Greqia është e domosdoshme të reflektojë në gjenocidin ndaj hebrenjve e shqiptarëve

993
Dr. Qemal Lame

Greqia kujton dhe feston zyrtarisht në çdo 25 mars, ditën e fillimit të Revolucionit në vitin 1821 për çlirimin e saj nga osmanët. Shqiptarët urojnë popullin grek për këtë ditë historike. Me këtë rast, kemi të drejtë të rikujtojmë, theksojmë e vlerësojmë me nderime edhe kontributin e shqiptarëve në arritjen e fitores kundër osmanëve dhe krijimin politik e gjeografik të Shtetit të Ri të Greqisë. Kjo ditë, 25 marsi, është edhe një ditë e historisë akuzuese të gjenocidit e të shovinizmit grek kundër hebrenjve e shqiptarëve. Në mëngjesin e 25 marsit 1944, trupat pushtuese gjermane, në bashkëpunim dhe me ndihmën edhe të trupave të xhandarmërisë greke, Batalioneve të Sigurimit grek të komanduar direkt nga kryeministri kuisling, Joani Ralli, realizuan gjenocidin e hapur publik kundër hebrenjve. Ata rrëmbyen dhe hipën nëpër kamionë ushtarakë rreth 1.725 burra, gra, pleq e fëmijë të komunitetit hebre, të cilët do të dhunoheshin dhe grumbulloheshin nga i gjithë Epiri në dy qendra internimi, dëbimi e shfarosjeje në masë. Këta ishin hebrenjtë që prej disa shekujsh jetonin në Epiri. Në një ditë fatkeqe, nazistët gjermanë në bashkëpunim me shovinistët grekë, i nisën për në kampet naziste të shfarosjes në Austri. E vërteta historike nuk harrohet. Ajo është përjetuar nga viktimat dhe e dokumentuar zyrtarisht. Në bazë të provave të dëshmitarëve dhe dokumenteve zyrtare të asaj kohe, nuk pati asnjë reagim nga qeveria vendore. Është fakt se nuk pati reagime edhe nga popullata ortodokse greke! Nuk mund të fajësohet populli i pafajshëm. Fajësia qëndron tek pushtetarët dhe klerikët që mbështetën pushtuesit nazistë dhe realizuan njëkohësisht edhe politikën e tyre shoviniste. Operacioni i gjenocidit e shfarosjes së hebrenjve do të drejtohej nga Qeveria Gjermane në bashkëpunim me Qeverinë e Greqisë dhe do të realizohej nga policia greke dhe ushtria pushtuese gjermane. Vetëm 3 orë në dispozicion iu lanë hebrenjve atë ditë për t’u bërë gati dhe larguar nga shtëpitë e tyre. Pas këtij afati vdekjeprurës, do të realizohej marrja e shoqërimi me dhunë i banorëve të pafajshëm dhe do të shkatërrohej e përvetësohej, vidhej publikisht e zyrtarisht, pasuria e tyre. Opinioni publik i Greqisë dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare e njohin këtë ditë të gjenocidit të dokumentuar edhe në fotot e botuara në median greke dhe atë ndërkombëtare. Kanë kaluar 73 vjet dhe vazhdon të kujtohen me dhimbje të thellë, viktimizimi i popullit të pafajshëm hebre. Në fotot e publikuara, ndjehet dhimbja njerëzore për dëshpërimin, lotët tek hebrenjtë martirë të Epirit, të cilët u nxorën me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe me një valixhe në dorë u nisën drejt kampeve të vdekjes, për të mos u rikthyer kurrë më në shtëpitë e tyre. Gjenocidi dhe shovinizmi i politikës së Qeverisë së Greqisë, si dhe bashkëpunimi e veprimtaria demonstrative e përbashkët ushtarake e Qeverisë së Greqisë me Qeverinë e Gjermanisë naziste, janë disa nga akuzat e krimeve të Luftës së Dytë Botërore. Këto janë akuzat akoma të pa ndëshkuara ligjërisht për aktet e shumta të bashkëpunimit të Qeverisë së Greqisë me Qeverinë e Gjermanisë naziste të Hitlerit. Në këto krime lufte, dokumentohet qartë politika shoviniste qeveritare e fetare të ultra-nacionalistëve grekë për pastrimin e Greqisë nga minoritetet shqiptare dhe hebrenjtë. Me këtë dëshmi historike, kemi të drejtë të bëjmë të njohur publikisht dhe ndërkombëtarisht falsifikimin e historisë nga Qeveria, studiuesit e klerikët ultra-nacionalistë grekë, të vërtetën se shqiptarët e Çamërisë nuk kanë bashkëpunuar me nazistët gjermanë. Theksojmë, se nëse do kishte një bashkëpunim të shqiptarëve të Çamërisë me gjermanët nazistë, e drejta për të kallëzuar dhe akuzuar ndërkombëtarisht, do të ishte bërë me kohë nga bashkësia e hebrenjve të Epirit dhe Qeveria e Izraelit. E vërteta historike e mbështetjes së pakufizuar të hebrenjve nga shqiptarët, vlerësohet e nderohet kudo nga hebrenjtë, Qeveria e Izraelit dhe bashkësia ndërkombëtare. Greqia është e domosdoshme të reflektojë në politikën e saj shoviniste antishqiptare e antihebreje. Greqia është e domosdoshme të reflektojë në njohjen dhe respektimin e normave ndërkombëtare për rikthimin e shqiptarëve çamë myslimanë të gjenociduar dhe të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. Njohja e fajësisë për të kaluarën dhe reflektimi në politikën aktuale, janë të domosdoshme për të zgjidhur me drejtësi problemet e mbetura në heshtje nga e kaluara, arritjen e marrëveshjeve me interes të përbashkët, barazi e miqësi midis qeverive e popujve të Shqipërisë e të Greqisë. Qeveria e Parlamenti i Greqisë kërkohet të dëshmojë përgjegjësinë ndaj së kaluarës, ashtu si vepron me nder e dinjitet edhe Qeveria e Parlamenti i Gjermanisë, për dënimin dhe distancimin nga e kaluara naziste, antisemitizmi e politika luftënxitëse, duke ndërtuar marrëdhënie miqësore me hebrenjtë në vetë Gjermaninë demokratike dhe Shtetin e Izraelit. 


Sigal