Grekët votojnë në favor të çamëve

641
Sigal

SARANDË/ Mbledhja e Këshillit Bashkiak, votohet me 5 vota kreu i ri i Ujësjellësit, zgjidhet përfaqësuesi i PDIU-së

Paraditen e së martës, pas një kohe përplasjesh mes Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë së Sarandës, është mbledhur bordi i Ujësjellësit për të zgjedhur titullarin e ri të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve pas dorëheqjes së drejtorit Qesko Çakalli pak ditë më parë për arsye skadence të afatit, sipas statusit të kësaj shoqërie. Përplasjet kanë qenë të habitshme deri në çoroditje të opinionit për të kapur kreun e drejtimit të njërës nga ndërmarrjet më kryesore të qytetit, mes bashkisë dhe Këshillit Bashkiak, ku me vendim të këtij të fundit ju hoq e drejta Kryebashkiakut, Stefan Çipa si kryetitullar i bordit drejtues. Replikat kanë qenë të shumta nëpër konferenca shtypi dhe shkrime e emisione mediatike e shoqëruar me paradokse, ashtu siç ndodhi edhe në mbledhjen e sotme, ku përveç paradokseve solli edhe plasaritje të koalicioneve parazgjedhore në zgjedhjet e fundit vendore.

Çfarë ndodhi

Ditën e hënë, datë 17 shtator 2012 Gjykata e Faktit, Sarandë shqyrtoi ankimimin e bashkisë për vendimin e Këshillit Bashkiak për heqjen e të drejtës së Kryebashkiakut Çipa si Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Ujësjellësit të qytetit, ku bashkia ka dalë fituese nga Gjykata e Faktit Sarandë. Por një ditë më pas, datë 18, mblidhet bordi mbikëqyrës në mbledhjen e lajmëruar shumë më herët për të zgjedhur drejtorin e ri. Para mbledhjes gazeta “Telegraf”, kontaktoi me anëtarë të bordit, të cilët u shprehën se është tepër e vështirë zgjedhja e drejtorit të ri pasi duhen pesë vota nga gjashtë anëtarë. Dhe kjo vështirësi vjen nga kandidaturat e paraqitura, të cilat janë tre: Durim Bajo i PDIU, Jani Babi i PBDNJ dhe Ardian Shehu i PS. Vetë përbërja e bordit, ku dy anëtarë janë të PBDNJ dhe kjo forcë politike ka kandidatin e saj e vështirëson zgjedhjen e drejtorit me pesë vota. Por nuk ka ndodhur kështu.

Votimi

Në mbledhjen e paradites së të martës janë paraqitur pesë anëtarë dhe ka munguar një. Nga votimi ka rezultuar fitues kandidati i PDIU+PD, Durim Bajo me pesë vota pro dhe asnjë kundër, duke marrë edhe votat e PBDNJ. Lidhur me këtë zgjedhje dhe zgjidhje disa anëtarë të bordit u shprehën se, Saranda shprehu edhe njëherë se nuk vuan nga komplekse dhe dallime raciale, por tregoi se, është një qytet që jeton në harmoni dhe si një shembull i bashkëjetesës multietnike, multikrahinore dhe pse jo edhe në marrëveshje jashtë barrierave të aleancave politike që lidhin liderët në Tiranë.