Greqia nis hetimet për vrasjen e Kostandin Kacifas

305

Vrasja e ekstremistit minoritar Kostandin Kacifas në 28 tetor të vitit kaluar në fshatin Bularat të Gjirokastrës po hetohet edhe nga autoritetet greke.

Mediat e vendit fqinj raportojnë se prokuroria publike greke do të kërkojë informacion dhe të dhëna nga drejtësia shqiptare mbi detajet e operacionit pasi në gjykimin e saj ende nuk është vërtetuar se Kacifas është vrarë nga Forcat Speciale shqiptare.

Hetimi është hapur për akuzën “vrasje e qëllimshme, e kryer në bashkëpunim”, ndërsa do të thirren ekspertët grekë të mjekësisë ligjore.

Mediat greke duke ju referuar prokurorisë shkruajnë se autoritetet shqiptare nuk i janë përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të familjes Kacifas mbi rrethanat e vdekjes së 35-vjeçarit.

Prokurori Konstantinos Simitzoglou e ka nisur punën me marrjen e dëshmive nga familjarët e minoritetit grek dhe mjekut ligjor. Ai do të kërkojë nga autoritetet shqiptare detaje të policëve të përfshirë në operacion.

Më herët nëna e Kacifas duke folur për mediat ka greke ka deklaruar se kërkon arsyet e vrasjes së të birit.

“Ne duam të dimë pse fëmija ynë u vra. Ai dha një mesazh për Greqinë dhe Epirin e Veriut. Ata e vranë atë padrejtësisht, ai nuk bëri asgjë. Ai e donte flamurin e kombit. Fajtorët duhet të dalin në dritë. Ai ishte një fëmijë i qartë dhe i mirë”, është shprehur ajo.

Ndërsa e motra e 35-vjeçarit, Ermioni Kacifa akuzon drejtësinë shqiptare për vonesa të qëllimshme nga drejtësia shqiptare dhe se familja po priste përgjigje se kush e vrau vëllanë e saj.