Grave të dhunuara dhe me Urdhër Mbrojtje e pa punë, u jepet 100 lekë ndihmë ekonomike në ditë

Përparim HALILI

Lëmoshë për 410 mijë shqiptarë të varfër, lihet në fuqi kushti: Ata që nuk bëjnë “Check-up”-in, përjashtohen nga skema

Trajtimi financiar tallës, mjafton për të kuptuar, se çfarë “kujdesi social” tregohet ndaj këtyre grave, të cilat përveç stresit, dajakut e deri vrasjeve barbare, përjetojnë edhe denigrimin prej varfërisë së turpshme që u ofron shteti, i cili ka bërë ligje, vendime e udhëzime, që u jep Urdhër mbrojtjeje dhe vetëm... 1 bukë e 1 qese kripë në ditë

Pas kriterit, që kush ka dush, televizor, dhomë gjumi, pula e gomar nuk përfiton ndihmë ekonomike, qeveria ka shtuar edhe një kriter tjetër klientelist, për të mbushur regjistrat e koncesionit “Check-up” për efekt plotësimi “plani” për pagesat e miliardave të këtij koncesioni fantazmë, të cilin duhet ta bëjnë me dhunë edhe gratë e dhunuara

Pagesa sociale mujore, që jep shteti për familjet dhe individët e papunë e pa të ardhura, zyrtarisht quhet “Ndihmë ekonomike”, por në fakt është në vlerë aq minimale, sa një person i vetmuar deri në moshën 18 vjeç, trajtohet me 10 bukë në muaj. Një kryefamiljar, trajtohet me 20 bukë në muaj. Një çift bashkëshortësh, trajtohet me 1 bukë në ditë! Ndërsa nga data 1 shtator 2017, sipas Udhëzimit Nr. 3, datë 17. 02. 2017, ndryshuar me Udhëzimin Nr. 8, datë 08. 05. 2017, një familje me mbi 5 anëtarë, por qoftë edhe me 10 anëtarë, nuk përfiton më tepër se 8000 lekë ndihmë ekonomike në muaj, ose 800 lekë në muaj për secilin apo 28 lekë në ditë! Ndihmë financiare lëmoshë, u jepet edhe grupimeve të tjera që gjenden në varfëri, për shkak të asfiksimit të ekonomisë dhe kushteve të ndryshme të diktuara shoqërore-familjare. Ndihma ekonomike është një tallje me varfërinë masive, mbasi vlerën e saj minimale mund të sigurosh ushqimin minimal të 2 ditëve, me vlerën mesatare mund të blesh një thes miell, me vlerën maksimale mund të paguash vetëm energjinë elektrike! Një prej këtyre kategorive, me të cilët po tallet shteti ynë “humano-social”, janë gratë viktima të dhunës në familje, të cilat jetojnë vetëm, ose me fëmijët, por që janë të pa punësuara. Çfarë garanton qeveria, për këto? Sipas VKM Nr. 955, datë 7.12.2016 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave, dokumentacionit dhe masës së përfitimit të ndihmës ekonomike”, përveç familjeve e individëve pa të ardhura financiare, pagesë sociale përfitojnë edhe gratë që janë viktima të dhunës në familje, në shoqëri e trafiqe prej botës së krimit! Pothuajse përditë, dëgjojmë raste e ndeshim përballë raste dhune ndaj grave! Ka një ligj, që teorikisht i mbron këto gra. Ka disa vendime, udhëzime e urdhëresa qeverie, që i trajtojnë financiarisht. Po sa mbrohen realisht këto gra, prej rrezikut të vazhdimësisë së dhunës? A trajtohen normalisht me kushte ekonomike, pas shkëputjes prej familjarëve dhunues? Po konstatojmë një qëndrim zyrtar aktiv, këto ditë pas vrasjes së gjyqtares Hafizi. Shteti dhe politika shqiptare kanë dhënë alarmin, duke u “përbetuar” për mbrojtjen e grave që dhunohen, duke deklaruar se do të hartohet një “paketë” e ashpër ligjore kundër dhunuesve, nxitësve, toleruesve dhe mbrojtësve të tyre. Mirëpo këtë rishikim ligjesh, shteti duhet ta nis nga vendimet sociale që ka miratuar vetë, për trajtimin e këtyre grave! Çfarë ndodh? Sot po publikojmë një vendim qeverie, me përmbajtje talljen e plotë me gratë e dhunuara që janë pa punë, të cilat vihen në urdhër mbrojtjeje! Është një vendim absurd e turpshëm, që tregon se gratë shqiptare, pasi shpëtojnë prej dhunës fizike të familjarëve, bien në “dhunën” denigruese të shtetit! Sipas Udhëzimit Nr. 3, datë 17. 02. 2017 të ish-ministrit të Mirëqenies Sociale Blendi Klosi, që duhej zbatuar në datën 1 mars 2017, por që me Udhëzimin Nr. 8, datë 08. 05. 2017 të ish-ministres së Mirëqenies Sociale Olta Xhaçka, u shty për në datën 1 shtator 2017, me ndihmë ekonomike trajtohen edhe gratë që janë viktima të dhunës në familje, të cilat pas divorcit, procesit të divorcit apo marrjes së Urdhrit të Mbrojtjes nga gjykata, caktohen të jetojnë vetëm, ose me fëmijët në kujdestari moshore e ligjore! Këtyre grave, kur janë pa punë, shteti u jep vetëm 3000 mijë lekë ndihmë ekonomike në muaj, ose 1 bukë dhe 1 qese kripë në ditë! Mjafton kaq, për të kuptuar se çfarë “kujdesi social” tregon shteti për këto gra, që përveç stresit, dajakut e deri vrasjes, përjetojnë edhe denigrimin prej varfërisë që u ofron shteti, i cili ka bërë ligje, vendime e udhëzime të tilla “humane”, që këtyre grave u jep Urdhër mbrojtjeje dhe... vetëm 200 gramë bukë thatë e 100 gramë kripë në vakt! Por absurdi nuk përfundon me kaq! Që të përfitojnë ndihmën ekonomike në vlerën 3000 lekë në muaj, në çdo 3 muaj duhet të plotësojnë një “mal” me vërtetime zyrtare, që kushtojnë 7000 lekë! Kështu e përcakton Udhëzimi Nr. 8, datë 08. 05. 2017, që mbështetet në VKM Nr. 955, datë 7. 12. 2016 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave, dokumentacionit dhe masës së përfitimit të ndihmës ekonomike”! Sipas “Pikës 
4/5” të këtij Udhëzimi, duhen marrë vërtetime në bashki, në shkolla, Gjendje Civile, tek mjeku i familjes, në zyra prone e pune, në tatime, dogana, zyra patentash, në kadastër, në komisione invaliditeti e jetimësh, në QKR, QKL, QKB, sigurime shoqërore, në prefekturë e në shumë zyra të tjera shteti, që minimalisht kërkojnë 1 javë kohë të sigurohen! Siç dihet, këto vërtetime jepen me pagesë në çdo institucion dhe sipas investigimit që ka bërë gazeta “Telegraf”, rezulton se vlera e tyre totale e tyre është 4000 lekë dhe duhet të merren në çdo 3 muaj! 

Edhe gratë e dhunuara, duhet të bëjnë “Check-up” me dhunë, ndryshe nuk u jepet ndihma ekonomike
Pas kriterit që kush ka dush, telefon celular, televizor, lavatriçe, dhomë gjumi, pula e gomar nuk përfiton ndihmë ekonomike, qeveria ka shtuar edhe një kriter tjetër klientelist, që përbënë krim shtetëror! Për të mbushur regjistrat e koncesionit të “Check-up”-it, për efekt plotësimi “plani” me qëllim pagesat e miliardave të këtij koncesioni fantazmë, në Udhëzimin Nr. 8, datë 08. 05. 2017, qeveria ka shtuar edhe një detyrim gjoja ligjor. Sipas këtij detyrimi, të gjithë familjet, personat ose kategoritë e tjera sociale duan të përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike, duhet të paraqesin edhe vërtetimin që kanë bërë “Check-up”-in, ndryshe nuk u jepet pagesa e ndihmës ekonomike, ose kur e marrin, u hiqet! Dhe për të përshpejtuar “ndihmën” ndaj kompanisë, shteti detyron që data e bërjes së “Check-up”-it, të ketë një nga datat brenda muajit të lindjes së aplikuesit, që do të thotë, se çdo datë ka të lindur! Mirëpo brenda këtij përcaktimi të dhunshëm shtetëror, përfshihen edhe gratë e dhunuara! Çfarë dikton Udhëzimi Nr. 8, datë 08. 05. 2017? Në fjalinë e fundit, të Pikës 7, të Paragrafit 3, shtohet ky përcaktim: “Personat e grup-moshës 35-70 vjeç, që aplikojnë për ndihmë ekonomike, duhet të kryejnë kontrollin mjekësor bazë (Check-up), në një nga ditët e muajit të lindjes. Administratori shoqëror në bashkëpunim me mjekun e familjes, merr listën emërore të personave, të kësaj grup-moshe, të cilët nuk e kanë kryer kontrollin mjekësor bazë (Check-up) dhe i njofton ata, 3 muaj rresht, para afrimit të muajit të lindjes. Personi i njoftuar duhet të kryejë kontrollin mjekësor bazë dhe të dorëzojë pranë administratorit shoqëror, vërtetimin e lëshuar nga qendra shëndetësore që ka kryer kontrollin mjekësor bazë, prej mjekut të familjes dhe strukturat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Administratori shoqëror në bashkëpunim me mjekun e familjes, merr listën emërore të personave, të kësaj grup-moshe, të cilët nuk e kanë kryer kontrollin mjekësor bazë dhe i njofton ata 3 muaj rresht, para muajit të lindjes. Personi i njoftuar duhet të kryejë kontrollin mjekësor bazë dhe të dorëzojë pranë administratorit shoqëror, vërtetimin e lëshuar nga qendra shëndetësore që ka kryer kontrollin mjekësor bazë, prej mjekut të familjes dhe strukturat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”!

Në 192 ish-komuna, 3-4 muaj pa u dhënë ndihma ekonomike 
Gazeta “Telegraf”, nisur prej disa denoncimeve të bëra në emisionin “Koha për t’u zgjuar” të publicistit të njohur Bashkim Hoxha, lidhur me bllokimin e ndihmës ekonomike në disa zona, bëri një investigim për këtë problem, referuar kontakteve banorë të zonave në të 12 qarqet. Rezultoi se ka bllokim e vonesa të shpërndarjes së ndihmës ekonomike, por edhe devijime të fondit të kësaj ndihme, duke u përdorur për shërbime të tjera nga bashkitë! Banorëve në shumë fshatra në qarqet skajore të vendit, nuk po u jepet ndihma ekonomike prej 3-4 muajsh. Sipas informacionit, bllokimi i ndihmës ekonomike është bërë në 192 ish-komuna, tashmë në vartësi të bashkive si Njësi administrative! Faktikisht, krerët e këtyre njësive nuk kanë asnjë përgjegjësi mbasi ata janë “kukulla”, që nuk kanë fuqi as të marrin pagat e tyre kur u vonohen. Këto ankesa janë bërë edhe në “dëgjesat me popullin”, që ka zhvilluar kryeministri pas zgjedhjeve të 25 qershorit! Shkak, thuhet se është “arka bosh” e qeverisë e zbrazur gjatë fushatës elektorale, gjë që e shpjegon edhe vonesa e dhënies prej 3-4 muajsh!