithshme dhe Departamentit të Kontrollit nuk janë ”Mbikqyrja e vazhdueshme” apo ”Inventarizimi fizik” i Arkave, por vlerësimi se si funksionojnë këto mekanizma kontrolli.

-Elivar Golemi ka punuar në Bankën e Shqipërisë që në vitin 2003, dhe reputacioni i saj profesional është tërësisht korrekt. Kolegët e dëshmojnë. Aktiviteti i ish-Inspektores së Përgjithshme dhe Departamentit të Kontrollit është vlerësuar pozitivisht nga institucione kombëtare e ndërkombëtare si: Banka Qendrore Evropiane, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Kontrolli i Lartë i Shtetit.

-Pafajësia e ish-Inspektores së Pëgjithshme do të provohet. Deri atëherë, bëjmë thirrje me zërin e çdo qytetari të ndershëm që Gjykata e Lartë të vlerësojë padrejtësinë ndaj gjykimit të saj të mëparshëm dhe Elivar Golemin ta lërë të lirë.Së fundmi, por jo nga rëndësia:

Jeta e një shqiptari të pafajshëm është e barabartë me ekzistencën e vetë flamurit kombëtar. Mbrojtja qytetare duhet të jetë për të dy njësoj, sepse ekzistojnë pazgjidhshmërisht në sajë të njëri-tjetrit. Ky quhet integritet kolektiv. Në rast se ka humbur, duhet ta gjejmë. Grupimi Qytetar në mbështetje të Elivar Golemit.