Grabitja tek “Raiffaisen Bank”, panik tek qytetarët

471
Sigal

KORÇË-Publikimi dje i një detaji të vetëm, përkatësisht i numrit 60 të klientëve të grabitur nga titullari e katër vartës të tij në degën e “Raiffaisen Bank” në Devoll, nuk i ka qetësuar klientët për sigurinë e parave të tyre të arkëtuara në këtë institucion. Pati mes klientëve që u përpoqën që të mësonin diçka më shumë teksa në gjykatën e Korçës u dha masa e sigurisë për të akuzuarit, por dhe kjo nuk ndodhi. “Unë kam kursimet e mia në këtë bankë, por me çfarë po flitet, më ka hyrë frika. Na kanë thënë që vjedhja e bërë nga punonjësit nuk ka lidhje me klientët, se ata janë të siguruar, por hajde e beso sot. Herë them të shkoj e t’i tërheq paratë, e herë jo. Nuk di çfarë të bëj”,- pohoi një 44- vjeçar dje për “Telegraf”. Ndërkohë, Gjykata e Korçës ka dhënë dje masën e sigurisë “arrest me burg” për bankierët dhe pronarin e lojërave të fatit, të cilët akuzohen se nëpërmjet falsifikimit, kanë grabitur 2.8 milion euro të qytetarëve. Masa “Arrest me burg” është dhënë për Ervin Xhaçi, pronar i një pike lojërash fati në qytetin e Bilishtit dhe bankierët Lorent Ballco, Kimet Hoxha, Julian Kosho dhe Ervin Xhaçi. Tre muaj më parë u bë arrestimi i ish-drejtorit të bankës “Raifaissen”, ndërsa dy dit më parë policia dhe Prokuroria e Korçës arrestuan edhe 4 punonjës të tjerë të saj dhe një pronar të lojërave të fatit.