Greqia shqetësohet për greqizimin e Shqipërisë, jo për Kishën

688
Sigal

E vërteta e incidentit që krijuan disa besimtarë e priftërinj të importuar në Përmet

Deputeti grek i ND-së, Niqita Kaklamanis, ( i cili ishte kryetari i dështuar i Athinës) i kërkuar  ministrit të Jashtëm grek, në Kuvendin e Greqisë, “A do të ndërhyjë Greqia në institucionet e BE-së, si për sa i përket financimit të një vendi aderues, ashtu edhe për procesin e pranimit, pasi qeveria shqiptare jo vetëm nuk e pengoi aktin, por e fshehu vandalizmin dhe dhunën”. Pyesim: Vërtet politika greke shqetësohet për të drejtat e  ushtrimit të besimit fetar ortodoks në Shqipëri? Po të besojmë këtë, atëherë, i kujtojmë Athinës, se është politika e saj, që deri tani shkel të gjitha të drejtat ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, edhe në besimin fetar, derisa pengon me qëllim ndërtimin e një xhamie në kryeqytetin helen, edhe pse janë marrë nga qeveria greke vendimet përkatëse, sikurse pengon edhe ndërtimin e një varreze për myslimanët, po në Athinë. Tjetër. Incidenti në Përmet, nuk ka të bëjë aspak me ushtrimin e lirisë të besimit fetar, atë ortodoks konkretisht, pasi Kushtetuta e Shqipërisë e ka sanksionuar dhe është realiteti që dëshmon se në Shqipëri ekziston harmonia midis besimeve fetare. Përkundrazi me këtë realitet, politika greke ka ushtruar dhunë sistematike ndaj shqiptarëve, për t’i grekëzuar ata, duke i detyruar emigrantët shqiptarë që të ndryshonin emrin, mbiemrin, besimin fetar, ndryshe, i përzinte me dhunë nga Greqia. Politika greke nuk duhet të ndërhyjë e  të dyshojë zbatimin e vendimeve të Drejtësisë të një shteti. Vetë drejtësia greke ka dënuar spekulimet e korrupsionin e Igumenos Efrem, të Agios Oros, lidhur me pronësinë e tokave të Kishës dhe askush nuk dyshoi në vendimet e Drejtësisë greke. Politika greke nuk shqetësohet për pronësinë e një kishe, qoftë edhe në Përmet, pasi kisha është  Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Politika greke shqetësohet, sepse do të greqizojë pikërisht tokën, si “Vorio-Epir”, nëpërmjet pronësisë së një kishe, që ajo e cilëson Kishë Ortodokse greke dhe nuk e ka njohur kurrë Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ky është thelbi përse shqetësohet politike dhe diplomacia e Athinës. Ndaj, kjo shpjegon përse besimtarët dhe priftërinjtë që dhunuan institucionin shtetëror, Pallatin e Kulturës në Përmet, ishin të njëjtë ata që gërmuan dhe nxorën kockat e banorëve në Kosinë dhe i “pagëzuan” si eshtra të ushtarëve grekë, të vrarë në 1941.

Grekët duan  që ortodoksizmin shqiptar ta barazojnë me ortodoksizmin grek

Av. Idajet Beqiri

Të politizosh kaq ekstremisht një çështje të mirëfilltë ligjore, deri sa të bëhet debat në Parlamentin e Greqisë një çështje e pronësie në Përmet, pjesë ndërgjyqëse e së cilës është edhe Kisha Ortodokse Shqiptare e Përmetit, do të thotë që ekstremistët shovinist grek, me qenë se e kanë hedhur prej kohësh “benzinën” fondamentaliste, mezi presin që të gjejnë “sebepin” për t’i hedhur kësaj “benzine” edhe “shkrepësen”. Shiko sa larg shkojnë! Domethënë të zbatosh një vendim gjyqësor të formës së prerë të gjykatës, vendim, i cili ka fuqinë e ligjit, qenka mohim i “ortodoksizmit”! Kisha Ortodokse Autoqefale është e jona. Autoqefalinë e saj e kemi formësuar dhe e kemi mbrojtur me mendje ndriturin e Nolit dhe shqiptarëve të tjerë të mëdhenj, e kemi bërë të mbijetoi dhe t’i shpëtoi shovinizmit të pa skrupull grek qoftë edhe me jetën e korifenjve të ortodoksisë sonë si të Papa Kristo Negovanit etj., me radhë. Mjafton të lexosh me vëmendje deklaratën e deputetit grek në Parlamentin e Athinës, për të dal lehtësisht në konkluzionin që kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me qëndrime dhe veprime që duan të devijojnë thelbin përmbajtësor të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Duan që ortodoksizmin shqiptar ta barazojnë me ortodoksizmin grek, duan që përmes përvetësimit të ortodoksizmit shqiptar, të justifikojnë përrallat shoviniste me të ashtuquajturin “Vorio- Epir”, duan që përmes fesë ortodokse, që udhëheq “me largpamësi” greku i pagdhendur Janullatus, shqiptarët të mos kërkojnë trojet e tyre shekullore të Janinës, të Konicës, të Selanikut, të Korfuzit, dhe gjithë Trevën e Çamërisë deri në Gjirin e Artës. Problemi i Kishës në Përmet nuk është problem grek, por është një problem shqiptar.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese,  janë më të shenjta nga fjala e kreut të Kishës”

At’ Nikolla Marku

Unë mendoj se, pas atyre reagimeve të disa besimtarëve ortodoksë në Përmet, duan të japin atë përshtypje që sikur gjithë besimtarët ortodoksë janë hidhëruar. Në asnjë mënyrë, askush tjetër besimtarë ortodoksë shqiptarë nuk është hidhëruar për atë punë. Duam që të zbatohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese, të rivendoset nderi i kësaj gjykate. T’i jepet një mësim i mirë Janullatosit, që të mos bëjë më ndërhyrje të tilla, sepse nuk është e dobishme që të themi që Janullatosi sulmoi institucionet historike, dhunoi Pallatin e Kulturës, që për popullin  e Përmetit  ka qenë një nga vendet më të shenjta, sepse mbart dhe njehson historinë e tij. Janullatosi me dhunë mori edhe shkollën Normale në Elbasan dhe u detyrua ta kthejë. Po ta shikosh në esencë, edhe Ministria e Jashtme greke ka vepruar shumë keq me reagimet e saj. Fan Noli ka thënë që: ‘Kisha Ortodokse nuk është vetëm e ortodoksëve, por edhe e gjithë shqiptarëve’. Nuk mundet një besimtar fetar të ndërmarrë akte të tilla dhune, për të mbrojtur diçka që nuk është reale, që bie ndesh me vendimet e gjykatave. Si arrin besimtari që të besojë kreun e kishës së tyre, që është nënshtetas i huaj dhe nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Po të vihet në balancë ato, vendimet e Gjykatës Kushtetuese,  janë më të shenjta nga fjala e kreut të Kishës. Kishës ortodokse  Autoqefale shqiptare  nuk i ka ndodhur asgjë e keqe. Në një shtet ligjor e demokratik, edhe detyra e policit që mbron ligjin është po kaq e shenjtë sa edhe detyra e priftit.

“Ç’thotë Tirana për Vorio-Epirin”

Agron MEMA

Këto ditë të acaruara të politikës së fqinjësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, duhet të hedhim sytë edhe tek e kaluara. Po pse përsëri Përmeti? Po t’i hedhim një sy historisë së daulles së Vorio-Epirit që nga Portokolli i Korfuzit e deri sot, Përmeti ka qenë epiqendër e goditjes së veprimtarisë shoviniste greke deri në ditët e sotme. Por në këtë shkrim nuk do bëj shumë histori të veprimtarisë shoviniste greke në jug të vendit, ku epiqendër ka patur Përmetin. E bëra sa për hyrje, se duke biseduar me një mik, po për ngjarjet e ditës në Përmet, më nxori nga xhepi një gazetë të vjetër greke që datonte më 20 Dhjetor 1963. Gazeta greke “Kathemerini” në numrin e saj të kësaj date të këtij viti të largët, por plotë ngjarje politike për Shqipërinë, i kushton një vend të dukshëm shkrimit të Mihalis Kacijeras me titull “Ç’thotë Tirana për Vorio-Epirin” dhe në krye të shkrimit ka vendosur fotografinë e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës me Nikita Hrushovin në mes. Një foto, ku të tre kanë dalë me fytyra të qeshura e gazmore. Jo pa qëllim redaksia e kësaj gazete ka ilustruar këtë shkrim me këtë foto po të shikojmë tekstin. Ja çfarë shkruhet në artikull: … Qeveria shqiptare kundërshtoi dje marrëveshjen shqiptaro-greke për marrëdhënie tregtare të kërkuar nga Greqia. Ne bëjmë marrëdhënie menjëherë me shqiptarët, por në qoftë se Shqipëria jep “OK” për të drejtat e minoritetit, kjo sipas portokollit të Korfuzit. Greqia nuk kërkon ndryshim kufijsh, por këto të drejta të minoritetit brenda Shqipërisë. Këtë vendim e ka marrë Sofokli Venizellosi në vizitën e tij në BS, në cilësinë e ministrit të Jashtëm grek më 1960, ku takoi vet udhëheqësin sovjetik në Moskë, Nikita Hrushovin, pasi kthehej nga Parisi. Venizellos i parashtroi Hrushovit se, me shqiptarët jemi miq, por kërkojmë të drejtat e minoritetit, por qeveria shqiptare nuk e zbatoi këtë kërkesë. Venizellosi këtu i referohet RTSH-së, pasi sipas tij, televizioni shqiptar në një koment politik, ka argumentuar që çështja e Vorio-Epirit është një çështje e vjetruar. Komentatori shqiptar vijon të shprehet, sipas Venizellosit në ankesën e tij ndaj Hrushovit, se Vorio-Epiri është pjesë e pashkëputur e Shqipërisë dhe ka sulmuar ashpër atë (Venizellosin) si ministër të Jashtëm grek, pasi, sipas komentatorit shqiptar, vazhdon akoma politikën imperialiste të babait të tij për Greqinë e madhe në kundërshtim me gjitonët. Sipas gazetës greke, Hrushovi, pasi ka dëgjuar ministrin e Jashtëm grek, i ka thënë atij, se autonomia do bëhet se, edhe BRSS ka të tilla probleme dhe kur ai, Hrushovi, të shkojë në Shqipëri, do t’u kërkojë shqiptarëve t’u japin autonominë minoritetit etnik grek. Gazeta greke e përfundon komentin e saj me fjalët se, komentatori shqiptar në fund të komentit të tij u mburr me fjalët se populli shqiptar do ta mbrojë me të gjitha forcat pavarësinë e tij.