Gradat shkencore e titujt akademikë, ja rregullat e reja

13435
Qeveria ndryshon kriteret për fitimin e gradës “Doktor” dhe standardet shtetërore për titullin “Profesor i asociuar”
Qeveria ndryshoi kriteret dhe rregullat për fitimin e gradës shkencore “Doktor” dhe standardet shtetërore për titujt akademikë “profesor i asociuar” dhe “profesor”. Në vendimin e qeverisë përcaktohet se studimet për gradën shkencore “Doktor”zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur, në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar, pranë institucioneve të arsimit të lartë, universitet ose akademi, të cilët plotësojë kriteret ligjore. Grada shkencore “Doktor” fitohet pas mbrojtjes me sukses të tezës së disertacionit, në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, sipas kritereve dhe brenda afateve të përcaktuara nga legjislacioni për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Studimet e doktoratës zhvillohen në formën e grupeve kërkimore, që drejtohen nga personeli akademik, të cilët kanë titullin akademik “Profesor i asociuar” ose “Profesor”. Kandidati aplikon individualisht në programin e studimit të miratuar në fushat e kërkimit shkencor, të ofruara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Njësia bazë miraton programet individuale të kërkimit të kandidatëve vetëm për ato fusha, të cilat i përkasin programeve të miratuara të doktoratës që ajo ofron. Kur fushat e kërkimit janë të ndërthurura ndërmjet dy ose më shumë njësive bazë, njëra prej njësive bazë caktohet përgjegjëse për ofrimin e programit të kërkimit të kandidatit, në dakordësi ndërmjet tyre.

Për gradën “Doktor”
Numri i doktorantëve në përbërje të secilit grup kërkimor, i cili përfshin të gjitha udhëheqjet që personeli akademik ndjek në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ku ai është i angazhuar, është:

a) jo më shumë se 7, në rastin e personelit akademik që mban titullin “Profesor”;
b) jo më shumë se 5, në rastin e personelit akademik që mban titullin “Profesor i asociuar”;
c) jo më shumë se 3, në rastin kur personeli akademik, që ka titullin akademik “Profesor i asociuar” ose “Profesor”, është i angazhuar me kohë të pjesshme. 
Njësia kryesore, në rregulloren e ciklit të tretë të studimeve, përcakton kriteret specifike:
a) që kandidati duhet të plotësojë për t’u pranuar apo për të transferuar studimet në programin e studimit, sipas fushës së kërkimit;
b) për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor gjatë periudhës së studimeve të doktoratës;
c) që kandidati duhet të plotësojë përpara mbrojtjes përfundimtare të tezës së disertacionit;
ç) kur studimet e doktoratës ndërpriten, shtyhen ose pezullohen;
d) për afatet e pagesës për të gjithë ciklin e programit.
Kriteret bazë, që duhet të plotësojë kandidati përpara mbrojtjes së disertacionit, janë:
a) Të ketë realizuar si autor i parë ose i dytë, kur autori i parë është udhëheqësi shkencor, së paku 3 referime, 2 nga të cilat të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres), në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, OECD-sëose G20-s, të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuar me kod ISBN ose ISSN; 

b) Të ketë botuar, së paku, 3 artikuj shkencorë në revista shkencore, nga të cilët 2 të jenë botuar ose pranuar për botim në revista të indeksuara të vendeve të OECD-së, BE-së ose G20-s, me bord editorial, ku, së paku, në njërin prej tyre të jetë autor i parë dhe në tjetrinautor i dytë.

Etapat
Kandidati harton disertacionin sipas formatit të miratuar në rregulloren e ciklit të tretë të studimeve. Disertacioni duhet të sjellë risi teorike dhe/ose empirike në fushën përkatëse të kërkimit si dhe të jetë një kontribut në avancimin e njohurive shkencore. Disertacioni hartohet në gjuhën shqipe dhe një përmbledhje e tij (2000-4000 fjalë) në një nga pesë gjuhët e Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, në format të shtypur dhe elektronik. Disertacioni miratohet nga udhëheqësi shkencor përpara dorëzimit.

Kandidati dorëzon disertacionin, së bashku me dosjen pranë drejtuesit të njësisë kryesore, i cili ia përcjell për vlerësim njësisë bazë brenda 15 ditëve, nga data e dorëzimit. Pas vlerësimit nga njësia bazë, disertacioni dhe dosja e kandidatit i përcillet Komisionit për Dhënien e Gradës Shkencore “Doktor” brenda 30 ditëve. Komisioni, nëse e vlerëson pozitivisht dosjen, brenda 30 ditëve ngre jurinë për vlerësimin e disertacionit. Juria cakton datën e mbrojtjes së disertacionit brenda 15 ditëve, nga formimi i saj. Disertacioni prezantohet para jurisë, e cila e vlerëson atë. Juria harton raportin e vlerësimit dhe ia dërgon Komisionit për Dhënien e Gradës Shkencore “Doktor”, i cili, brenda 10 ditëve, merr vendimin për dhënien e gradës shkencore “Doktor” dhe ia përcjell për procedura të mëtejshme drejtuesit të njësisë kryesore. 

Nëse njësia bazë jep vlerësim negativ për disertacionin dhe/ose dosjen, kandidati ka të drejtë të ri paraqesë disertacionin dhe/ose dosjen të plotësuar pas një periudhe jo më të shkurtër se 3 muaj.

Komisioni për Dhënien e Gradës Shkencore “Doktor”, i cili monitoron procesin për dhënien e gradës shkencore “Doktor”, përbëhet nga jo më pak se 5 anëtarë të zgjedhur të njësisë kryesore ku ofrohet programi i doktoratës, që kanë titullin akademik “Profesor i asociuar” ose “Profesor”.

Juria për mbrojtjen e gradës shkencore “Doktor” ngrihet nga Komisioni për Dhënien e Gradës Shkencore “Doktor” dhe ka në përbërje 5 anëtarë, nga të cilët, të paktën 2 anëtarë i përkasin njësive bazë nga institucione homologe, vendase ose të huaja. Dy anëtarë të jurisë caktohen oponentë për vlerësimin e disertacionit, njëri prej të cilëve i përket njësive bazë nga institucione homologe, vendase ose të huaja. Anëtarët e jurisë propozohen nga njësia bazë, me miratimin e drejtuesit të njësisë kryesore. Numri i anëtarëve të propozuar është jo më pak se 8.

Lista e të diplomuarve në programet e ciklit të tretë përcillet nga institucioni i arsimit të lartë në ministrinë përgjegjëse për arsimin, për t’u pasqyruar në regjistrin shtetëror të gradave shkencore e titujve akademikë dhe në regjistrat përkatës të IAL-së. Në përfundim të studimeve lëshohet diplomë për dhënien e gradës shkencore “Doktor”,e nënshkruar nga drejtuesi i njësisë kryesore dhe rektori.
Standardet për fitimin e titullit akademik “Profesor i Asociuar”
1 – Titulli akademik “Profesor i asociuar” jepet nga institucionet e arsimit të lartë, të llojit “Universitet”, të cilat plotësojnë kriteret ligjore.
2 – Aplikimet për fitimin e titullit akademik “Profesor i asociuar” kryhen nga anëtarët e personelit akademik të kategorisë “Lektor”. 
3 – Personeli akademik i kategorisë “Lektor”aplikon për fitimin e titullit akademik “Profesor i asociuar”të paktën 5 vjet, nga data që ka mbrojtur gradën shkencore “Doktor”.
4 – Personeli akademik me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme, që aplikon për titullin “Profesor i asociuar”, duhet të:
a) ketë zhvilluar një cikël të plotë leksionesh për, së paku, një lëndë, për 3 vite akademike; 
b) ketë përvojë pune si personel akademik me kohë të plotë për një periudhë, së paku, 5-vjeçare, me apo pa ndërprerje ose me kohë të pjesshme si lektor, për një periudhë 8-vjeçare akademike, me apo pa ndërprerje, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”;
c) jetë i aftë të mbajë leksione në një nga pesë gjuhët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian: angleze, frënge, gjermane, italiane, spanjolle, ose të mbrojë veprimtarinë kërkimore botuese përpara Komisionit për Promovimin e Personelit Akademik, në një nga gjuhët e mësipërme, në përputhje me statutin dhe rregulloren e IAL-së.
5 – Personeli akademik, që aplikon për titullin “Profesor i asociuar”, duhet të shfaqë zotërim të plotë të fushës së tij kërkimore, e cila reflektohet në realizimin e detyrimeve të mëposhtme:
a) Ka botuar, së paku, 5 artikuj shkencorë në revista shkencore brenda vendit ose ndërkombëtare të indeksuara. Së paku, 2 prej artikujve të jenë botuar në revista ndërkombëtare me faktor impakti, të rankuara nga Thomson Reuters dhe/ose Scopus. Kur këta artikuj janë në bashkautorësi, kandidati duhet të jetë autori i parë ose i dytë. Kandidati duhet të jetë autor i vetëm ose i parë në, të paktën, 2 artikuj shkencorë të paraqitur për fitimin e titullit;
b) Ka realizuar si autor i parë, së paku, 5 referime, nga të cilat, së paku, 2 janë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres)në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, OECD-së ose G20-s, të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuar me kod ISBN ose ISSN.
6 – Kur kandidati paraqet monografi, e cila përmbush kriteret e mëposhtme, ai përjashtohet nga detyrimet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 4, sipas ekuivalentimit që vijon:
a) Botimi i një monografie shkencore, e botuar pas fitimit të gradës shkencore “Doktor” brenda ose jashtë vendit, e cila duhet të përmbushë kushtet e origjinalitetit dhe duhet të jetë vlerësuar në përmbajtje si punim shkencor nga, të paktën, 2 vlerësues të pavarur të fushës kërkimore-shkencore, dhe të jetë pranuar nga njësia bazë, që mbulon fushën e kërkimit. Monografia shkencore e botuar jashtë vendit konsiderohet e vlefshme nëse shtëpia botuese është e rankuar nga SENSE Ranking of Academic Publishers, në kategorinë A, B, C ose D. Monografitë konsiderohen të ndryshme ndërmjet tyrekur ndryshojnë në përmbajtje me, të paktën, 70%. Monografia e botuar brenda vendit duhet të jetë e vlerësuar në përmbajtje si punim shkencor nga, të paktën, 2 “Profesorë” të fushës kërkimore-shkencore, nga të cilët, të paktën njëri prej tyre duhet të jetë nga vendet anëtare të BE-së, OECD-së ose G20-s.
b) Monografia e botuar brenda vendit ekuivalentohet me:
i. 2 artikuj shkencorë, të botuar në revistë shkencore brenda vendit; 
ii. 1 artikull shkencor, të botuar në revistë shkencore ndërkombëtare me faktor impakti.
c) Monografia e botuar jashtë vendit ekuivalentohet me:
i. 4 artikuj shkencorë, të botuar në revistë shkencore brenda vendit; 
ii. 2 artikuj shkencorë, të botuar në revistë shkencore ndërkombëtare me faktor impakti. 
7 – Për efekt të promovimit akademik, institucionet e arsimit të lartë marrin në konsideratë angazhimin dhe pjesëmarrjen e kandidatit, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”, në:
a) komitete shkencore apo redaktuese;
b) veprimtari vlerësuese si anëtar komiteti shkencor apo redaktues për llogari të periodikëve ose joperiodikëve shkencorë;
c) projekte kërkimore-shkencore në nivel drejtuesi, koordinatori ose anëtari;
ç) përfitimin e financimeve me bazë konkurrimi në nivel kombëtar e ndërkombëtar;
d) projekte të financuara nga programe me donatorë të huaj, të cilat sjellin përfitime për institucionin, në rolin e koordinatorit të projektit; 
dh) vlerësimet e projekteve kërkimore kombëtare ose ndërkombëtare;
e) si drejtues në komitetet organizuese të konferencave shkencore kombëtare ose ndërkombëtare;
ë) projektet e transferimit teknologjik të patentave.
8 – Angazhimi dhe pjesëmarrja e kandidatit në një ose disa veprimtari të përcaktuara në pikën 7, të këtij kreu, mund të ekuivalentohet me:
a) 1 artikull shkencor, të botuar në revistë shkencore ndërkombëtare me faktor impakti; 
b) 1 artikull shkencor, të botuar në revistë shkencore brenda vendit dhe 2 referime mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres), në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, OECD-së ose G20-s, të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuar me kod ISBN ose ISSN.
9 – Niveli sasior i treguesve, të përcaktuar në pikën 7, si dhe vlera përkatëse e tyreparashikohen në rregulloren përkatëse të IAL-ve dhe vendosen në funksion të prioriteteve akademike e strategjike të tyre. Raporti për angazhimin dhe pjesëmarrjen për veprimtaritë e parashikuara në pikën 7, hartohet nga njësia bazë e njësia kryesore dhe miratohet nga Komisioni për Promovimin e Personelit Akademik.
10 – Në rastet kur kandidati ka realizuar studim post-doktoratë në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, OECD-së ose G20-s, me një kohëzgjatje, të paktën, 6 muaj, shoqëruar me raport të detajuar për aktivitetin kërkimor-shkencor të zhvilluar gjatë kësaj periudhe, ai ekuivalentohet me 1 artikull shkencor të botuar në revistë shkencore ndërkombëtareme faktor impaktidhe 1 referim të mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres)në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, OECD-sëose G20-s, të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuar me kod ISBN ose ISSN.
11 – Për fitimin e titullit akademik “Profesor i asociuar”, botimet shkencore të vlefshme janë ato të realizuara pas mbrojtjes së gradës shkencore “Doktor”, deri në datën e dorëzimit të dosjes së aplikimit për titullin akademik “Profesor i asociuar”. 
12 – IAL-të përcaktojnë në rregulloret e tyre përkatëse kriteret për vlerësimin akademiko-didaktik të kandidatëve për fitimin e titujve akademikë.
(Në numrin e ardhshëm do të publikohen standardet e fitimit të titullit akademik “Profesor”, sipas ndryshimeve të fundit të vendimit të qeverisë)
Sigal