Greva e shërbimit urban, palaçollëk që vjen “erë” babëzi pronarësh dhe… turp sindikal

562
Sigal

“TELEGRAF”, nëpërmjet një investigimi të bërë mes grevistëve dhe pronarëve të autobusëve, zbuloi skenarin, qëllimin dhe organizatorët e vërtetë të grevës, ku rezultoi se sindikata është “zar”

Dje në Tiranë, afro 200 mijë qytetarë të të gjithë moshave, nuk patën mundësi të shkojnë me autobusët urbanë në punë, shkolla, kopshte, çerdhe, banka, spitale, tregje, universitete në shtëpi e destinacione të tjera sipas nevojave të tyre, mbasi në kryeqytet u bllokua 100% shërbimi i transportit urban. Ky bllokazh shërbimi, ndodhi edhe në 3 orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë. Autobusët nuk u nxorën në punë nga 8 shoqëritë e licencuara të transportit urban. Shkak ishte greva që organizoi sindikata e këtij sektori, me kërkesën për rritjen e çmimit të biletës së udhëtimit nga 30 lekë të reja që është aktualisht, në 70 lekë të reja. Shtrohen 3 pyetje: Kush dhe përse e inskenon realisht këtë grevë? Përse nuk protestojnë vetë shoqëritë e autobusëve, por nxjerrin si “zar” sindikatën dhe çfarë pazaresh bëjnë me të? Nisur prej kostos reale, cilësisë, etikës dhe profesionalizmit, a meriton shërbimi urban në Tiranë rritje të çmimit të biletës? Në këtë grevë, a është sindikata në pozicionin e duhur statutor dhe sipas misionit të saj sindikal?

 Palaçollëku i sindikatës, në vend të bëjë grevë për punëtorët e lënë pa paga, bën grevë në mbrojtje të pronarëve që i kanë lënë pa paga!

 Nisur prej detyrimit statutor të sindikatave dhe kodeve e ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e tyre, rezulton se greva e sindikatës së autobusëve të shërbimit urban është një palaçollëk sindikal, që dëshmon qartazi e plotësisht, se në çfarë derexheje është katandisur një pjesë e sindikatave shqiptare. Kjo grevë e përsëritur me të njëjtën formë, përmbajtje, skenar dhe personazhe sindikal e pronarë autobusësh në 3 vitet e fundit, dëshmoi edhe këtë radhë, se në çfarë lojërash e pazaresh amorale futen e zhgërryhen drejtuesit e përjetshëm të sindikatave pa sindikalistë, që tamam si “qehallarët” e kohës së osmanizmit, prej 25 vitesh tundin çelësa e vula, duke u vetë-shpallur si të tillë. Mjafton të “analizosh” profilin e grevës së shërbimit urban të Tiranës dhe bindesh se sindikatat shqiptare janë tjetërsuar në “zare” të punëdhënësve, të pronarëve, të politikës, të pushtetit qendror e lokal, të cilët shtrydhin punonjësit, i përdorin ata për interesat e tyre dhe si shpërblim “ushqejnë” drejtuesit e sindikatave me ndonjë “qese lekë”,  për të mbyllur gojën kur duhet ulëritur për të drejtat e cenuara të punonjësve dhe për “lehur” në favor të interesave të pronarëve e shtetarëve, siç po vepron sindikata e shërbimit të autobusëve urban në Tiranë. Po e argumentoj… Dje, shërbimin urban në Tiranë e pezulloi për 24 orë greva e organizuar nga një prej 93 sindikatave të transportit urban, që ekzistojnë vetëm si vendime gjykate, zyra dhoma-gjumi, vula, sekretare dhe kryetarë. Sindikata (kryetari) që organizoi grevën e shërbimit të transportit urban, prej 3 vitesh ka krijuar dhe po prezanton modelin e “sindikatës levë”, që komandohet e hidhet në veprim prej… punëdhënësve, në rastin konkret prej pronarëve të 8 shoqërive private të autobusëve urbanë që veprojnë me transport në 14 linjat e këtij shërbimi në Tiranë. Çfarë ka si përmbajtje greva? Ka absurdin dhe skandalin sindikal, që sindikata ka dalë në shesh dhe po kërkon rritjen e çmimit të biletës, që është pjesë e aktivitetit të punëdhënësit (pronarit)! Ky është absurdi! Skandali është fakti që sindikata ngrihet në grevë dhe ndalon punën, me kërkesën që të shtohen fitimet e pronarëve! Nuk ndodh askund në botë ky palaçollëk sindikal, që vjen “erë”…turp sindikal! Siç dihet, sindikata e ka të përcaktuar me Kod Pune, me ligjin për sindikatat, me programin e sindikatës dhe me statutin e sindikatës, që mbron vetëm interesat sociale-ekonomike të punonjësve të punonjësve në oponencë të fortë me punëdhënësin (pronarin), të cilat nisin që nga e drejta e kontratës së punës kur punësohen, e deri tek e drejta e pagës së 13-të në çdo fund viti. Dëgjova kreun e sindikatës, ish-shoferin pensionist Zija Hasanaj, që tha: shoferët dhe fatorinot nuk kanë marrë pagat prej 3 muajsh! Pyesim: Kush e ka detyrim t’ua jep pagat? Përgjigjja: Pronarët e autobusëve! Pyesim: Përse nuk ua japin pagat? Përgjigjja: Pronarët nuk kanë fitime se është i ulët çmimi i biletës! Pyesim: Po, ç’ punë ka sindikata me fitimet e pronarëve, kur sipas statutit, në rastin konkret ajo ka lidhje vetëm me pagat e punonjësve?! Cili statut, program, Kod Pune e ligj sindikate, i jep të drejtën sindikatës “Hasanaj”, të bëjë grevë në mbrojtje të kërkesës së pronarëve për rritjen e çmimit të biletës, kur në rastin konkret, duhet të protestojë kundër pronarëve të autobusëve, që prej 3 muajsh nuk paguajnë punonjësit?!

 Investigimi/ Ja çfarë thonë shoferët dhe fatorinot për të vërtetën e grevës…

 Dje, isha mes grevistëve shoferë e fatorino të shërbimit urban të Tiranës. Për të vërtetuar fjalët që qarkullojnë në Tiranë, lidhur me prapaskenat e kësaj greve të inskenuar e të financuar prej të babëziturve (pronarëve) që kanë në dorë licencat e shërbimit urban të Tiranës, ne kryem një investigim me biseda si “mes kolegësh” me disa shoferë e fatorino që gjendeshin në shesh. Ja investigimi:

“TELEGRAFI”: – Po juve të linjës së Kamzës, kush u organizoi në grevë?

FATORINO: – Të martën, përpara se të fillonim turnin, na bëzajti dispeçeri dhe na dha urdhër të prerë që të mërkurën, 3 orët e para të mëngjesit, nuk do t’i nxirrnim autobusët në linjë, se do bëhej grevë e sindikatës, e kishte vendosur sindikata me bosët!

“TELEGRAFI”: – Kështu na urdhëruan edhe neve të Unazës, na thanë se pronarët kishin  premtuar që do na e paguajnë ditën e grevës!

SHOFER: – Kështu na thanë edhe neve të Institutit dhe e kanë mbajtur fjalën edhe  herë të tjera kur pronarët na kanë nxjerrë në grevë për çmimin e biletës, na i kanë paguar ditët dhe orët e punës që kemi ndalur!

“TELEGRAFI”: – Këta të “Tirana e re”, më thanë se ka folur kryetari sindikatës (Zijai) me pronarët e linjave, që të vazhdojmë grevën, deri sa të rritet çmimi i biletës dhe çdo gjë do paguhet”.

SHOFER: – Kështu na thanë edhe neve, po ne nuk kemi leverdi se nxirrnin edhe ndonjë “dorë lekë” kështu mo… me ato marifetet tona sa për kafe, raki, byrek e cigare!

“TELEGRAFI”: – Nuk e di për juve por neve të Porcelanit, na kanë porositur të mos harrojmë të themi përpara kamerave, që kemi 3 muaj pa marrë pagat.

FATORINO: – Edhe neve të Laprakës, kështu na porositën të themi që çmimi i ulët i biletës na ka lënë 3 muaj pa paga se pronarët nuk kanë fitime.

“TELEGRAFI”: – Në fakt ne i kemi marrë pagat rregullisht.

FATORINO: Edhe ne jemi në rregull me pagat, rrogën e fundit na e dhanë 3 ditë para nisjes së grevës, nga data 8 shkurt.

 “TELEGRAFI”: Doja të mos vija në grevë, se kisha një hall familjar, por ma thanë se do bëhej apel në vendin e grevës nga sindikata dhe dispeçerët me listë bordero.

FATORINO: Ç’a thu he burrë, ty të kishte ikur vendi punës po të mos vije, na i tha dhe kryetari sindikatës (Zijai) dhe dispeçeri: Kush nuk del në grevë për çmimin e biletës, fluturon nga puna, për këtë ditë ju duam…”

“TELEGRAFI”: (Me një pronar linje). Mirë që paskan ardhur të gjithë shoferët e fatorinot në grevë, se edhe ndodh që nuk vijnë, demokraci hesapi!

PRONARI: U kam dhënë urdhër të prerë dispeçerëve dhe sindikatës, të nxjerrin gjithë punonjësit në grevë, kush nuk del ikën nga puna, kam vendosur edhe “agjent” për të  bërë verifikimin.

“TELEGRAFI”: Mirë që nuk reagon sindikata, që urdhëroni punonjësit të hidhen në grevë.

PRONARI: Ç’a lesh sindikate, ajo po bën lojën tonë për rritjen e çmimit të biletës, se ne nuk protestojmë dot, mbasi kemi kontratën të nënshkruar me bashkinë, me kusht për mos ndryshim të çmimit të biletës. Ndaj kemi hedhur si “zar” sindikatën për të ngritur punonjësit në grevë, që të justifikohet rritja e çmimit të biletës, si kërkesë e sindikatës, jo e jona. Kryetari (Zijai) po e luan bukur rolin!

“TELEGRAFI”: – Në fakt, keni të drejtë që prej 3 muajsh, nuk po i paguani dot punonjësit me këtë çmim të ulët bilete, kur nafta, pjesët e këmbimit, taksat janë rritur..

PRONARI: – Jo mo, jo, i kemi paguar rregullisht, por këtë gjë e kemi sajuar për ta përdorur sindikata, si shkak që dikton rritjen  e çmimit të biletës.

“TELEGRAFI”: – Ndoshta edhe nuk del kostoja 300 lekë e biletës…

“PRONARI”: – Del e tepron, po jo aq shumë se na vrasin këto “gjobat” që na marrin nën dorë policët rrugorë, policia e shfrytëzimit, policët dhe shefat e bashkisë, mjedisorët, kolaudimet e lloj-lloj hajdutësh që ka shteti.

Ja 10 shqetësimet që ofron shërbimi urban në Tiranë

1. Shpejtësia e ecjes së autobusëve në të gjithë linjat është sa 30% e shpejtësisë së duhur.

  1.  Autobusët nuk mbahen pastër si higjienë e përgjithshme dhe nuk pastrohen në asnjë ndërrim turni.
  2.  Në shumë raste, sidomos në orët e para të mëngjesit dhe në orët e fundit të shërbimit në mbrëmje, fatorinot nuk i japin biletat nëse nuk ua kërkon.

4. Afro 70% e autobusëve janë të amortizuar dhe krijojnë ndotje akustike e mjedisore.

5. Drejtuesit e autobusëve, në 60% të rasteve, nuk i ndezin kondicionerët edhe pse qytetarët i kërkojnë, ose i ndezin pas konfliktesh mes palëve.

6. Në oraret e mesditës dhe të mbrëmjes, autobusët e disa linjave zbresin e hipin qytetarët nga një autobus në tjetrin në mes të udhëtimit.

  1.  Afro 60% e fatorinove futen në shërbim pa higjienë personale, pa uniformë, të dehur dhe përdorin fjalor banal.

8. Autobusët, në 70% të rasteve, qëndrojnë në stacione mbi kohën e përcaktuar, duke u tejmbushur, duke njoftuar me njeri-tjetrin me telefon.

9. Shoferët dhe fatorinot, në shumë raste bëjnë gara me njeri-tjetrin për pasagjerë, ose ndalin autobusët dhe konfliktohen në rrugë e brenda autobusëve me njeri-tjetrin, me gushte e me fjalor të shthurur.

  1.  Fatorinot nuk pranojnë certifikatat e veteranëve e të invalidëve, duke krijuar shpesh konflikte gojore e fizike e rrugaçërore.

42 mijë qytetarë abonentë, padi shoqërive të transporti urban për shkelje “kontrate”

 Greva 3 orëshe e datës 11 shkurt dhe greva 24 orëshe e datës 12 shkurt 2015, e bërë në transportin urban prej 8 shoqërive që janë licencuar prej Bashkisë Tiranë për këtë shërbim në 14 linja, nëpërmjet ndërprerjes së punës, kanë shkelur kontratën ligjore me qytetarët që janë pajisur me abone. Për këtë cenim të drejte, në shërbimin e detyrueshëm të parapaguar qysh në fillim të muajit me blerje aboneje udhëtimi, një përfaqësi e qytetarëve ka menduar t’i drejtohet gjykatës Tiranë, me akt-padinë civile ndaj 8 firmave private të transportit urban, të cilat i kanë lënë për transport në dy ditë, duke u cenuar të drejtën si abonentë të tyre të dokumentuar dhe për shkaktim dëmi në punë dhe në interesa të tjera që ata duhet të zhvillonin në këto dy ditë të grevës, duke udhëtuar brenda Tiranës me shërbimin e parapaguar të transportit urban. Në emër të 42 mijë qytetarëve që janë pajisur me abone dhe u është ndërprerë shërbimi gjykatës, do t’i drejtohet një përfaqësi e drejtuar nga Inxh. Serafin Skënderi. Në akt-padi, theksohet se aboneja mujore është shërbim i blerë me parapagesë, në vullnet të lirë mes dy palëve, qytetar-pronar linjash transporti dhe si e tillë ligjërisht quhet “kontratë shërbimi” e detyrueshme për zbatim prej shoqërive të transportit, që parashikohen në listën e linjave të transportit, të publikuara në abone. Po kështu, abonentët kërkojnë edhe nga Bashkia Tiranë, që 8 shoqëritë e licencuara të transportit urban, që u kanë ndalur shërbimin e detyrueshëm, të ndëshkohen sipas ligjit për shkelje të detyrimit kontraktual në shërbimin e transportit. Shoqëritë e transportit, sipas detyrimit, në raste defektesh të mjeteve, ose greva, janë të detyruara, që për qytetarët e pajisur me abone, të krijojnë shërbim me mjete alterantive.

Përparim HALILI