Gramshi bllokuar nga shiu që shkatërroi rrugët e ndërtuara me tenderë korruprtiv

506
Shembja e rrugëve, urave, mureve mbajtëse, shkarja e dherave dhe gurëve, rrëzimi i çative të shkollave dhe mureve në klasa, këputja e linjave telefonike dhe elektrike, pothuajse e ka izoluar qytetin e Gramshit dhe banorët e 22 fshatrave. Prej afro 10 ditësh reshjet e rrëmbyera që kanë nisur dhe nuk po pushojnë kanë krijuar situata alarmante, duke rrënuar rrugët e dikurshme, urat e dikurshme shkollat kopshtet, dhe banesat e qindra fshatrave dhe lagjeve periferike të qytetit të Gramshit. Të mbetur të pashpresë, dhe me sytë nga qielli për t’ju lutur Zotit të ndalojë shiun, banorët e Gramshit prej 10 ditësh po përjetojnë katastrofën dhe po përmenden vetëm në statistikat e ministrive Transportit, Mbrojtjes e Arsimit për dëmet e shkaktuara nga shirat e ditëve të para të janarit 2016 dhe jo për ndihmën ndaj tyre. Asnjë ndihmë nga shteti, asnjë deputet i pranishëm, asnjë ministër dhe zv/ministër nuk ka vajtur të shikojë, takojë dhe kontaktojë me ata banorë të mbetur të izoluar, sikur të jetonin në pjesën tjetër të botës. Në Bashkinë e Gramshit dhe nënprefekturën e tij, shprehen se dëmet janë të mëdha, kemi shembje urash në fshatra, çarje rrugësh dhe bllokime me masive gurësh që kanë pushtuar akset rrugore që lidhin qytetin e Gramshit me fshatrat Korovjat, Bulçar, Skënderbegas, Kishtë, Shushicë, Çekin e shumë fshatra të tjerë. Ndërsa janë dëmtuar rëndë çatitë dhe klasat e dhjetëra shkollave e kopshteve dhe banesat e qindra banorëve, ndihma ndaj banorëve po vonon, pasi edhe kushtet atmosferike janë të disfavorshme. Por megjithë deklaratat optimiste të institucioneve, se “situata është nën kontroll”, apo se “ndihmat janë nisur dhe nuk vonojnë”, duket se barra e halleve dhe problemeve të banorëve të rrethit të Gramshit nuk kanë të sosur. Por sikur të mos mjaftonin problemet e shumta me fshatrat dhe izolimin e tyre edhe në qytetin e Gramshit, situata mbetet e rënduar. Ura në hyrje të qytetit që kryen lidhjen me Cërrikun e më pas me Elbasanin, pothuajse po shkatërrohet nga mungesa e mirëmbajtjes dhe investimit. E rënduar dhe alarmante, paraqitet situata edhe në “rrugën e re” të aksit Elbasan-Gramsh, (ndërtuar para viteve 1990) e cila përgjatë gjatë dimrit, pothuajse nuk funksionon, duke detyruara makinat të qarkullojnë nga rruga e vjetër. Ardhja dhe fryrja e lumenjve, kanë krijuar vështirësi edhe për lëvizjen e automjeteve në drejtim të fshatrave, pasi janë bllokuar akset rrugore dhe janë shembur urat ekzistuese. Në Nënprefekturën e Gramshit, u shprehën se “prej 10 ditësh, qindra nxënës shkollash kanë mbetur pa mësim, pasi nuk kanë mundësi lëvizje nga fshatrat e tyre, por edhe mësuesit nuk mund të shkojnë në shkolla në punë, pasi nuk kanë mundësi komunikacioni, nga përmbytja e rrugëve, dalja e përrenjve dhe lumenjve nga shtrati, ndaj këkrohet ndërhyrje urgjente, për të stabilizuar situatën e rënduar”. Shirat e rrëmbyeshëm, të nisur qysh gjatë natës së ditës së hënë dhe që kanë vazhduar edhe të martën, kanë rënduar situatën në rrethin e Gramshit i cili ka mbetur si një ishull i izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Edhe aksi rrugor që kryen lidhjen me Moglicën , Korçën dhe Skraparin, gjendet i bllokuar, pasi bien gurë dhe ka rrëshqitje dherash. Në situatën e krijuar nga moti dhe neglizhenca e qeverisë, ministrave të saj dhe nga mungesa e deputetëve, banorët e Gramshit sërish i bëjnë apel kryeministrit Rama, t’i kthejë sytë edhe nga ata. Çdo dimër, rrethi i Gramshit mbetet i izoluar sikur të ishte “xhepi” rezervë i çdo qeverie. Banorët e atij rrethi që kanë votuar me shumicë majtas, ndjehen të fyer dhe të braktisur, ndërkohë që tashmë kanë humbur edhe shpresën për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre. Sikur të mos u mjaftonte papunësia, varfëria, mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe borxhet e pafundme, me të cilat po mbajnë frymën gjallë, tashmë u duhet të mbeten edhe të izoluar atje mes malesh për shkak të rrugëve të ndërtuara e të rikonstruktuara me tenderët korruptiv të dyshes Haxhinasto-Xhika. Me sa duket, 45 mijë banorët e bllokuar të zonave të Gramshit, duhet të presin derisa qeveria t’u rindërtoj urat, rrugët, shkollat, kopshtet dhe tu dërgojë ndonjë batanije e ndonjë qese miell për të mbajtur frymën gjallë. Apelin për ndihmë e bëjnë edhe mjekët e spitalit dhe qendrave shëndetësore në Gramsh, që po përballen çdo ditë me rastet urgjente, duke mos pasur mundësi t’u shpëtojnë jetën grave shtatzëna, burrave, pensionistëve e fëmijëve, pasi u mungojnë ilaçet dhe rruga për t’i nisur të paktën drejt shërbimit mjekësor në Elbasan. 
Sigal