Grupet e vlerësimit nisin bilancin e dëmeve nga përmbytjet në Prefekturën e Tiranës

709
Në Bashkinë Tiranë situata është drejt normalizimit të plotë dhe rreziku i përmbytjeve ka kaluar. Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari deklaron se grupet vlerësimit të dëmeve kanë nisur përllogaritjen e dëmeve në zonat e prekura nga përmbytjet, ndërsa janë marrë masat për të asistuar me ndihma, çdo familje që gjendet në vështirësi nga pasojat e kësaj situate.
Jahollari tha për ATSh se, në Bashkinë Tiranë raportohet se përmbytjet kanë prekur 200 familje. Ndërsa po mbahet në vëzhgim të vazhdueshëm nga specialistët, infrastruktura rrugore në Njësitë Administrative nr.11, nr.4, nr.6 dhe nr.8.
Aktualisht shpjegon ajo grupet e punës po punojnë për rikuperimin e dëmeve që kanë shkaktuar përmbytjet në Bashkinë Pezë në zonën e Bovillës dhe të Brrylit në Tiranë.
Ndërsa po mbahet nën kontroll zona e Kombinatit në periferi të kryeqytetit, pasi mund të ketë rrëshqitje të dherave në disa pjesë rrugore.
Sipas të dhënave nga Prefektura, në Bashkinë Kamëz, përmbytjet kanë prekur 600 familje dhe strukturat përkatëse po punojnë në zonën e Valiasit për normalizimin e plotë të situatës së përmbytjeve, ndërsa po ndahen ndihma në zonën e Laknasit.
Jahollari tha se nga të pesta bashkitë e Prefekturës Tiranë, Bashkia Rrogozhinë rezulton me bilancin më të vogël të dëmtimeve.
“Në Rrogozhinë rezultojnë dëmtime të papërfillshme nga përmbytjet. Vetë 2 familje dhe rreth 50 hekatë tokë bujqësore, u përfshinë në situatën e përmbytjeve dhe që tashmë janë kthyer në gjendje normale”, tha Prefektja.
Ajo shpjegoi se në Bashkinë Vorë, raportohen 50 familje të prekura nga përmbytjet në zonën Fushë-Prezë, Berzull dhe Vorë ndërsa në zonën e Vorës janë 20 biznese të dëmtuara nga përmbytjet.
Bashkia Kavajë ka raportuar 33 familje të dëmtuara. Ndërsa 60 familje rome të kësaj bashkie janë akomoduar në ish-repartin ushtarak dhe po asistohen me ndihma ushqimore dhe mjete të tjera nga Kryqi i Kuq Shqiptar.
Jahollari bën me dije se “kemi mbledhur të gjitha kërkesat për të raportuar në Komitetin e Emergjencave Civile nevojat dhe ndihmën për të rikuperuar situatën dhe kthimin në normalitet”.
Sigal