Grabitja e pronave nga sindikatat trondit Parlamentin Europian

876
Sigal

Europa, e shqetësuar për milionat e grabitura nga krerët e sindikatave. Funksionimi i sindikalizmit në Shqipëri, një nga prioritetet e BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë

Pa asnjë tërheqje, sot gazeta “Telegraf” po vazhdon publikimin e fakteve të tjera skandaloze me pronat shtetërore, të dhëna prej shtetit për t’u shërbyer interesave të veprimtarisë sindikale, por të administruara në mënyrë pirate e banditeske si “plaçkë kaçakësh pylli” prej 10-15 “efendilerëve” të sindikatave, të cilat nga pasuri kombëtare e sindikale, nisën e u përdorën brutalisht si prona private, duke bërë me to një masakër antiligjore, sociale, sindikale, fizike, urbanistike e financiare me pasoja tepër të rënda. Mjafton të lexosh një raport evidentimi të gjendjes, destinacionit dhe administrimit të pronave të sindikatave, bërë në vitin 2001, me VKM nr. 500, datë 14. 08. 2001 prej “Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike” (AITPP) dhe konstaton një batërdi masive, që e ka emrin: “Krim bandash sindikale, me pasuritë kombëtare”. Nëse shikon gjendjen faktike të pronave, gjendesh përballë një katrahure të bërë ndaj tyre prej “agallarëve” të sindikatave , deri në rrafshime kampe pionierësh e punëtorësh, rezidenca, kinema, pallatesh kulture, zyra, biblioteka të zhdukura me gjithë libra, salla lojërash dhe shitje e dhurime oborresh të këtyre objekteve, mbi të cilët aktualisht janë ndërtuar e vazhdojnë të ndërtohen pallate, resorte turistike private, hotele, motele, baxho qumështi, “spitale” mjekësh popullorë, karburante, servise makinash, magazinë tregu, rezidenca luksi e vila prej atyre që i kanë blerë, ose që i kanë në përdorim me qira si “emër prone”, duke u shkëmbyer këto me “shpërblime” fizike e përfitime financiare në favor të kapobandave të sindikatave shqiptare që kanë pronat në administrim. Nga evidentimi faktik aktual i pronave të sindikatave të BSPSH-së, KSSH-së, Sindikatës së Minierave e Sindikatës së Naftës, konstaton “lumë” abuzimesh deri edhe me guxim hajdutëror prej aventurierësh antiligjor. Në 22 vjet që kanë kaluar, krimi fizik, social, ekonomik e financiar, bërë prej drejtues-horrave të sindikatave me pronat e sindikalistëve, rezulton të ketë një bilanc të madh e të rëndë abuzimesh me 4678 pazare, dhënie qira, shitje, tjetërsime shitjesh, shkatërrime me ruspa, dhurime objektesh, vjedhje pasurish të luajtshme e të paluajtshme, zhdukje dokumentesh për veprimet financiare nga të ardhurat prej tyre dhe shfrytëzimi i tyre për pasurim e jetë “agallarësh” me apartamente, me pushime, udhëtime jashtë shtetit e makina “sheikësh”, duke “qëndisur” letra false financiare, gjoja për “zhvillim aktivitetesh sindikale”. Pa bërë komente, po publikojmë sot realitetin që ka ndodhur e po ndodh me pronat e sindikatave në Qarkun Tiranë, që përmbledh dhe zonën Kavajë-Golem.

 Gjendja e pronave të sindikatave në Qarkun e Tiranës

  Shtypshkronja Sindikalisti “11 Shkurti”-Tiranë

 Objekt i shkallëzuar me 2 e 3 kate, ndodhet në Rr. “Sadik Petrela” Tiranë, në pronësi të BSPSH-së dhe të blerësve “anonimë”. Ushtrojnë aktivitet: Shkolla Private “Horizonti”, Fabrikë vaji “O&B shpk”, Disko-PUB “VENY”, Shoqëria e reklamave “GENIA”, të cilat kanë marrë me qira dhe kanë blerë nga sindikatat dhe blerës të dytë e të tretë, sipërfaqet që disponojnë. Nuk ka asnjë informacion nga BSPSH për fatin e pasurive të paluajtshme, objektet e tjetërsuara nuk ekzistojnë në hipotekë.

 Shtëpia e Kulturës “Josif Pashko”-Tiranë

 Në inventarin e BSPSH-së, ndërtesa pallat kulture me 150 vende nuk ekziston më fizikisht, mbi truallin e saj është ndërtuar një objekt, pronar i të cilit është Agim Estrefi, i cili ushtron aktivitet privat “Punime duralumini dhe druri”. Nuk ka asnjë dokument nëse është blerë, është dhuruar apo është dhënë me qira. Sindikata nuk ka asnjë dokument për fatin e pasurive të luajtshme. Nuk figuron në hipotekë.

 Ish-Ofiçina e Automjeteve e Bashkimeve Profesionale

 Objekti 1700 metër katror nuk ekziston as fizikisht dhe as në letrat e sindikatave BSPSH e KSSH, që e kanë patur me aksione përkatëse 55% e 45%

 Pallati i Kulturës “Tekstilisti”, Kombinat-Tiranë

Ndërtesa është në inventar të Konfederatës Sindikale (KSSH), objekt me 2 kate. Kati i parë është kthyer në kafene, dyqane, restorante, parkingje, kioska qoftesh. Është dhënë me qira nga KSSH. Kati i dytë është dhënë me qira nga KSSH dhe aktualisht është Shkollë e Formimit dhe Studimit Sindikal (Fondacion Privat Italian). Nuk ka asnjë dokument mbi fatin e pasurive të luajtshme. Pasuri të luajtshme, nuk u konstatuan. Nuk ekziston në hipotekë.

 Shtëpia e Kulturës “Marikaj”-Vorë

Objekt i KSSH-së. Ndërtesa është me 2 kate, i është transferuar në pronësi Bashkisë Vorë me Ligjin 8744, datë 22. 02. 2001, por edhe pse ka kaluar në pronësi të bashkisë Vorë, më parë kjo pronë i është blerë sindikatës nga Qemal Mara, pronar ligjor i truallit, ka sipërfaqe 516 m2 dhe është kthyer në Bar-Restorant. Nuk ka inventar për pasuritë e luajtshme.

 Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”-Qendër Tiranë

Pronë e përbashkët e BSPSH-së (55%) dhe KSSH-së (45%), me 3 kate, me 1 kat në nëntokë, sipërfaqe harte 1700 m2, i është kthyer ish-pronarëve Shyqyri, Qazim e Haver Haveriku në sipërfaqen 1372 m2, ku ushtron aktivitet Universiteti privat “UFO”, pjesa tjetër prej 328 m2 është ende pronë e BSPSH-së e KSSH-së, dhënë me qira. Nuk ka asnjë dokument, për pasuritë e luajtshme.

 Shtëpia e Kulturës Kamëz

Pasuri e BSPSH-së, godinë 2 kate, ndodhet në qendër të Bashkisë Kamzë, shitur nga BSPSH në vitin 1996, blerësit ia kanë shitur Kishës Katolike, aktualisht objekti funksionon si Kishë Katolike, në pronësi të kishës, me truall prone shteti. Nuk ka asnjë dokument për fatin e pasurisë të luajtshme.

 Shtëpia e Kulturës “Valias”

Pasuri e Sindikatës së Pavarur të Naftës (SPN), pjesa “Sallë Kulture” është shitur nga sindikata, kthyer në shtëpi banimi. Nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme, nuk figuron në hipotekë.

 Shtëpia e Kulturës “Mushqeta”

Pasuri e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, me vendndodhje Komuna Kërrabë, ndërtesë me 2 kate, aktualisht i shkatërruar. Nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme, nuk figuron në hipotekë.

 Shtëpia e Kulturës “Kërrabë”

Objekti pronë e sindikatës i është shitur zotit Astrit Vaka, nga drejtoria e Minierës e Qymyrgurit Kërrabë, trualli i është kthyer pronarit nga KKP-Tiranë, aktualisht bërë njësi tregtare. Nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme.

Kampi i punëtorëve Dajt

Kampi i Punëtorëve “Dajt”, Vila Rezidenciale Qeveritare dhe Kampi i Pionierëve Dajt (Pallati i Madh), pronë e BSPSH-së e më pas dhuruar Sindikatës së Pavarur të Ushtrisë, Policisë e SHISH. Dy nga objektet janë shitur nga sindikata dhe janë në pronësi e administrohen nga Shoqëria Anonime “DAJTEL” (Teleferiku), kthyer në resort turistik, në pronësi të së cilës është edhe 8 hektarë truall. Sindikata nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme.

 Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve “Dajt” (Barakat)

Sindikata e ka dhënë objektin me qira, për një periudhë 20-vjeçare, kthyer në objekt shërbimesh turistike me emrin “King Park”, kompleks Bar-Restorant, hotel dhe administrohet me qira nga Sejdin Zëre. Sindikata nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme, nuk ekziston në hipotekë.

 Sallat e lojërave “Nr. 1 e 2”-Kavajë

Nuk ka asnjë gjurmë fizike objekti dhe asnjë copë letër dokument prej sindikatave për fatin e këtyre objekteve, pronë e BSPSH-së.

 Shtëpia e Kulturës “Gosë” Kavajë

Objekti nuk ekziston fare. Mbi një pjesë të truallit të tij janë ndërtuar zyrat e Gjendjes Civile të Komunës Gosë, pjesa tjetër e truallit ngjitur me ndërtesën e komunës është e lirë. Sindikata nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme, nuk ekziston në Hipotekë.

 Kampi i Pionierëve-Golem

Pasuri e BSPSH-së, kanë qenë të regjistruara pasuritë 305/3, 305/2, 305/1, 304/1, por është shitur prej sindikatës, aktualisht regjistruar si pronë private nga blerësit, konform ligjit të regjistrimit, konkretisht me këtë përbërje pronësie në hipotekë: Pasuria 305/1 në emër të 5 personave, Pasuria 305/2 në emër të 28 personave, Pasuria 305/3 në emër të 1 personi, Pasuria 304/1 në emër të 2 personave. Objektet Kampi Ditor i Pionierëve dhe Kampi i Punëtoreve janë prishur, nuk ekzistojnë më, mbi truallin e tyre janë ndërtuar vila dhe pallate private. Në pronën, ish-kampin e studentëve, ekzistojnë disa baraka e objekte të rindërtuara, ku jetojnë familjarë. Sindikata nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme. 

Sindikatat nuk janë ligjërisht pronarë të 152 objekteve

 Sipas ligjit, sindikatat i kanë marrë pronat në vitin 1992 me Dekret Presidencial nr. 204, datë 05. 05. 1992, që rezulton dekret antikushtetues, mbasi nuk pa kaluar për votim në Parlament, por është një dokument shkresor, i lëshuar personalisht nga ish-Presidenti Sali Berisha, si të ishte një medalje e jo një dekret për administrimin e një pasurie kombëtare që në atë kohë ishte e vlerësuar si investim shtetëror e “popullor” në vlerën e afro 97 milionë dollarëve. Sindikatat, edhe me këtë dekret, kishin të drejtë të administronin pasuritë shtetërore deri në vitin 2020, por pa qenë pronare të tyre, sepse sindikatave si shoqata u mungonte një prej “tagrave” të pronësisë, që është e drejta e disponimit/tjetërsimit, parashikuar e përcaktuar në tekstin e Nenit 6 të Ligjit Nr.8340/1, datë 06. 05. 1998, ku përdoret shprehimisht termi “administrimi i pasurive”. Sipas ligjit, shteti është pronar i vetëm i pasurive të administruara nga sindikatat, të cilat përgjatë kohës së administrimit, kapërcyen në mënyrë abuzive “tagrat” e të drejtave reale të dhëna. Ndaj ligji Nr.8340/1, datë 06. 05. 1998, edhe pse me vonesë, shpreh qartë dhe pa ekuivok përcaktimin kushtetues, për moskalimin e pronësisë mbi këto pasuri nëpërmjet mosmiratimit të dekretit Nr.204, datë 05. 06. 1992.

  Përparim HALILI

***

Reagon kreu i Konfederatës Sindikale, Kol Nikollaj

 Jemi OJF pa fitime. Me të ardhurat e pronave kemi forcuar e modernizuar lëvizjen sindikale, nuk ka asnjë abuzim

 Bisedoi: Ledjana SALIU

 Një një intervistë për “Telegraf”, kreu i Konfederatës Sindikale të Shqipërisë Kol Nikollaj, ka reaguar lidhur me akuzat për administrimin e pronave, të ardhurave që përdoren privatisht për qejfe, udhëtime jashtë shtetit, për blerje makinash e pajisje luksoze zyrash, për bordero fiktive në përdorjen e të ardhurave financiare dhe për evazionin fiskal, që vazhdon të bëhet në dëm të shtetit, duke mos shlyer taksimin 10 % mbi të ardhurat. Zoti Nikollaj, në reagimin e tij, jep shpjegime se çfarë është sindikata, por nuk jep asnjë shpjegim për katrahurën e bërë, edhe me pronat që ka patur e ka në administrim kjo sindikatë, për të cilat zoti Nikollaj është vënë në qendër të sulmeve edhe prej grupimit sindikal që drejton e drejtonte.

 Sindikata që ju drejtoni, akuzohet si pjesë e evazionit fiskal, mbasi nuk paguan në shtet, 10 % të të ardhurave prej qirave të përdorimit të pronave…

 Objektet që KSSH posedon deri në vitin 2020, përdoren tërësisht në zbatim të ligjit që pronëson sindikatat. Këto objekte nuk përdoren për fitimprurje, por për të forcuar dhe konsoliduar aktivitetin sindikal si dhe një pjesë e të ardhurave shkon për kryerjen e investimeve dhe mirëmbajtjen e tyre, pasi objektet janë 40-50 vjeçare dhe janë tërësisht të amortizuara. Në objektet që janë me qira, ne nuk marrim të ardhura financiare direkt ekstra, por aktivitete sindikale si dhe me të ardhurat e marra, paguajmë veprimtaritë dhe aktivitetet në shërbim të sindikatës. KLSH, që ka kryer 2 herë auditin në raportet e tij është shprehur se këto objekte janë përdorur në përputhje me ligjin.

 A punohet me bordero e fatura të dyfishta për fshehje të ardhurash, që të rezultoni si OJF?

 KSSH-ja është një organizatë joqeveritare dhe si e tillë ka një bilanc me formatin OJF, të miratuara nga Ministria e Financave dhe Tatim Taksat. Nuk është e vërtetë, që punojmë me bordero të dyfishtë, por ne kemi 2 standarde për të shpërblyer aktivistët dhe të emëruarit. Aktivistët e zgjedhur në gjithë strukturat që janë part-time, shpërblehen për punën e tyre në varësi të rezultateve që arrijnë, të miratuara me kritere të qarta në statutin e KSSH-së dhe rregulloren e Asamblesë së Përgjithshme dhe në vendimet e Presidencës ekskluzive të KSSH-së. Ndërsa, për të emëruarit që janë administrata e KSSH-së në qendër dhe në bazë që janë funksionarë në sindikatë, të paguar me pagë mujore, të miratuar sipas vendit të punës në presidencën ekzekutive, përdorim vetëm një listë-pagesë që deklarohet në tatim taksa dhe sigurime shoqërore e shëndetësore. Çdo vendim merret kolegjialisht. Unë, në cilësinë e Presidentit, vetëm nënshkruaj dhe ndjek zbatimin e tyre nga strukturat.

 Çfarë ndodh me shpenzimet personale të drejtuesve të sindikatës?

 Unë nuk kryej asnjë shpenzim personal, askush tjetër nga bashkëpunëtorët apo vartësit e mi, çdo shpenzim që kryhet për llogari të KSSH-së bëhet i miratuar nga struktura dhe i justifikuar plotësisht me dokumentet përkatëse për shpenzimet. Këtu bëhet fjalë për energjinë elektrike, ujin, telefoninë mobile dhe fikse, karburante, pjesë këmbimi etj.. Makina dhe telefoni, janë pronë e KSSH-së dhe përdoren plotësisht në përputhje me rregullat që ka vendosur Asambleja e Përgjithshme e KSSH, jo vetëm nga unë, por nga gjithë të zgjedhurit dhe të emëruarit në KSSH. Është e vërtetë, që KSSH paguan një kredi për një automjet, por kjo është e dokumentuar dhe blerja e saj është kryer konform çdo rregulli të brendshëm.

 A del me fitim Konfederata nga të ardhurat e pronave?

 Është qesharak ky pretendim, pasi vetë logjika flet për një OJF jofitimprurëse, akoma për më tepër, KSSH e cila gjatë këtyre viteve ka kaluar dhe vazhdon të kalojë vështirësi të theksuara financiare, kryesisht për mospagimin në rregull të kuotazicionit si dhe për moseficiencën sa dhe si duhet të pronave të saj, për efekte të krizës ekonomike-financiare dhe shumë prej këtyre pronave nuk frekuentohen, pasi tashmë janë të mbyllura.

 Ju akuzoheni edhe nga brenda drejtuesve e anëtarësisë së sindikatës për abuzime me të ardhurat e pronave, pse ky sulm ndaj jush pikërisht tani?

 Unë personalisht dhe organizata që drejtoj, jo vetëm tani, por edhe 8 viteve të kaluara kemi qenë në sulm nga qeveria “Berisha” dhe klientët e saj, që janë të shumtë dhe në sindikata. Pseudosindikatat, të cilët tashmë kanë dështuar në tregun sindikal po përpiqen të hedhin baltë mbi KSSH-në dhe mua personalisht se jemi në prag të Kongresit të 5-të. Edhe 10 ditë na ndajnë nga kjo ngjarje e rëndësishme dhe ushtarët e Sali Berishës të cilët janë të zhgënjyer nga ne edhe për mosmbështetjen në protestën politike që do zhvillohet sot, përpiqen të errësojnë veprimtarinë tonë të rëndësishme në drejtim të mbrojtjes social-ekonomike të punëtorëve shqiptarë si avokatë besnikë të tyre dhe e vetmja organizatë sindikale shqiptare tërësisht e pavarur dhe e pandikuar nga politika dështake dhe konfliktuale e këtyre 20 vjetëve. Ne tashmë i kemi përfunduar të gjitha procedurat parakongresuale dhe nëpërmjet sloganit “Së bashku më të fortë, së bashku në Europë”, në datën 30 nëntor do të fillojmë një histori të re për 5 vitet e ardhshme duke e forcuar KSSH-në si lider jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha sindikatat e rajonit tonë.

(Intervistë e datës 20 nëntor 2014)

Raportuesi i PE-së për Shqipërinë, z.Knut Fleckenstein takon sot sindikalistët

 Macaj: Do jap tablo të saktë për sindikalizmin në Shqipëri

 Europa shqetësohet për funksionimin e sindikalizmit në Shqipëri, e cila është një nga prioritetet e përcaktuara nga Europa për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Dhe, pikërisht, dialogu social dhe problemet e sindikatave në Shqipëri do të jetë një nga objektet e takimit të sotëm të Raportuesit të PE-së për Shqipërinë z.Knut Fleckenstein mez. Valentin Macaj, kryetar i Sindikatës së Shërbimeve Policore, në orën 18.00 – 18.30 në hotel “Sheraton”. “Normal që Parlamenti Europian ka verifikuar gjendjen e nderë të sindikalizmit dhe kërkon nga ne që të japim një tablo të saktë rreth çështjes” shprehet për “Telegraf”, z. Macaj.

Mosfunksionimi i sindikalizmit, manovër e shtetit për të minimizuar zërin e punonjësve (kujtojmë këtu problematikat e ngritura nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, z. Sadedin Fishta); si dhe abuzimet e krerëve të sindikalizmit shqiptar (BSPSH-së dhe KSSH-së) me pasuritë e shtetit; janë 2 nga problematikat më të theksuara të sindikalizmit në Shqipëri. Milionat e shpërdoruara nga sindikatat, dhënie qira, shitje, tjetërsime pronash shtetërore, vjedhje pasurish të luajtshme e të paluajtshme, bordero fiktive, evazion fiskal, zhdukje dokumentesh, përvetësime të ardhurave sindikale nga krerët e pangopur do të jenë pjesë e bisedës së Raportuesit të PE-së për Shqipërinë z.Knut Fleckenstein mez. Valentin Macaj. Z.Knut Fleckenstein ka arritur në Shqipëri dje, vizitë e cila do zgjasë deri ditën e nesërme, në datën 9 janar. Raportuesi i Parlamentit Europian ka ardhur për t’u informuar rreth përgatitjes së draft-raportit për Shqipërinë dhe synimi kryesor është të shihet evolucioni i reformave të qeverisë lidhur me 5 prioritet e përcaktuara nga Europa për Shqipërinë. Z.Knut Fleckenstein pritet të hartojë draft-rezolutën për Shqipërinë në fund të Janarit, e cila do të diskutohet nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian dhe në prill të votohet në sencën plenare të PE-së.