Gradaçela që do bëjë kurbanë urgjencën e Tiranës

720
Urgjenca e Tiranës e cila sipas “projekt-pazarit” të firmosur prej ministrit Beqja, parashikohet të jetë e shumta edhe 2 muaj në aktivitet si shërbim urgjence në qendër të Tiranës dhe fizikisht si ndërtesë, mbasi është futur në “rreth të kuq” për t’u rrafshuar. Kjo sipas ministrit Beqja, nuk bëhet për abuzime, apo ndërtim pallati mbi truallin e urgjencës ekzistuese, por bëhet në emër të “ndërtimit të një qendre të re urgjence”. Kjo urgjencë e re, sipas ministrit Ministrit Ilir Beqja, thuhet se do të ndërtohet në Laprakë. Në fakt, ndërtimi i urgjencës ka nisur prej afro 6 muajsh. Po ndërtohet në Laprakë, brenda territorit të Spitalit Ushtarak të Tiranës, ose më saktësisht, me hyrje ngjitur dhe përballë me hyrjen e portës së “Spitalit Amerikan”, i cili ka zaptuar dhe ka rrethuar me një kontratë qiraje 20 vjeçare falas, afro 30% të territorit të këtij spitali. Nuk paragjykojmë faktin se përse urgjenca e re është ndërtuar tek porta” e Spitalit Amerikan, paçka se ky fakt, të detyron ta paragjykosh gjetjen e këtij vendi për ndërtimin e urgjencës së re! 
Njoftimi u mbajt sekret, u shpall, 8 muaj pas tenderimit dhe nisjes së ndërtimit
Njoftimin për mbylljen e urgjencës së Tiranës e ka bërë 4 ditë më parë ministri Ilir Beqja. Mjekët e urgjencës, madje as mjekët e Spitalit Ushtarak e as shumica e deputetëve, deri në datën 2 shkurt 2015 kur u “zbulua” ky projekt, nuk dinin asgjë për mbylljen e urgjencës ekzistuese. Mjekët e Urgjencës së Tiranës, mjekë të spitalit, intelektualë, qytetarë e bashkë me ta fuqishëm edhe gazeta “Telegraf”, reaguan duke denoncuar këtë skandal shtetëror me shërbimin e urgjencës qendrore, të cilën po e mbyllin si shërbim dhe po e rrafshojnë si objekt, jo se u dhimbsen qytetarët, jo se kanë merak shërbimin e urgjencës, por thjeshtë dhe vetëm për një interes biznesi ndërtimi të shefave të “Beqje firmosësit” (siç thuhet e siç do vërtetohet). Shpallja e ndërtimit të urgjencës së re është bërë në “Buletinin e Prokurimeve Publike” nr. 21, datë 1 qershor 2015. Paçka se është bërë në datën 1 qershor në ditën e fëmijëve, ky vendim duket se nuk ka qenë dhe nuk është lojë fëmijësh, por lojë të rriturish të veshur me pushtet, të cilin po e përdorin për interesat e tyre edhe në rastin konkret të degdisjes së urgjencës, në periferi dhe të rrafshimit të ndërtesës së saj me… veprime e vendime urgjente. Cila është loja e bërë për shkatërrimin dhe zhdukjen urgjent… të Urgjencës së Tiranës?
Skandali, njoftimi për tenderin bëhet në 1 qershor 2015, vendimi për lejen e ndërtimit jepet në 21 korrik 2015
Loja për zhdukjen nga “faqja e dheut” të Urgjencës së Tiranës, ka nisur kur kupola e Rilindjes e ka bërë ligj këtë skandal e aferë korruptive, duke përdorur Këshillin Kombëtar të Territorit, ku kryetar është kryeministri dhe anëtar është edhe ministri Beqja, i cili dha lajmin e mbylljes së Urgjencës së Tiranës. Kjo lojë, ka brenda një skandal të dukshëm, të dokumentuar. Konkretisht ka ndodhur kështu: Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit është me Nr. 5, datë 21. 07. 2015 , me objekt “Për miratimin e lejes së ndërtimit për Ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore” brenda territorit të Spitalit të Traumës, Bashkia Tiranë”. Mirëpo shpallja e tenderit për prokurimin e fondit limit të ndërtimit të kësaj urgjence të re është bërë në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 21, datë 1 qershor 2015, me kritere që dihet se cilat janë, veçanërisht projekti i cili bëhet mbështetur në koston totale të ndërtimit dhe në parametra ët tjera në lidhje me treguesit fizik të truallit ku do ndërtohet e që këto i vlerëson dhe i vendos vetëm KKRRT. Plotë 40 ditë pas shpalljes publike të këtij tenderimi nga Ministria e Shëndetësisë, që sipas ligjit parashikon fondin limit mbi bazën e projektit, Këshilli Kombëtar i Territorit, ka miratuar lejen për ndërtimin, kur duhet të jetë e kundërta, pra që fillimisht jepet leja nga KKRRT, kompletuar me gjithë të dhënat që kërkon ndërtimi i një objekti të shoqëruar me koston komplet dhe pastaj shpallet njoftimi publik nga Ministria, për të bërë ofertën tenderuese. E sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm 6 ditë pas lejes së dhënë së dhënë për ndërtim nga Këshilli Kombëtar i Territorit, shpallet firma fituese e tenderit për ndërtimin e urgjencës së re! Këtë procedurë, që quhet abuzim e shpërdorim detyre dhe falsitet shkresor me vendimet zyrtare, mund ta shpjegoj vetëm drejtësia, mbasi Ministri i Shëndetësisë, siç dihet, di vetëm një gjë: që ka firmosur tenderimin e fondeve dhe ka shpallur fituesin, me të cilin brenda 5 ditësh nga shpallja fitues. ka lidhur me urgjencë edhe kontratën për ndërtimin e urgjencës së re! 

MINISTRIA E SHENDETESISE FORMULARI I NJOFTIMIT TË FITUESIT 
Për: Shoqëria “EVEREST” SH.P.K. me NIPT J78311921L me adresë: Pranë nyjes së betonit, Kamëz, Tiranë. 
Procedura e prokurimit: Procedurë e hapur-Punë publike-Prokurim elektronik. Ref: 233 – 25.05.2015 ; Përshkrim i shkurtër i kontratës: Objekt i prokurimit:“Ndërtimi i godinës së re për shërbimin kombëtar të urgjencave mjekësore” Fondi limit: 81,769,409.17 (tetëdhjetë e një milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e nëntë .17) Lekë pa TVSH Data e zhvillimit të tenderit: 18.06.2015 Kohëzgjatja e kontratës: Brenda 7 (shtate ) muajve nga data e lidhjes se kontrates Publikime të mëparshme (nëse zbatohet): Buletini i Njoftimeve Publike [Data] [Numri] Kriteret e përzgjedhjes së fituesit: çmimi më i ulët X, oferta ekonomikisht më e favorshme Duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë “EVEREST” SH.P.K me NIPT J78311921L me adrese: “Pranë nyjes së betonit”, Kamëz, Tiranë; se për ofertën e paraqitur për “Ndërtimi i godinës se rë për shërbimin kombëtar të urgjencave mjekësore” me vlerë 71.837.504 ( shtatëdhjetë e një milionë e tetëqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind e katër) lekë pa TVSH, pikët totale të marra  është identifikuar si oferta e suksesshme .
Ja fjala e ministrit Ilir Beqja, ditën e nisjes së punimeve të ndërtimit të urgjencës, më 12. 09. 2015 
“Sot po nisin punimet për ndërtimin e Qendrës së Drejtimit të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore. Është një investim prej 85 milion lekësh dhe sigurisht është një hap i ri në zbatimin e angazhimit tonë programor por tashmë edhe të ligjit për urgjencën mjekësore, i cili është në fuqi prej muajit nëntor të vitit të kaluar. Ky investim financohet nga buxheti i këtij viti, ndërsa më një investim prej 45 milion lekësh të tjera, u shpreh kreu i shëndetësisë, ne do të vazhdojmë procedurat në mënyrë që vitin e ardhshëm, pas 7 muajsh që është afati i përfundimit të kësaj qendre, të kemi edhe pajisjet gati që qendra të etë operative. Spitali Universitar i Traumës është një shërbim shumë i rëndësishëm për shërbimin tonë shëndetësor, unik në misionin e tij, por unë besoj se ajo që është e rëndësishme është që ne do ta fuqizojmë qendrën e Trumës në Shqipëri, pasi besoj se në radhë të parë, për këdo qytetar apo pacient, pak rëndësi ka se nga kush është varësia administrative e spitalit. Unë dua të garantoj dhe të përsëris konfirmimin e Qeverisë që, ajo punë e shkëlqyer që është bërë këto dy vite në këtë spital, në radhë të parë si meritë e mjekëve dhe infermierëve, por edhe e angazhimit tonë për ta fuqizuar këtë qendër, unë besoj se kushdo mund të bëjë krahasimin për dy vjet. Puna e bërë do të vazhdojë, pra qytetarët shqiptarë do të kenë gjithmonë e më shumë një Qendër Kombëtare Traume që i shërben atyre, por dua të garantoj edhe mjekët dhe infermierët që, Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të ketë një rol primar në drejtimin e përditshëm të shërbimit jetësor që kryhet në spital. Një falënderim i veçantë shkon për partnerët që kanë dhënë ndihmesën e tyre: TIKA-n, SDC-në, Telecom Albania, SFI-në, Qendrën Vullnetare të Emergjencave Civile dhe bizneset në fushën e mjekësisë.
Mjekët e urgjencës në protestë: Po shkatërrojnë shërbimin, nuk dimë asgjë
Mjekët e urgjencës së Tiranës kanë dalë në protestë pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për të mbyllur këtë shërbim. Ata thanë se ky është një vendim i padrejtë dhe të përshkallëzojnë protestat. Ata kanë thënë: Para 3, 4 ditësh jemi bëre me dije në mënyrë verbale nga titullari i institucionit tonë, pra nga shefi i urgjencës aktuale, që urgjenca Tiranës ose me saktë personeli i saj është shpërndarë në 3 spitale, përkatësisht në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, në spitalin e traumës dhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Janë rreth 64 punonjës mjek, infermierë, shoferë, të cilët janë shpërndarë përkatësisht, 22 te njeri spital, 22 te tjetri”. Mjekët e shërbimit të urgjencës në kryeqytet kanë protestuar, pasi në mënyrë verbale kanë mësuar se institucioni, ku punojnë do të “shkrihet”. Urgjenca e Tiranës është një prej shërbimeve të vetme, që merret me vizitat në familje të të sëmurëve dhe më transportin e tyre për në qendra shëndetësore më të specializuara. Mjekët e këtij shërbimi për këtë arsye i kanë nisur dhe një peticion, Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe kanë paralajmëruar se nëse i largojnë nga puna do të vijojnë me protesta deri në grevë urie. Sipas mjekëve, shërbimi i Urgjencës po shkrihet me qëllim që toka të shfrytëzohet për të ndërtuar një pallat. “Do ta shkrijnë institucionin, na e komunikuan verbalisht. Na kanë shpërndanë në 3 spitale terciare. Ne jemi mjekë familje patologë, nuk jemi për spital terciar. Shkrihet shërbimi, që toka të shfrytëzohet për pallat. Shërbimin duan t’ia japin me koncesion një kompanie. Jemi me 10-30 vjet përvojë, po na largojnë nga puna. Në 2 vitet e fundit në Urgjencën e Tiranës, nuk ka pasur asnjë investim. Gjysma e automjeteve janë jashtë funksionit. Degradimi i urgjencës është bërë me qëllim shkrirjen e saj.”- theksojnë mjekët, ndërsa paralajmërojnë se do të futen në grevë urie, në rast se Ministria e Shëndetësisë nuk tërhiqet nga vendimi për të shkrirë Urgjencën e Tiranës. 
Ja reagimi kreut të Grupit Parlamentar të LSI, zotit Petrit Vasili
“Jemi kundër këtij vendimi, ne si deputetë nuk kemi dijeni se si do jetë kjo urgjencë|”
Në emër të LSI-së në komisionin e Shëndetësisë, deputeti Petrit Vasili ka qenë kritik në lidhje me urdhrin për të shkrirë Urgjencën. Vasili ka kërkuar që ky urdhër të pezullohet, ndërsa sugjeroi “të bëhet shtrirja në tavolinë e skemës se cila do jetë urgjenca kombëtare, logjistika që do e shoqërojë, fondet dhe kohët me të cilat ky projekt merr pamjen e tij të plotë. Ky është detyrim, 140 deputetët e parlamentit nuk e dinë fare se si do jetë urgjenca kombëtare, nëse nuk i dinë, është një problem shumë i madh. Cfarë kemi për të fshehur këtu ne? u shpreh deputeti i LSI në komision. Zoti vasali ak thënë: “Gabon në faktin se konsekuenca e ligjit do të thotë efikasitet më i lartë, Urgjenca kombëtare, qendër që s’ka përfunduar ende, dhe ska marrë funksionet e saj ende, ndërkohë që s’kemi kokën, po shpërbëjmë pjesët e trupit? Ne trurin se kemi, urgjenca e re kombëtare siç ishte ideuar do kishte një kokë…themeli i urgjencës që do ndërtohej do kishte një princip që me marrjen e sinjalit të aktivizonte urgjencën më të afërt..për një koordinim sa më të mirë, ky është themeli,urgjencës që ishte më afër ti jepte sinjalin për të arritur, gara e urgjencës është vetëm një, minuta më të pakta për të mbërritur tek rasti. Kush fillon bën filozofira do ti duket vetja si shkencëtar, sështë shkencëtar, është një njeri që flet fjalë boshe”,- tha Vasili.
—————————
Beqja nuk paraqitet në ballafaqimin me mjekët e urgjencës në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë 
Në datën 3 shkurt 2016, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i është shmangur përballjes me mjekët e Urgjencës së Tiranës në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Pas zbulimit të urdhrit të ministrit për të mbyllur urgjencën, komisioni kërkoi një seancë dëgjimore me të dhe ishte lënë për ditën e djeshme. Por teksa të gjithë prisnin ardhjen e ministrit, ai nuk u paraqit, edhe pse seanca ishte pikërisht për të dhënë sqarime se përse u mor një vendim i tillë, që sipas mjekëve, aty synohet të ndërtohet një pallat. Kjo gjë solli debate dhe akuza nga radhët e deputetëve. Kryetarja e komisionit, Alban Vokshi, e cilësoi si arrogancë një veprim të tillë, teksa tha se u shkel Kushtetuta dhe rregullorja. “Nuk është çështje politike, çështje e shëndetit të qytetarëve. Është një lloj arrogance dhe shpërfillje ndaj deputetëve të këtij komisioni dhe nuk po flas vetëm për ata të PD se ne vendosëm në mënyrë unanime që ministri duhet të vinte këtu”, tha Vokshi. Nga ana tjetër, deputetja socialiste, Klodiana Spahiu, justifikoi ministrin, duke thënë se ai ishte në mbledhje të qeverisë. Kjo bëri që seanca të vijonte me dëgjimin e vetë mjekëve të urgjencës, të cilët kërkuan që të mos merret një vendim i tillë, me argumentin se ky veprim nuk do të sjell asnjë përmirësim, por do dëmtojë sistemin e urgjencës. “Shqetësimi ynë i befasishëm kur u njohëm me një vendim që ka ndodhur një shpërndarje nëpër tre spitale të tjera. Kishim rreth një vit që ishim njoftuar për formimin e urgjencës kombëtare. Pretendohej që qendra kombëtare, një organizëm i veçantë që do përfshinte gjithë urgjencat. Ndërkohë në mënyrë të shpejtë dhe befasishme morëm vesh që do shpërndahemi në 3 spitale”, tha doktor Dritan Kocia. Edhe shefi i urgjencës së sëmundjeve të brendshme në QSUT, Edmond Zaimi, ishte kundër një veprimi të tillë, duke thënë se nuk ka pasur asnjë njoftim ndaj tij për shtimin e stafit, pasi MSH do të sjellë aty disa prej mjekëve të urgjencës. “Nuk kam marrë asnjë urdhër që personeli është në varësinë time. Më duket e pakuptimtë shkrirja pa pasur një parapërgatitje”, tha ai. Edhe mjekët e tjerë reaguan ashpër, përfshirë dhe ata të urgjencës në QSUT. 
Reagimi i PD: Abuzim me Urgjencën. Shëndetësia: Nuk mbyllet, rritet cilësia
Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, demokratja Albana Vokshi, ishte në Urgjencën e Tiranës për të adresuar një akuzë të re për Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo theksoi: “Denoncojmë atë që në horizont duket si një aferë tjetër e ministrit të Shëndetësisë, për të dhënë me koncesion Urgjencën. Nuk ka ngelur gjë tjetër, të japë edhe stafin mjekësor dhe jo-mjekësor me koncesion”, tha Vokshi. Deputetët demokratë ishin tek Urgjenca e Tiranës, e cila trajton rreth 30 mijë raste në vit sepse stafi atje është ankuar se me urdhër të ministrit duhet të shpërngulen te “Nënë Tereza”, te “Trauma” dhe “Sanatoriumi”. Kjo gjë, sipas PD-së, është një shkelje flagrante e ligjit për shërbimin e Urgjencës. “Qëndrimi jonë është që ky shërbim që ka më shumë se 50 vjet që funksionon në Tiranë të ngelet kështu, pasi edhe populli i Tiranës e di këtë adresë, këtë institucion dhe kërkon ndihmë mjekësore në këtë numër telefoni në këtë ambient”, shprehet mjeku i Urgjencës, Sali Rexhepi. “Askush nga këtë mjekë që ne kemi këtu nuk di se në cilin spital. Nesër, pasnesër, në shpërbërje të Urgjencës, qytetarët shqiptarë kanë mundësi që mund të mbeten pa një trajtim urgjence, shëndetësore në shtëpitë e tyre, apo edhe aksidentet që ndodhin në rrugë”, tha deputetja e PD-së. 
Sigal