Greqia i “vjedh” pensionin emigrantëve shqiptarë

1717
Sigal

Nga Shpëtim Zinxhiria

Sigurimet shoqërore: Kontributi i emigrantëve shqiptarë i barabartë me dy vite të kontributeve të gjithë Greqisë

Sipas ekspertëve, 300 mijë shqiptarë do të humbasin pensionet e tyre pas një dekade

Kontributet e qytetarëve shqiptarë ka vite që po vidhen në Greqi, përballë shtetit shqiptar që në 10 vitet e fundit nuk është ndjerë për padrejtësitë që po u bëhen qytetarëve tanë lidhur me njohjen e kontributeve te tyre. Heshtja e shtetit shqiptar që nga Nëntori i vitit 2008 deri më sot tregon qartë interesimin lidhur me këtë problem, ku ekspertët theksojnë se, pas një dekade rreth 300 mijë shqiptarë do të humbasin pensionet e tyre të pjesshme. Greqia dhe Italia janë i vetmi vend që nuk u njeh vitet e punuara të emigrantëve për marrje të pensionit të pjesshëm, një padrejtësi e madhe, që një vend i BE-së, i grabit mundin dhe djersën e derdhur emigrantëve tanë, duke shkelur çdo ligj ndërkombëtar. Shqipëria hesht!

Por pyetja shtrohet se, ku shkojnë ensimat (ditët e punuara) të emigrantëve shqiptarë në Greqi, kush i përvetëson ato? Konkretisht në Sigurimet Shoqërore EFKA janë të siguruar rreth 140 mijë shqiptarë që përbëjnë mbi 8% të ardhurave. Por, po të bëjmë një llogari të thjeshtë gjatë 25 viteve, të ardhurat e kontributeve të shqiptarëve në Greqi janë të barabarta me dy vite të kontributeve të mbarë punonjësve grekë. Është kjo shumë marramendëse që sa vjen dhe po rritet në një kohë që shkon për pensionet e vendasve dhe në dëm të shqiptarëve, të cilëve padrejtësisht u vidhet nga shteti grek. Kontributet e shqiptarëve janë individuale dhe personale, janë lekë të depozituara në arkën e shtetit dhe ligjërisht u përkasin emigrantëve shqiptarë dhe askujt tjetër, asnjë nuk ka të drejtë të lozë me pensionet e shqiptarëve, t’i marrë ato dhe të bëjë ç’të dojë. Faktikisht me shtetin fqinj grek janë zhvilluar edhe dy takime të nivelit ministror, si dhe tre takime në nivel specialistësh, ku i fundit më 2008 ka qenë me Institucionin e Sigurimeve Shoqërore Shqiptare. Për mbrojtjen sociale të emigranteve shqiptare është organizuar në Tiranë Konferenca rajonale Ministrore, ku është shprehur gatishmëria për bashkëpunim e legjislacionit në fushën e sigurimeve shoqërore, por siç dihet deri më sot ka pasur vetëm premtime. Mesazhi është i qartë edhe sa dekada të tjera duhet të kalojnë për të ndërgjegjësuar shtetin shqiptar, për të kuptuar një herë e përgjithmonë, se pensioni merret në vendin qe jeton dhe punon. Edhe sa kohë duhet të kalojë që qeveria shqiptare të kuptojë që kontributi i emigrantëve të kudondodhur në sigurimet shoqërore shqiptare përbën një shkelje të ligjit, dhe një vjedhje haptazi që u bëhet këtij komuniteti.